Gabigol, i lumtur tek Interi

Gabriel Barbosa i kënaqet fitores kundër Empolit. Sulmuesi i skuadrës së Interit i njohur ndryshe si Gabigol, ka deklaruar se aktivizimi i tij në takimin e ditës së dielë kundër Empolit e ka kënaquar atë, gjithashtu dhe fitorja pasi e ndihmon shumë skuadrën për të vazhduar më tej në arritjen e objektivave sezonal, siç është kualifikimi për në Champions League. Braziliani shprehet se çdo ditë ai stërvitet shumë në mënyrë që të arrijë formën e tij më të mirë fizike.
“Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe jam i kënaqur për tre pikët që arritëm të merrnim. Personalisht stërvitem shumë çdo ditë dhe që tani jam duke menduar për takimin e ardhshëm. Nëse vazhdojmë kështu deri në fund të kampionatit, jam i bindur se skuadra do të arrijë të sigurojë një biletë për në Champions League”, u shpreh Gabigol.
Me tej, gjatë intervistës sulmuesi foli dhe për kalimin në radhët e ziklatërve, formën e tij fizike si dhe për shanset që ka ai për të pasur më shumë minuta në dispozicion. “E ndjej veten më të fortë fizikisht edhe më të shpejtë. Stërvitem shumë në mënyrë që të bind trajnerin në lidhje me aftësitë e mia. Të gjithë shokët e skuadrës më mbeshtesin dhe për këtë i falenderoj. Përsa i përket aktivizimit tim, kjo është një gjë që i takon trajnerit, gjithashtu dua të falenderoj dhe tifozët për suportin”, tha ai.
E thërrasin Gabigol, por ende nuk e ka shënuar golin e parë me Interin, megjithatë braziliani duket se e merr me filozofi diçka të tillë, pasi u shpreh se goli i parë do të vijë kur të dojë  Zoti, ndërsa detyra e tij është të punojë sa më shumë për të ndihmuar skuadrën.