Prokuroria sekuestron pronat me vlerë 1.7 milionë euro në Vuno

Prokuroria dhe Policia e Vlorës kanë sekuestruar 17 mijë m² tokë bregdetare në fshatrat Vuno dhe Jalë dhe ka arrestuar pronarin e saj Murat Hysenaj. 56-vjeçari ishte shpallur në kërkim për falsifikim dokumentash dhe pastrim parash nga veprimtari kriminale. Sipas policisë, Hysenaj, me mënyra të paligjshme, ka përfituar një tokë që vlen 1.7 milionë euro.
Operacioni është realizuar nga Policia e Vlorës pas urdhërit të Prokurorisë. Në njoftimin për shtyp thuhet se, pas kërkesës së Prokurorisë, Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Jali”! Sekuestrohet një sipërfaqe toke në fshatin Vuno dhe Jalë. Arrestohet shtetasi i shpallur në kërkim: Murat Hysenaj, 56 vjeç, banues në Vlorë.
Në kuadër të procedimit penal Nr.1802/2016, ditën e sotme u bë e mundur kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. (Neni 186/2 dhe 287/a, c të Kodit Penal).
Mbi bazën e këtij operacioni, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë bërë sekuestrimin e një sipërfaqe toke prej 17.000 m2 toke në fshatin Vuno dhe Jalë, Bashkia Himarë, e cila është përvetësuar nga shtetasi i mësipërm nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Vlera e kësaj sipërfaqe toke shkon rreth 1.7 milionë euro.
Gjithashtu, për veprat penale të mësipërme, shtetasit Murat Hysenaj i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.