Trump dhe Kanadaja për punësimin

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Bisedimet pritet të përfshijnë mes të tjerash, fillimin e një nisme të përbashkët për mbështetjen e grave sipërmarrëse dhe udhëheqëse të bizneseve.
Trump dhe Trudeau do të mbajnë një seri takimesh, përfshirë atë që Shtëpia e Bardhë e quan një tryezë të rrumbullakët “lidhur me avancimin e grave sipërmarrëse dhe udhëheqëse të biznesit”.
Gjatë vizitës njëditore të zotit Trudeau, po ashtu përfshihen bisedime me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe me kryetarin e shumicës në Senat, Mitch McConnell.
Në axhendën e diskutimeve, mund të jenë edhe çështje ekonomike, sidomos të tregtisë, të cilat nuk janë bërë të njohura për publikun.
Presidenti Trump e ka bërë të qartë, se ai do ta rinegociojë ose prishë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Amerikës Veriore, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Meksikën. Ai kërkon që Shtetet e Bashkuara të përfitojnë nga marrëveshjet e tregtisë, ndërsa zoti Trudeau njihet si mbështetës i tregtisë së lirë.
Kanadaja varet së tepërmi tek tregjet amerikane, që zënë 75 për qind të eksporteve të saj.
Trump dhe Trudeau, po ashtu kanë pikëpamje shumë të ndryshme për çështjen e imigracionit.
Udhëheqësi amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv për pezullimin e programit për refugjatët për 120 ditë dhe për një periudhë të pacaktuar për refugjatët sirianë. Urdhri Ekzekutiv i Presidentit, po ashtu ndalonte për 90 ditë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të imigrantëve dhe shtetasve të tjerë nga Iraku, Irani, Siria, Yemeni, Libia, Somalia dhe Sudani.
Presidenti Trump thotë se këto masa janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit. Një gjykatë federale urdhëroi që këto masa të mos hyjnë në fuqi, ngaqë janë kundërshtuar nga disa shtete; një Gjykatë Apeli e la në fuqi bllokimin e vendimit të presidentit. Çështja pritet të përfundojë në Gjyktatën e Lartë.
Qeveria e zotit Trudeau reagoi ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump, duke u ofruar personave që normalisht do të lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, që të kenë mundësinë të aplikojnë për status qëndrimi të përkohshëm në Kanada.
Një ditë pasi Presidenti Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv, zoti Trudeau shkroi në Twitter: “Njerëzve që largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar persekutimit, terrorit dhe luftërave, u themi se kanadezët i mirëpresin, pavarësisht nga besimi juaj. Diversiteti është fuqia jonë. Jeni të mirëpritur në Kanada”.