Milani do Insinjen

Ishte protagonist, edhe pse vetëm për pak minuta, me një gol spektakolar në “Santiago Bernabeu” me të cilin u dha iluzionin tifozëve të Napolit për një mrekulli në Ligën e Kampionëve kundër Realit të Madridit. Lorenco Insinje, sulmuesi anësor i të kaltërve, tregoi sërish klasin e tij, teksa me një goditje fantastike nga 35 metra la të shtangur portierin Keilor Navas.
Lojtari i datëlindjes 1991 po konfirmohet një ndër sulmuesit më në formë të momentit dhe për këtë arsye drejtuesit e rinj të klubit janë të vendosur për ta afruar në Milano. Trajneri i kuqezinjve, Vinçenco Montela, e admiron prej kohësh italianin, teksa flitet se emri i tij është i pari në listën e merkatos së vitit të ardhshëm.
Milani, që me mbërritjen e kinezëve në krye të klubit mund të mbështetet te një shumë e rëndësishme ekonomike për të investuar në merkato, sipas asaj që raporton “Premium Sport”, i ka prezantuar së fundmi një ofertë zyrtare Napolit për të siguruar shërbimet e 26-vjeçarit. Flitet se oferta e parë për Insinjen është 35 milionë euro. Bisedimet midis dy klubeve po udhëhiqen nga drejtori i ri sportiv, Masimiliano Mirabeli, mirëpo Napoli po bën rezistencë, pasi nuk kërkon të privohet nga futbollisti.
Sakaq, ky i fundit nuk ka pranuar të rinovojë kontratën që skadon në vitin 2019, teksa ka refuzuar dy herë ofertën e Napolit. Burime pranë lojtarit kanë bërë të ditur se, Insinje ka një akord paraprak me drejtuesit e rinj të Milanit dhe u ka shprehur atyre vullnetin për t’u transferuar sezonin e ardhshëm në Milano.
Por, nuk është vetëm italiani një profil që po ndiqet me shumë interes nga ana e dyshes Fasone-Mirabeli. Këto të fundit kanë bërë një tur në Gjermani, në të cilin kanë vënë në shënjestër dy futbollistë që militojnë në radhët e M’Gladbahut. Lojtarët në fjalë janë: Kristof Kramer dhe Mahmud Dahoud.
Të dy lojtarët kanë një vlerësim të përafërt, teksa kushtojnë rreth 10 milionë euro. Sakaq, Kramer dhe Dahoud kanë shkëlqyer edhe në sfidën M’Gladbah-Fiorentina, e vlefshme për Ligën e Europës. Me pak fjalë, dyshja FasoneMirabeli duket se i ka idetë e qarta, teksa që tani ka “përveshur mëngët” për t’i përforcuar ekipin Vinçenco Montelës.
Ndërkohë, Milani po mendon të rinovojë me portierin Gianluiggi Donnarumma. Marrëveshja mund të përmbante dhe një periudhë më të shkurtët por, Milani dëshiron që porta të jetë e sigurt për shumë kohë. Përtej situatës optimiste që duket në pamje të parë, qarkullojnë dhe disa skenare, të cilët ndoshta dhe mund të vënë në pikëpytje të ardhmen e Donnarummas.