PDK: Largimi i qeverisë, kusht për zgjedhje të lira

Partia Demokristiane ka shprehur edhe një herë mbështetjen në protestën e sotme të opozitës. Në një deklaratë për mediat, PDK e Nard Ndokës thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kauza kryesore e protestës opozitare. “Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK, si pjesë e opozitës parlamentare, është e përfshirë në aksionin opozitar për zgjedhje të lira në Shqipëri. Në kushtet kur arroganca e mazhorancës aktuale nuk njeh kufi, kur opozita nuk trajtohet si partnere politike në një sistem demokratik, por si armike. Në rrethanat kur mazhoranca aktuale, ka bllokuar dialogun, konsensusin politik, garancitë për procesin, mbetet e vetmja rrugë, protesta masive deri në largimin e kësaj qeverie që ka kapur shtetin! Më 18 shkurt, të gjithë së bashku, për votën e lirë, për çlirimin nga bandat kriminale, nga korrupsioni qeveritar, nga klanet e drogës, nesër do të jetë vonë për të gjithë ne! Ne demokristianët shqiptarë, si subjekti politik më i dëmtuar nga Kodi Zgjedhor dhe vjedhja e votës, kemi të drejtën morale t’i bëjmë thirrje çdo socialisti të ndershëm, që kemi protestuar së bashku me to për votën, çdo deputeti dhe anëtari të LSI, që kemi mbajtur një grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë së bashku për votën, çdo demokrati, çdo qytetari, çdo individi që aspiron për një Shqipëri europiane! Ju kujtojmë, se për votën e lirë, ka vetëm një standard për të gjithë, konsensus politik! Të gjithë në shesh, para kryeministrisë! Ora e së vërtetës po vjen, ‘rilindasit’ falso, po presin me frikë fundin e tyre të turpshëm!”, thuhet në njoftimin e PDK.