Mbijnë si kërpudhat, 7 kioska në 300 metra rrugë në Tiranë

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk di kujt t’i bëjë nder më parë. Kioskat kanë nisur të “mbijnë” me shpejtësi. Vetëm në rrugën e “Elbasanit” deri tek Parlamenti, janë 7 kioska në vetëm 300 metra rrugë”. Ky është denoncimi që bën kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi. Në një postim në Facebook, Malltezi ka publikuar edhe fotot e kioskave që janë vendosur në trotuar, duke zënë hapësirën publike.
“1 kryqezim = 4 kioska
300 metra rrugë = 7 kioska!!!
Çmenduri kioskash “me biografi të mirë” në Tiranë!!! Veç 300 metra është nga lodrat e rrugës së Elbasanit e deri tek kryqëzimi i “Partizanit të Panjohur” dhe kanë mbirë 7 kioska të reja! Ata që për zënie hapësire publike arrestojnë hallexhinjtë me 1 arkë presh dhe sekuestrojnë rrushin, kanë zaptuar tokën e pronarëve denbabaden për të ngrit monopolin e kioskave për interes të xhepit vetjak. Tek lodrat e rrugës së “Elbasanit” janë ngritur 2 kioska, tek kryqezimi i rr. “Elbasanit” me Lanën ka prapë 2 kioska në secilën anë të Lanës, pak më sipër pranë Qendrës Toptani prapë një e madhe, prapë një tjetër tek “Partizani i Panjohur” dhe e shtata tek kryqëzimi!!! Çmenduri, babëzi, dhunë ndaj sipërfaqeve publike dhe pronave private për të vjedhur me leje ca qerratallarë me biografi të mirë. Turp dhe trishtim!”, shkruan Malltezi.