Berisha: Revolucioni demokratik filloi, mbi 500 mijë në shesh

“Mbi 500 mijë shqiptarë në funeralin e Rivdekjes”. Kështu e cilësoi dje ish-kryeministri Berisha protestën mbarëpopullore që nisi në bulevardin para Kryeministrisë. Berisha në një prononcim për mediat deklaroi se, revolucioni demokratik filloi dhe se protestuesit do të qëndrojnë në shesh. “Nuk e lëshojmë më. Të rrijë atj,. të mos vijë fare më mirë. Revolucioni demokratik filloi. Kjo është 20 shkurti i ‘91. Lëvizja e misionit më të madh. Këtu janë mbledhur misionarët e Shqipërisë. Nuk ka forcë në botë që të ndalojë fitoren e tyre. Edi Rama ka vetëm një alternativë të ikë, të ikë, të ikë sa më parë. Rama është fshehur në malet e Sharrit. Fitorja nuk njeh çmim deri në fund. E ftoj Edi Ramën të largohet një minutë e më parë të dorëzojë shtetin. Pjesëmarrja është e jashtëzakonshme. Një energji, entuziazëm, mesazhet janë paqësore”. Në një postim në Facebook, Berisha shprehu mirënjohjen për protestën madhështore të organizaur dje. “Dëshmitar fatlum në këtë ditë të historisë! Rrofshi ju gra dhe burra, të rinj e të reja nga të katër anët e Shqipërisë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, emigracioni, diaspora, Greqia, Italia, Gjermania, SHBA që firmosët sot me praninë tuaj fillimin madhështor të Revolucionit Demokratik shkurt 2017, revolucionit që do të çmontojë sistemin e Banditokracisë dhe do vendosë në Shqipëri sistemin e vlerave të bazuar në votën tuaj të lirë!”