James Allison drejtor teknik i Mercedes

Tashmë është zyrtare: James Allison do të jetë drejtori i ri teknik i skuadrës Mercedes në Formula 1. Ish-drejtuesi i Ferrarit dhe Renault do të marrë detyrën prej darës 1 Mars, ku do të zëvendësojë në postin e ri Paddy Lowe, i cili kaloi te Williams.
“Të punosh te Mercedes është një nder”, deklaroi britaniku në faqen e skuadrës. Te kampionët e Formula 1, Allison do të mbulojë të njëjtën detyrë që kishte te Ferrari, ndërsa do të jetë edhe njeriu përgjegjës për zhvillimin e njëvendëshes W08 Hybrid, e cila do të përdoret nga Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas. 48-vjeçari u shpreh “i lumtur që rikthehet në gara pas periudhës së pauzës”, ndërsa është entuziast për faktin se do të punojë “me një skuadër që në tre vitet e fundit ka regjistruar rezultate të jashtëzakonshme”.
Një mesazh mirëseardhje te Mercedes për Allison dha edhe drejtuesi i skuadrës, Toto Wolff, që tha se pas tre titujve botërorë të fituar radhazi, nuk ishte aspak e lehtë që të gjendej personi i duhur për të përforcuar grupin. Drejtuesi britanik ka punuar te Ferrari dy herë. Fillimisht si shef i aerodinamikës nga viti 2000 deri më 2004 kur në timon ishte Michael Schumacher. Edhe aventura e Allison te skuadra Renault ka qenë mjaft e suksesshme, pasi kishte rolin e zv/drejtorit teknik në periudhën kur Fernando Alonso fitoi dy tituj radhazi kampion në vitet 2005 dhe 2006.