PE: Policia dështoi në luftën ndaj drogës dhe krimit

Parlamenti Evropian e cilëson si të dështuar luftën e policisë dhe organeve të drejtësisë në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe krimin. Pasditen e djeshme, PE ka diskutuar në seancë plenare projektrezolutën për Shqipërinë, të paraqitur nga Knut Fleckenstein. Eurodeputetët kanë diskutuar rreth 45 pikave në përmbajtjen e projektrezolutës, ku më thelbësoret që kushtëzojnë propozimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit mbeten zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 18 qershor. Në Reformën në Drejtësi, kryefjalë mbetet realizimi i shpejtë i “vettingu”-t duke rivlerësuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë shqiptarë. Nga institucionet europiane kërkohet zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit, duke përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të inkriminuarit, kërkohet transparenca dhe auditi për financimin e partive politike. Për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike më 18 qershor, sipas PE-së kanë përgjegjësi të gjitha partitë politike. Në referencë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare inkurajohen autoritetet shqiptare të marrin masa për të lehtësuar votimin e emigrantëve, aty ku jetojnë jashtë atdheut. Institucionet evropiane vënë në dukje se organet e policisë dhe të Prokurorisë kanë dështuar që të identifikojnë grupet kriminale që qëndrojnë pas parcelave të drogës. Shqipëria do të duhet të presë deri në pranverën e vitit 2018, kur të publikohet raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian.
Komisioni Europian paralajmëroi se afrimi i zgjedhjeve dhe largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar nga Shqipëria kërcënojnë qëndrueshmërinë financiare të vendit, por edhe rritjen ekonominë. “Parashikimet fiskale shoqërohen me dy rreziqe domethënëse. I pari është, që qeveria të lehtësojë politikën fiskale për shkak të zgjedhjeve, ndërsa rreziku i dytë lidhet me përfundimin e marrëveshjes me FMN-në”, deklaroi Komisioni në Parashikimin Ekonomik të dimrit. Marrëveshja trevjeçare me FMN përfundon gjatë këtij muaji dhe qeveria refuzoi të lidhë një marrëveshje të re, të paktën deri përpara zgjedhjeve. Sipas Komisionit Europian, marrëveshja me FMN ka qenë një ankorë e rëndësishme për financat publike të vendit, ndaj largimi i Fondit mund të kontribuojë në shthurjen e disiplinës fiskale. Por veç rrisqeve për financat publike, largimi i FMN dhe zgjedhjet mund të kërcënojnë edhe rritjen ekonomike. “Pasiguria e rritur për shkak të zgjedhjeve parlamentare mund të frenojnë konsumin dhe investimet”, deklaroi Komisioni. Por veç këtyre dy faktorëve të rinj, një tjetër risk i madh për ekonominë mbetet kriza e kredisë. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se bankat private thuajse kanë ndalur plotësisht kredinë për bizneset, veçanërisht korporatat e mëdha, që janë dhe kredimarrësit më të mëdhenj. “Rimëkëmbja e kredisë mund të vonojë më shumë për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija. Vetë qeveria e ka pranuar se kredia është rreziku kryesor për ekonominë, pasi nëse bankat nuk do të kreditojnë bizneset, kjo do të frenojë investimet e reja. Kjo situatë, sipas Komisionit Europian, komplikohet më tej edhe nga niveli i lartë i borxhit, i cili nuk lejon ndërhyrje në raste krizash. “Niveli i lartë i borxhit publik nuk lë hapësirë për masa në rast nevoje duke e lënë Shqipërinë të ekspozuar përballë rreziqeve”, përfundon raporti i Komisionit Europian.