Ajeti në dyshim, Mihajloviç: “Nuk e di nëse rikuperohet”

Arlind Ajeti në dyshim për sfidën e “Olimpicos” kundër Romës. Mbrojtësi kuqezi që është aktivizuar titullar në dy ndeshjet e fundit të Serisë A, po kalon një problem fizik dhe mbetet në pikëpyetje për takimin ndaj Romës në kryeqytetin italian. Lajmin e bën të ditur trajneri i Torinos, Sinisa Mihajloviç në konferencën e zakonshme për shtyp, duke konfirmuar besimin që ka te shqiptari, i cili gjithsesi nuk ështe ende në 100% të formës. Skuadra Granata po kalon një moment krize në repartin e tërhequr për shkak të mungesave të Carlaos, Castan e Rossettinit dhe në këtë mënyrë, Ajeti ka mundësi të tregojë talentin e tij, sepse gjatë këtij sezoni ka gjetur pak hapësira në radhët e Torinos. “Duhet të presim për të mësuar, nëse do t’ia dalë mbanë të jetë gati, në të kundërt do të luajë De Silvestri. Gjithsesi do të presim për të vendosur vetëm përpara ndeshjes”, nënvizoi Mihajloviç. Në sfidën e fundit kundër Pescaras në “Olimpico” të Torinos, Ajeti u aktivizua titullar dhe shënoi fillimisht një gol e më pas një autogol. 23-vjeçari shqiptar numëron 180 minuta gjatë këtij sezoni në Serinë A dhe një ndeshje si titullar në takimin e Kupës së Italisë kundër Pisas.