Barcelona e dërrmuar!

Në prag të sfidës së “Camp Nou” ndaj Leganes, në kampin e Barcelonës vazhdon të jetë temë e ditës humbja e thellë me PSG në Champions. Trajneri Luis Enrique e pranoi se kritikat nuk do të ndikojnë në skuadër dhe se përgjigjen do ta japin futbollistët në fushë. “Do të luajmë një ndeshje krejt tjetër, ku duhet të shohim reagimin e skuadrës, pas një situate kaq të vështirë. Kritikat nuk kanë ndikuar aspak tek unë, sepse ndryshe nuk do të mund të qëndrojë për tre vite në këtë detyrë. E ardhmja ime? Ajo që kam kaluar në këto muaj të fundit nuk ndikon aspak në vendimin tim për të ardhmen”, u shpreh Enrike.
I pyetur për një përmbysje të mundshme ndaj PSG, Enrique u shpreh se vëmendja për momentin është kthyer në kampionat. “Para se të mendojmë për Parisin, duhet të përqendrohemi në kampionat. Jemi ende në lojë në të tre kompeticionet, edhe pse do ta kemi shumë të vështirë të vijojmë më tej në Champions. Do të luftojmë deri në fund në La Liga, ndërsa në Kupë jemi kuaifikuar në finale”, tha trajneri i Barcelonës.
Në lidhje me kundërshtarin e radhës 46-vjeçari u shpreh se Leganes është një skuadër e paparashikueshme, dhe mund të befasojë me variante të ndryshme taktike, por ajo që e shqetëson më shumë është presioni që kanë futbollistët e tij.
Arrigo Saki ka analizuar situatën në Ligën e Kampioneve, kompeticion që e ka fituar dy herë si trajner i Milanit. Italiani vlerëson Juventusin dhe Realin e Madridit si kandidatët kryesorë për të triumfuar sivjet, ndërkohë që e cilëson si “të vdekur” Barcelonën. 70-vjeçari komenton edhe për Bajernin e Ançelotit, tek i cili nuk shikon një motivim të hekurt të lojtarëve…
I pyetur nëse kemi të bëjmë me fundin e një cikli për Barcelonën, Saki u përgjigj se, “ka vdekur mbreti, Barcelona. “Ka një tjetër sundues që po formon “qeverinë” e tij, Reali i Madridit. Gjithsesi, besoj se lista e skuadrave që po rrisin ndjeshëm cilësinë e tyre po shtohet. Juventusin e shikoj shumë mirë. Së bashku me Realin, janë kandidatët kryesorë për të triumfuar në Champions. Barcelona ka kohë që nuk është më Barcelona. Edhe në kampionat vuan shumë, pasi fiton me të dobëtit, por ka probleme me ekipet e forta. Nuk ka as agresivitetin e duhur, u shpreh Saki.
Më tej, Saki vlerësoi lojën e Real Madridit kundër Napoliti dhe tha se madrilenët dhe Juvja janë favoritë për të fituar Champions Ligën. “Reali bëri një presing të çmendur dhe nuk i lejoi Napolit që të tregojë forcën që ka. Cilësia teknike e spanjollëve është superiore dhe kur shikon të vrapojnë dhe të luftojnë futbollistë si Modriç apo Kros, nënkupton që bëhet një punë e madhe si ekip. Nëse Napoli shpreson që të realizojë diçka pozitive në ndeshjen e kthimit, duhet të lëvizë shumë në sulm”, u shpreh Saki.