Kuvendi: Hicka të shoqërohet me forcë, deputetët pa konflikt interesi

Me anë të një memoje drejtuar sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla, juristët e këtij institucioni kanë hedhur poshtë pretendimet dhe spërdredhjet politike të Alma Hickës, për t’iu shmangur dëshmisë në Komisionin Hetimor për çështjen e CEZ. Në memon e tyre juristët i kujtojnë Hickës, se Avokatura e Shtetit është institucion publik në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa anëtarët e komisionit të zgjedhur me votë. Nga ana tjetër, juristët i kanë dhënë të drejtë kryetarit të këtij komisioni Edmond Spaho, për shoqërimin me forcës të Hickës në komision, si një detyrim ligjor që rrjedh nga Kushtetuta, pa pasur nevojën e një vendimi të ndërmjetëm siç kanë kërkuar deputetët socialistë. Më poshtë pjesë nga memot e dërguara nga juristët, një për Komisionin Hetimor dhe një për Sekretaren e Kuvendit Albana Shtylla.

Sqarimi i Kuvendit
Në mbledhjen e datës 13 shkurt 2017, nga disa prej anëtarëve të këtij komisioni u drejtuan disa pyetje për sqarim keshilltarëve të Komisionit Hetimor për sa më poshtë:
Lidhur me çështjen e parë të trajtimit të konfliktit të interesit, për sa parashtruar nga Znj.Hicka
Pasi u njohëm zyrtarisht më shkresën  Nr. 145/11 datë 13.02.2017  të dërguar nga  Avokatura e Shtetit, Zyra  e Avokatit të Përgjithshëm në lidhje me sa parashtrohet  në këtë shkresë sqarojmë se:
Referuar  paragrafit të 2 të faqes 4 të shkresës, dhe listës bashkëngjitur të procesve gjyqtare të dërguara mendojme se për sa parashtron Znj Hicka ato nuk mund të përbëjnë konflikt interesi.
Së pari, Avokatura e Shtetit është institucion publik. Ligji 10 018 datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit” në nenin 2 të saj parashikon  se “Avokatura e Shtetit është person juridik publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë.  Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit. Për institucionet dhe për çështjet juridike të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, asistenca juridike e Avokaturës së Shtetit është e detyrueshme. Në Avokaturën e Shtetit, funksioni i këshillimit juridik kryhet ekskluzivisht nga avokatët e shtetit”.
Bazuar në këto deklarime, nuk del i provuar konflikti i pretenduar. Për me tej, arsyetimi është sqaruar edhe në seancën e datës 13 shkurt e pasqyruar në procesverbalin e zbardhur të kësaj mbledhjeje.
Rrethanat e konfliktit të interesit konsiderohen në vlerësim nga vet Komisioni Hetimor për rastin e rrëzimit të tyre dhe rënies së shkakut pengues për mosmarrjen e dëshmisë.
Nëpërmjet shkresës nr. 145/10, datë 13.02.2017, (protokolluar në Kuvendin e Shqipërisë me nr. 555/1, datë 13.02.2017), Znj. Alma Hicka, në detyrën e Avokates së Përgjithshme të Shtetit i ka paraqitur Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit dhe për dijeni Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Komisionit Hetimor të ngritur me vendimin e Kuvendit nr.31, dt.14.4.2016 “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”,
Pretendime për shkelje të Kushtetutës, Ligjit Procedurial Penal dhe Ligjit të Posaçëm për komisionet hetimore dhe akteve nënligjore në zbatim të tij në dërgimin e shkresës të datës 10 shkurt 2017 me nr. prot 555/1 për njoftimin për thirrjen e saj si dëshmitare pranë këtij Komisioni Hetimor: Nga Komisioni dhe kryetari janë respektuar dispozitat e K.Pr.Penale  për mënyrën e njoftimit të dëshmitares.

Pse Avokatja e Shtetit duhet të merret forcërisht

Sa i takon çështjes për votimin e komisionit për thirrjen me forcë, ndërsa referimi i saj se është qytetare dhe nuk duhet cënuar në lirinë personale dhe të cenimit të integritetit fizik, theksojmë se:
Znj. Alma Hicka është thirrur në cilësinë e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, në funksionin dhe përgjegjësitë publike që ka si titullare e këtij institucioni dhe si e tillë ka detyrimin kushtetues (neni 80 i Kushtetutës) sipas të cilit “Drejtuesit e institucioneve shtetërore japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji”.
Detyrimi ligjor i kësaj funksionareje është të paraqitet para organit të Kuvendit i ngritur për ushtrimin e kontrollit dhe hetimit parlamentar si një funksion kushtetues bazuar në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës.
Në vetë natyrën kushtetuese dhe juridike të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe raporteve të tij me institucionet e tjera te administratës publike, bazuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, në tagrat e tij Kuvendi si institucioni më i lartë në vend, heton se sa efikas dhe të përgjegjshëm kanë qenë institucionet e shtetit në kryerjen e detyrës së tyre.
Po ashtu është një detyrim kushtetues i parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës: “e drejta për informim”: “kushdo ka të drejtë në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”. Sa më lart, jemi të mendimit se pretendimet e ngritura nga Znj.Hicka nuk qendrojnë.

Këshilltarët pranë Komisionit Hetimor:
Mimoza Arbi
Sonila Kadareja
Aida Shllaku