Duma: Sot nis rrëzimi i qeverisë

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë Demokratike, Grida Duma, premtoi se ditën e sotme do të jetë një protestë madhështore në atë që ajo e quan “fillimi i rrëzimit të qeverisë”. Në një intervistë televizive, Duma sqaroi se kushti parësor i opozitës në zgjedhje ishte votimi elektronik, pasi në këtë mënyrë siguroheshin zgjedhje të lira e të ndershme. “Në protestë nuk do të marrin pjesë vetëm demokratë, por edhe qytetarë që thonë: Boll më! Do të nisë në orën 12:00 e do të zgjasë deri në vullnetin e fundit të njerëzve”, tha Duma.
– Basha tha se do të vendosim bashkë me qytetarët se çfarë do të bëhet me zgjedhjet…
Protesta është vetëm fillimi i një vendimi të madh. Zgjedhjet nuk janë problem i përditshëm i qytetarëve, por janë zgjidhje e këtyre problemeve. Në këtë vend, ku i jepej mundësia njerëzve të zhvillonin biznesin e tyre e të konkurronin lirisht me njëri-tjetrin, u kthye në Shqipëri krimi. Krimi në pushtet dha Shqipërinë me koncesion, dhanë tendera që nuk pamë asnjë rrugë, asgjë të re.

– Do t’i zhbëni këto me protestën?
Ky është vetëm fillimi dhe do të vijojë në të gjitha format: betejë politike, protesta, betejë ligjore dhe qëllimi është t’i japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin lirisht. Kjo qeveri duhet rrëzuar se nuk ka zgjedhje të lira. Duhet të shpëtojmë zgjedhjet e shqiptarëve. Rrëzimi i qeverisë ka ndodhur nëse flasim nga pikëpamja përmbajtësore.

– Kushtet me të cilat PD do të hyjë në zgjedhje?
Votimi elektronik është kërkesa jonë parësore. Ne së pari duam që brenda qendrës së votimit, ku ndodh 40% e problematikës, të zgjidhet me votim elektronik.

– Sikur të bihet dakord që kërkesa juaj të plotësohet, por do të dështonte, a do të mbanit përgjegjësi?
Nëse infrastruktura është, nuk ka asnjë dështim. Ne duhet të shqetësohemi një herë që zgjedhjet po vidhen pastaj të merremi me elementë teknikë.

– Do të shkonit me qeveri teknike?
Nuk janë pazare që i bën opozita këto. Nuk dua të përmend kalkulime të kota.

– Si vjen rrëzimi i një qeverie që ka numrat në Parlament?
Puna është t’i përdorësh për mirë, sepse ne kemi një qeveri arrogante në Parlament. S’kanë rëndësi numrat, por puna se si i përdor. Po të kishin numrat nuk do të diskutohej për shfajësim të njërit apo tjetrit në qeverisje.

– Sa mund të jetë numri i protestuesve për nesër (sot)?
Do të surprizoheni nesër (sot). Protesta është akt i vërtetë qytetarie. Është akt inspirimi edhe për minimalen e problemeve. Qytetarët do të jenë të mirëpritur në atë protestë paqësore.

– Do të lejojë policia të rrini më shumë se 4 orë?
Ne kemi lejen të vazhdojmë sa të duam dhe jemi brenda legjitimitetit.

– I trembeni ndonjë konflikti nesër (sot), pasi Basha i bëri thirrje policisë të mos provokojë?
Kemi gjithçka në kontroll që gjithçka të shkojë mirë. Padiskutim do të jetë protestë madhështore e paqësore. Do të jetë dhe jetësore sepse njerëzit që do të thonë fjalën e tyre janë njerëz të thjeshtë.