Komisioneri Hahn thirrje shqiptarëve: Çmontoni krimin

European Union Commissioner designate for Regional Policy Johannes Hahn from Austria is seen during his hearing at the European Parliament in Brussels, Thursday Jan. 14, 2010. (AP Photo/Thierry Charlier)

Fuqizimi i pushtetit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kanë alarmuar eurodeputetët, duke bërë që ata ta konsiderojnë Shqipërinë si një shtet mafioz që funksionon në simbiozë me krimin dhe trafiqet. Në këto kushte komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johanes Hahn ka kërkuar çmontimin e grupeve kriminale. Duhen hetime dhe ndjekje penale për krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet.
PE miratoi dje draft-rezolutën për Shqipërinë, e hartuar nga eurodeputeti Knut Fleckenstain. Raporti pohon shumë qartë se hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është e kushtëzuar nga zbatimi i plotë dhe në kohë i pesë kushteve. Rezoluta Fleckenstein u votua me 546 vota pro, 85 kundër dhe 62 abstenim. Gjatë debateve në seancën plenare u reflektuan qëndrimet e tri institucioneve kryesore të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE.
Krahas shqetësimit për kërcënimin e zgjedhjeve të lira nga shitblerja e votës, eurodeputetët kanë folur me shqetësim në lidhje me rendin dhe sigurinë në vend, ndërsa kanë theksuar se krimi i organizuar dhe trafiku i lëndëve narkotike e kanë shndërruar Shqipërinë në një shtet mafioz.
Me tone të ashpra ka reaguar eurodeputeti Jean Luc Schaffhauser, sipas të cilit: “E vërteta është kjo: Shqipëria është një shtet mafioz. Trafiqet dhe korrupsioni janë endemikë. Reformat kozmetike që supozohen të lehtësojnë anëtarësimin e vendit ju gënjejnë vetëm juve. Ju rrezikoni që të na bëni subjekt të mafias shqiptare që është më e rrezikshmja dhe kontrollon gjysmën e trafikut të drogës, të qenieve njerëzore dhe migracionit në Europë”.
Lidhur me këtë çështje, Johannes Hahn, komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit kërkoi që “Shqipëria të bëjë më shumë përpjekje për krijimin e një gjurme provash solide të hetimeve dhe ndjekjeve penale për krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Korrupsioni në nivelet e larta duhet të luftohet me më eficencë dhe e njëjta gjë vlen edhe për krimin e organizuar. Më shumë rezultate nevojiten për çmontimin e grupeve kriminale brenda vendit, në rajon dhe në nivelin global. Komisioni do të rrisë mbështetjen teknike për shtetin ligjor”.
Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe Ian Borg i Presidencës malteze. “Duhen më shumë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua gjithashtu të theksoj, se përpjekje të mëtejshme janë thelbësore për një administratë publike të depolitizuar, profesioniste dhe eficente. Më lejoni që të nënvizoj edhe nevojën për masa eficente legjislative për forcimin e të drejtave të njeriut, politikat antidiskriminuese dhe trajtimin e barabartë të minoriteteve”.
Nga ana e tij, Johannes Hahn, komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit tha se, “prioriteti më i rëndësishëm për Shqipërinë momentalisht mbetet zbatimi i reformës në drejtësi dhe fillimi i shpejtë i procesit të rivlerësimit  të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bëhet fjalë për krijimin e një gjurme provash të qëndrueshme. Procesi i Vettingut ka filluar dhe Komisioni Europian po e monitoron përmes operacionit të monitorimit që ka filluar javën e shkuar”. Nga ana e saj përfaqësuesi i Presidencës malteze, Ian Borg tha se, “Dialogu midis qeverisë dhe opozitës do të jetë jetik për suksesin e reformave kyçe në vend dhe i një rëndësie të veçantë edhe për finalizimin e reformës elektorale”.
Disa eurodeputetë grekë kanë kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në Shqipëri dhe kanë dënuar pretendimet territoriale të shfaqura së fundmi nga Shqipëria. Shqetësimi i Greqisë është përkthyer në deklaratën e sekretarit të shtetit maltez, Ian Borg, në emër të presidencës malteze. “Aksione dhe deklarata që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë kundraproduktive dhe duhet të evitohen”, është shprehur Ian Borg.

Shitblerja e votës e pakonceptueshme për BE. Pa zgjedhje të lira, nuk ka hapje negociatash

Për Parlamentin Europian nuk mund të ketë hapje të negociatave pa zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që shitblerja e votës konsiderohet e pakonceptueshme për Bashkimin Europian. Gjatë diskutimeve, eurodeputetja Monica Macovei vuri theksin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme si rruga e vetme që do t’i hapë Shqipërisë negociatat me BE.
“Shpresoj që nuk do të ketë një hendek midis qeverisë dhe opozitës sepse kjo mund të verë në rrezik kapacitetin për zbatimin e reformave. Por ajo që dallon midis dy institucioneve është qëndrimi mbi zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Për Parlamentin Europian, nuk mund të ketë hapje të negociatave pa zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare”, është shprehur Macovei.
Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë u shpreh se, “Shitblerja e votës është e pakonceptueshme për Bashkimin Europian.
Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare janë në sintoni të plotë në kërkimin e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, depolitizimit të administratës publike dhe forcimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Komisioni Europian ka premtuar se do të angazhohet më shumë për forcimin e shtetit ligjor, ndërkohë që një deklaratë fshikulluese ka ardhur nga grupimi i ekstremit të djathtë në Parlamentin Europian për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend”.
Fleckeinstein ka theksuar gjithashtu se kredibiliteti i të gjithë procesit të drejtësisë do të varet nga zbatimi i saj dhe nga procesi i Vetting-ut. “Pa Vetting nuk mund të ketë një reformë serioze të gjyqësorit”.
Në të njëjtën linjë, edhe eurodeputeti Eduard Kukan tha se, “Zgjedhjet do të jenë një test i rëndësishëm për funksionimin e sistemit demokratik dhe pjekurinë e kulturës demokratike. Zgjedhjet do të jenë një oportunitet për partitë politike për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe një shans për një kulturë të re demokratike përmes evitimit të emërimit të personave me të shkuar kriminale në postet publike”.
Të gjitha partitë politike dhe shoqëria civile duhen të garantojnë që zgjedhjet  të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare, tha Ilhan Kyuchyk, raportues në hije për Shqipërinë.
Johannes Hahn, komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit tha se: “Shqipëria duhet të zbatojë urgjentisht reformën zgjedhore. Në këtë kontekst kërkohet konsensusi ndërpartiak për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke përfshirë kryesisht transparencën për financimin e partive, si dhe profesionalizmit dhe pavarësinë e administratës zgjedhore”.

Policia nuk identifikon se kush fshihet pas trafikut të drogës

Parlamenti Europian kërkon që hapja e negociatave të bëhet sapo të shihet përparim i besueshëm dhe i qëndrueshëm në zbatimin e reformës të drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raporti përmend qartësisht se, “policët dhe prokurorët kanë dështuar të identifikojnë rrjetin kriminal që qëndron pas kultivimit të drogës”. Shqetësime janë shprehur edhe për “rritjen e numrit të të burgosurve dhe keqtrajtimin e të dyshuarve në rajonet e policisë”. Në mënyrë të drejtpërdrejtë raporti trajton korrupsionin në nivelet e larta të qeverisë: Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i shqetësuar se korrupsioni mbetet ende i lartë dhe mbizotërues në shumë fusha… duke shkatërruar besimin e qytetarëve në institucionet publike; institucionet kryesore antikorrupsion vazhdojnë të jenë subjekt i ndërhyrjes politike dhe kanë aftësi të kufizuara administrative; bashkëpunimin ndërinstitucional është i dobët dhe shkëmbimi i informacionit vazhdon të pengojë hetimin dhe dënimin efektiv të korrupsionit.

Keqardhje për censurën mediatike

Raporti kërkon që Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore të “përfundojë shpejt” reformën zgjedhore e të zbatojë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Raporti kërkon zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. Në lidhje me lirinë e medias, PE “ndjen keqardhje” për gjendjen aktuale të ndikimit politik dhe censurën: PE ndjen keqardhje për përparimin e kufizuar të bërë në fushën e lirisë së medias gjatë vitit të kaluar; PE është e shqetësuar për ndikimin politik në media dhe vetëcensurimin e përhapur mes gazetarëve.

Jo ndërtimit të HEC-eve në Vjosë

PE thekson nevojën për “të përmirësuar vlerësimin e ndikimit në mjedis, garantimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe dëgjesat me shoqërinë civile për projekte me rëndësi”. PE shprehet kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë dhe deklaron se, “vlerësimi i ndikimit në mjedis i hidrocentraleve nuk është bërë në mënyrën e duhur që të sigurojë përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve të rëndësishme mjedisore të BE-së”.

Njohja e minoritetit bullgar

Një koment më pak i pritur është rekomandimi për të njohur ligjërisht “të drejtat e qytetarëve me etni bullgare në Prespë, Golo Brdo dhe rajonin e Gorës”. I kontaktuar nga “Exit.al”, Blagov Klimov nga zyra e deputetit bullgar Andrey Kovatcehv u përgjigj se: Ne normalisht kemi prirjen të shmangim çështjet bilaterale në progres raport, por kjo është e një rëndësie parësore. Minoriteti bullgar në Prespë, Golo Brdo dhe Gora është e vetmja pakicë historike e panjohur në Shqipëri. Kjo është një nga komunitetet në rrezik në Shqipëri, që prej zhdukjes së 50 mijë qytetarëve në tre zonat e largëta, që i përkasin dy besimeve fetare të ndryshme — myslimanë dhe ortodoks- dhe është e vetmja pakicë historike, e cila nuk është njohur zyrtarisht edhe me statusin etnogjuhësor.

Arben Shahini