Konte “ngrin” Diego Kostën

Antonio Konte nuk ka ndërmend t’i kushtojë rëndësi të ardhmes së Diego Kostës, pavarësisht se bëhet fjalë për sulmin kryesor të Çelsit. Trajneri italian ka refuzuar të përqendrohet te rinovimi i kontratës së lojtarit, të cilit i kanë mbetur edhe dy sezone të tjera nga akordi që ka aktualisht me blutë e Londrës.
“Kam dëgjuar që në media flitet për negociata rinovimi të Diego Kostës, por nuk kam ndër mend të merrem aspak me këtë gjë. Mendoj se është diçka që pret dhe do ulemi të bisedojmë në fund të sezonit. Deri atëherë, si lojtari, ashtu edhe klubi, duhet të jetë i përqendruar te realizimi i objektivave sezonalë”, u shpreh Konte.
Në fakt, Kosta mori një ofertë të majme nga Kina, prej afro 40 milionë eurosh në vit rrogë. Para një rreziku se ai mund të largohej, u përfol se drejtuesit nisën menjëherë negociatat për t’i rinovuar kontratën, me përmirësim të pagës. Por, duket se ka menduar kreu i pankinës për të “ngrirë” çdo tentativë, që në fakt mund të konsiderohet edhe si një humbje ekonomike për lojtarin e kombëtares spanjolle.
Në konferencën e djeshme, tekniku italian ka folur edhe për sfidën e Kupës ndaj Ulverhemptonit: “Duam të sigurojmë kualifikimin dhe kushdo që do zbresë në fushë, do jetë lojtar që meriton të luajë titullar. Duhet të ruajmë përqendrimin dhe të mos nënvlerësojmë për asnjë moment kundërshtarin”.
Në fund, Konte ka shprehur vlerësimin e tij për punën e bërë nga Arsen Vengeri, duke u dalë kundër kritikëve që kanë kërkuar shkarkimin e francezit. “Venger është një trajner i madh, i cili ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në futboll. Tek Arsenali, gjithashtu ka arritur suksese që nuk mund t’ia hedhin poshtë. Mendoj se meriton respekt dhe jo kritika të tilla”, përfundoi deklaratën e tij kryesuesi i renditjes së Premier Ligës.