Benfika thyen Dortmundin

E fiton Benfika raundin e parë të përballjes me Borusian e Dortmundit. Skuadra portugeze triumfoi 1-0 në shtëpi në takimin e vajtjes për 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Pas një pjese të parë më të mirë për gjermanët, por të mbyllur pa gola, vendasit gjetën rrugën e rrjetës me sulmuesin grek Kostas Mitroglu katër minuta pas pushimit.
Miqtë nga Gjermania patën rastin ideal për të barazuar me Aubamejangun, mirëpo portieri Ederson e ndali sulmuesin gabonez nga pika e penalltisë. Ky rezultat, edhe pse i rëndësishëm për formacionin nga Lisbona, i lë plotësisht të hapura llogaritë e kualifikimit për ndeshjen e kthimit pas tri javësh në “Sinjal Iduna Park”.
Sulmuesi i Borussia Dortmund, Andre Schurrle, tha se nuk ishte nata e tyre, të cilët pësuan humbje 1:0 nga Benfica. Ai thotë se kanë edhe një ndeshje për t’i kthyer gjërat në favorin e tyre.
“Kishim raste të mira shënimi, por nuk i finalizuam. Këto ndodhin. Kemi ende gjasa, kemi ndeshjen për të zhvilluar në shtëpi”, deklaroi Andre Schurrle. Ndeshja kthyese zhvillohet më 8 mars dhe Dortmund duhet të fitojë me dy gola diferencë.
Kampionati portugez është shndërruar në një oaz ideal për shumë klube të Europës në kërkim të lojtarëve cilësorë. Për shembull, Benfika ka fituar më shumë se 300 milionë euro në gjashtë sezonet e fundit nga shitja e futbollistëve në ekipe të ndryshme të kontinentit.
Thuajse në çdo ndeshje të rëndësishme të ekipit nga Lisbona, stadiumi “Da Luz” pushtohet nga zbulues talentesh në gjueti të yllit të ardhshëm. Nga ky rregull nuk mund të bënte përjashtim as dueli i djeshëm ndaj Borusias së Dortmundit.
Janë plot 23 klube që kanë rezervuar akreditim për përfaqësuesit e tyre në këtë përballje. Nga Bajerni te Çelsi, nga Atletiko te Mançesterët.