SHBA: Mbështetje betejës qytetare për zgjedhje të lira

Shtetet e Bashkuara mbështesin protestën e sotme të opozitës dhe inkurajojnë qytetarët shqiptarë në betejën për zgjedhje të lira. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën në Kongresin amerikan, Dana Rohrabacher, i ka dërguar dje në prag të protestës një mesazh Kryetarit të opozitës shqiptare, Basha, ku e siguron se Shtetet e Bashkuara do të jenë në krah të popullit shqiptar. “I dashur Lulzim, ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore. Përzemërsisht, Dana Rohra”, shkruan Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën në Kongresin amerikan.
Rohrabacher është një nga zërat e fortë në Kongresin amerikan. Ai njihet si një nga mbështetësit e Presidentit Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Ai ishte një nga tre emrat e preferuar të Presidentit amerikan për postin e Sekretarit amerikan të Shtetit së bashku me Tillerson dhe Romney. Zgjedhje e Trump ishte për Rajerson, ndërsa Rohrabacher vijon të drejtojë një nga komisionet kryesore në Kongresin amerikan me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Departamentin e Shtetit.
Për të parën herë në historinë e këtyre 26 viteve të fundit, një mesazh i tillë i fortë mbështetës vjen vetëm pak orë përpara një prej protestave më të mëdha të opozitës në Shqipëri. Kjo është një tregues domethënës që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë zhvillimeve politike në Shqipëri.
Rohrabacher është në të njëjtën kohë edhe denoncuesi i aferës 80 mijë euro të Ramës me Presidentin Obama. Ishte ai që denoncoi në zyrat e FBI këtë donacion të paligjshëm të Ramës për fushatën e ish-Presidentit Obama, gjë e cila çoi në një proces gjyqësor ku dy ndihmësit e Ramës janë dënuar nga drejtësia amerikane.

Dalja në protestë, detyrë qytetare

Protesta e sotme pritet të mbledhë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” një masë të pazakontë shqiptarësh. Askush nuk di të thotë numrin e saktë të atyre që do të jenë aty, por dinë që do të jenë shumë, vërtet shumë. Sepse shqiptarët kanë arsye të protestojnë… Do të jenë aty të gjithë ata që kanë vuajtur thundrën e sundimit shtetëror në këto 3 vite e ca qeverisje. Do të jenë aty ata që në shtëpitë e tyre nuk kanë dritë dhe fëmijët detyrohen të mësojnë nën dritën e qiriut si në Mesjetë, ata që u burgosën për tekat dhe marrëzitë e kësaj qeverie, ata që dhunohen çdo ditë nga taksidarët, ata që ky që duhet të ishte kryeministër i zhgënjeu me shëndetësi falas, me legalizime falas, por që u mori dhe qindarkën më të fundit. Dhe ata nuk janë vetëm të djathtë, ata janë gjithë Shqipëria.
Protesta e sotme është vetëm fillimi. Ky vend ka shpresë dhe s’mund të mbetet peng i një njeriu apo i një grupi të vogël hajdutësh. Shqiptarët janë zotët e këtij vendi, ky është vendi i tyre ku kanë lindur e janë rritur, ku duan të rrisin fëmijët si të barabartë mes të barabartëve. Këtu i rritën dhe s’ka asnjë arsye që t’i kenë larg. Do të jenë sot të gjithë ata të rinj që Rama padrejtësisht i privoi nga sistemi arsimor, duke u ngritur tarifat e studimeve dhe duke sajuar një skemë që t’i adresonte drejt klientëve të tij pronarë universitetesh. Do të jenë aty pensionistët, kjo shtresë që është robëtuar tërë jetën dhe shohin se si shteti i tyre tallet, duke i rritur pensionet në 3 vjet vetëm me 200 lekë. Do të jenë të varfrit që shteti i tyre i konsideron të pasur dhe i heq ndihmën ekonomike sepse u gjen ujë të ngrohtë në shtëpi. Do të jenë bujqit që mundin e një viti të tërë u detyruan ta flakin tutje, sepse nuk konkurrojnë dot me monopolet e klientëve të Ramës. Do të jenë ata që kanë provuar spitalet e Beqajt, ku të sëmurët janë të detyruar të jetojnë si në vendet e botës së tretë dhe shohin se si shton luksin Vilma e të tjerë me tendera e punë që nuk shihen kurrkund. E pra, kush mund të thotë, se kjo është vetëm protestë e Partisë Demokratike?
Partia Demokratike vetëm e ka thirrur, por ata që i japin zë asaj janë vetë qytetarët. Natyrisht burracaku kryeministër kush e di ku fshihet. Por kjo pak rëndësi ka, zërin e saj ai do e dëgjojë kudo që të jetë. Ai është zëri i të indinjuarve të këtij vendi. Është zëri i atyre që vranë veten nga varfëria, është zëri i vogëlushit Kristi Maze. Ata duhet të ishin sot mes nesh, por korrupsioni dhe padjeshmëria e atyre që qeverisin vendosën për jetën e tyre! Sot do të protestojmë ne dhe për ata! Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur. Kjo qeveri ka vjedhur e ka vrarë, dhe sot është dita për t’i thënë boll më! Ky vend është i shqiptarëve dhe s’kemi ndërmend që ta lëshojmë…. Edi Rama mund t’i fshihet protestës, por kurrsesi revoltës së një populli të zhgënjyer.