Bindin të mëdhatë

Të mëdhenjtë imponojnë forcën në ndeshjet e Europa League. Manchester United dhe Roma nuk hasin aspak vështirësi, ndërsa Athletic Bilbao dhe Ajax lënë të hapur çështjen e kualifikimit në fazën tjetër. “Djajtë e Kuq” dominuan 3-0 Saint Ettiene në “Old Trafford” pasi Jose Mourinho zgjodhi armatën e rëndë për të hedhur një hap të madh që në ndeshjen e parë. Tri gola të Zlatan Ibrahimoviç vrasin shpresat e skuadrës franceze që nuk arriti t’u bënte ballë anglezëve, të cilët konfirmohen favoritë këtë sezon të Europa League edhe pse rruga mbetet ende e gjatë.
Një fitore të thellë regjistroi edhe Roma në “El Madrigal”. 4-0 me tri gola të Dzekos dhe një perlë të Emerson Palmierit treguan forcën reale të skuadrës së Spalletit që tashmë mendon për fazën tjetër pasi kjo përballje duket e mbyllur dhe sfida e kthimit do të luhet thjesht sa për statistikë në “Olimpico” të Romës një javë më pas.
Nuk zhgënjen as Schalke 04 që kishte një sfidë më të lehtë në letër. Përballë “Minatorëve”, PAOK Selanik nuk bëri asgjë pasi gjermanët dominuan në lojë dhe rezultat. 3-0 me gola të Burgstaller, Meyer dhe Huntelaar vendosi diktatin Schalke në Selanik ku vendasit tentuan të shënonin të paktën një gol, por nuk ia dolën mbanë pasi diferencat në fushë ishin shumë të mëdha. Asnjë gol në Varshavë, aty ku Ajaxi i Amsterdamit u përball me murin polak, ndërsa në krahun tjetër, Legia ruajti të paprekur portën duke lënë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit për në fazën tjetër.
Fitore e vuajtur për Athletic Bilbaon në “San Mames” ku APOEL Nicosia pësoi tri gola, por shënoi dy të tjerë. Një rezultat delikat që e bën të vështirë kualifikimin për skuadrën baske, e cila mbetet e favorizuar edhe pas 90 minutëshit që do të luhet në kryeqytetin e Qipros. Një nga sfidat më të forta të mbrëmjes ishte edhe ajo mes Anderlecht dhe Zenit St. Peterburg ku belgët u imponuan 2-0 Achempong të shënuar në pjesën e parë. Fitore e rëndësishme për Besiktas në transfertën izraelite të Beer Shevas. Kampionët e Turqisë thyen 3-1 skuadrën surprizë të fazës së grupeve dhe shkojnë drejt sfidës së Stambollit me një bonus të rëndësishëm.
Edin Dzeko po përjeton momentin më të mirë në këtë sezon. Sulmuesi i Romës, përveçse është goleadori i Serisë A me 18 gola në 24 ndeshje, është në krye edhe të listës së shënuesve më të mirë të Europa League me 8 gola në 7 ndeshje dhe kjo falë tregolëshit të tij në El Madrigal në sfidën me Villarrealin.
Këtyre statistikave po t’u shtojmë edhe 2 golat në Kupën e Italisë e çojnë bilancin e Dzekos në 28 gola në 33 ndeshje, një shifër që është 3 herë më e lartë se ajo që ai regjistroi sezonin e kaluar që për boshnjakun është një kujtim i largët. “Viti i kaluar ishte ndryshe, por tani jam kthyer ai që kam qenë gjithnjë. Për mua nuk është surprizë shënimi i kaq shumë golave. Mora në shtëpi topin për 3 golat ndaj Villarrealit për t’ia dhuruar vajzës sime”, tha Dzeko.