PD nuk shkon në zgjedhje me Ramën kryeministër

“PD nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”, pohoi dje kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. “Ne kemi deklaruar që më parë, që kjo do të jetë protesta më e madhe në Shqipëri. Dhe këtë e arriti. Kjo ka qenë vërtet një nga protestat më të mëdha të organizuara në Shqipëri, sa i takon numrave. Flas për numrin e protestuesve. Ky ka qenë edhe qëllimi i protestës së PD, tregimi i forcës, jo në kuptimin negativ, por për t’i bërë të qartë kësaj qeverie dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për mbarëvajtjen e gjërave në Shqipëri, se nuk kemi të bëjmë me qëndrimin e opozitës apo një partie politike, por për një qëllim që u intereson të gjithë shqiptarëve. Dhe kjo është dëshira për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Paloka. Ai tha se janë vetë qytetarët që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Padyshim që nuk do të mund të qëndronin të gjithë protestuesit aty. Por për qëndrimin me çadra, vijimin e protestës u mor vendimi bashkë me qytetarët. Padyshim që një gjë e tillë na ishte kërkuar nga qytetarët edhe nga takimet e zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit edhe më parë. Qytetarët kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme”. Duke folur në lidhje me vendimin e PD, Paloka tha se me qeverinë Rama nuk do të mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Vendimi i sotëm është se u vendos jo vetëm prej PD e partive opozitare, por prej gjithë qytetarëve, që nëse nuk zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhje nuk ka. Sa të jetë kjo qeveri me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje të lira e të ndershëm. Sot u vendos se duhet të ikë kjo qeveri, që të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse kjo qeveri vazhdon me arrogancën e saj, nuk do të ketë zgjedhje”, tha Paloka. I pyetur nëse PD do të marrë pjesë në zgjedhje apo do t’i bojkotojë ato, Paloka tha: “Bojkoti i PD dhe nuk ka zgjedhje, nuk është e njëjta gjë. Është shumë e thjeshtë, nuk do të ketë zgjedhje më 28 qershor. Rama kërkon të bëjë votime, siç bëri në Korçë e Dibër. Ato nuk janë zgjedhje, por bëhen siç do Rama, ndan përqindjet. Kjo nuk do të ndodhë. Në Shqipëri më 18 qershor, nëse Rama do të jetë Kryeministër, nuk do të ketë zgjedhje. E shoh si të vetmen rrugë”. “Nuk flasim më për numrat në Parlament, ato janë numrat e 2013. Ato kanë ndryshuar. Ka ndryshuar realiteti. Mbi 70% e shqiptarëve nuk e duan më këtë qeveri. Sot qytetarët duhet të lihen të votojnë të lirë. Ne nuk kërkojmë rrëzimin e qeverisë, që të ikë Rama dhe të vijë Basha kryeministër, por të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme”.