Arritjet, sfidat e vështirësitë e Kosovës

epa05151353 Pupils of a primary school make a Kosovo flag with nails and stitches on the eve of the eighth anniversary of Kosovo's independence in Pristina, Kosovo 09 February 2016. Kosovo, which unilaterally declared independence from Serbia on 17 February 2008, has so far been recognized by more than 100 states, including the United States and a majority of European Union members. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Kosova shënoi dje nëntëvjetorin e pavarësisë së saj. Shteti më i ri evropian vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave, por “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio. Kosova, është bërë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, e Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA dhe e Federatës Botërore – FIFA. Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.
Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në Sknadinavi. Kurse, në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi. Por, tregimi i bukur për Kosovën, zbehet kur shihet ana tjetër e zhvillimit të brendshëm, funksionimit të institucioneve dhe pafuqia në vendimmarrje.
Edhe nëntë vite nga shpallja e Pavarësisë, Kosova po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të populluar nga shumica serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm. Kurse në planin e jashtëm, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke mos e vënë në plan afatshkurtër mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.
Ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore, mbajtja e strukturave paralele të pushtetit dhe diplomacia agresive kundër shtetit të Kosovës, kishte shtyrë BE-në që në vitin 2011 të niste një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Dialogu, po vazhdon ende, por përmbyllja e procesit me normalizim të marrëdhënieve nuk duket të jetë afër. Paraprakisht, Kosova kishte fituar betejën e parë ndërkombëtare ndaj Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 kumtoi verdiktin, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.
Në aspektin e brendshëm, dy vitet e fundit Kosova ndodhet buzë kolapsit në vendimmarrje. Raportet pushtet–opozitë, kanë rrezikuar seriozisht vendimmarrjen, madje edhe për çështjet e cilësuara si interes nacional, siç është liberalizimi i vizave, për çka pushteti dhe opozita nuk arritën të vendosin as një komunikim normal për tejkalimin e krizës. Krahas funksionimit jo efikas të institucioneve, mungesa e sundimit të ligjit, sidomos në planin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten kritere ende të papërmbushura në nivelin e kënaqshëm, çka potencohet edhe nga Bashkimi Evropian. Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova renditet në vendin e 95-të, në mesin e 178 vendeve të vlerësuara. Luftimi i kësaj dukurie është po ashtu kusht që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.
Me një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, Kosova nuk po arrin të zbusë papunësinë dhe varfërinë. Sipas shifrave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj. Ndërkohë që shifrat jo zyrtare, flasin për një shkallë shumë më të lartë të papunësisë. 17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së Pavarësisë.
Kosova ka shpallur Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë. Deklarata e Pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të Presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës. Shpalljes së Pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e Eezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.
Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), pati pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajrore të NATO-s, mbi caqet serbe. Festimet e përvjetorit të shtatë të Pavarësisë. Andaj, krahas misionit administrues të OKB-së, në Kosovë ishte vendosur edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it, e cila vazhdon të mbetet në Kosovë si forcë mbrojtëse, ndonëse aktualisht me një numër shumë më të vogël ushtarësh. Megjithëse në Kosovë kishte ndërhyrë NATO, kapitulli i luftës nuk është mbyllur ende. Në mungesë të funksionimit efikas të sistemit të drejtësisë, Kosova mund të përballet me situata të paparashikueshme këtë vit, për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë pritet të trajtojë disa krime që dyshohet se janë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës civile serbe.

Radio “Europa e Lirë”