Sadiku e Ajeti shënojnë gola

Fundjavë pozitive për futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet europiane. Armando Sadiku dhe Arlind Ajeti ishin dy protagonistët e mëdhenj, pasi arritën të gjenin rrugën e rrjetës, por paraqitje të mira bënë edhe Ledian Memushaj, Mërgim Mavraj dhe Etrit Berisha.
Mbrëmjen e të shtunës, Armando Sadiku realizoi golin e tij të parë në Superligën zvicerane me fanellën e Luganos. Sulmuesi i kombëtares kuqezi ishte përcaktues në duelin e fituar me shifrat 3-0 nga skuadra e Paulo Trammezzanit ndaj Grasshoppers, duke realizuar golin e tretë të ndeshjes. Në Zvicër spikati edhe Taulant Xhaka, i cili ishte një nga më të mirët në fushë në fitoren 0-2 të Baselit ndaj Thun. Në Itali Arlind Ajeti fitoi derbin shqiptar ndaj Ledian Memushajt, teksa bëri gjithçka në sfidën mes Torinos dhe Pescarës që u fitua me rezultatin 5-3 nga skuadra Granata. Mbrojtësi shqiptar realizoi fillimisht golin e 2-0, ndërsa në pjesën e dytë ishte i pafat duke shkaktuar një autogol. Kjo ishte ndeshja e dytë si titullar për Ajetin, i cili u vlerësua me notën 6 nga mediat italiane.
Paraqitje pozitive në këtë sfidë edhe ajo e Ledian Memushajt që iu afrua golit në më shumë se një rast. Me notën 6 u vlerësua edhe Etrit Berisha në suksesin që Atalanta arriti me shifrat 3-1 në fushën e Palermos. Portieri shqiptar ishte i sigurtë në ndërhyrjet e tij gjatë gjithë 90-minutëshit me përjashtim të rastit kur Palermo shënoi golin që rihapi sfidën me Berishën që edhe mund ta kishte evituar. Elseid Hysaj ndërkohë ishte i skualifikuar dhe nuk ishte pjesë e ndeshjes Napoli-Genoa.
Në Serinë B, Berat Gjimshiti u shfaq si një lider i vërtetë në prapavijën e Avellinos. Kuqeziu, i cili u ndëshkua edhe me një karton të verdhë tregoi një nivel shumë të lartë loje duke ndihmuar skuadrën e tij të arrinte një fitore të madhe me shifrat 2-0 ndaj Veronës. Në barazimin 1-1 mes Brescias dhe Pisas u aktivizuan 4 lojtarë shqiptarë. Emanuel Ndoj në radhët e skuadrës vendase, si dhe Manaj, Ujkani e Cani te Pisa, të cilët bënë një ndeshje për t’u vlerësuar.
Në Gjermani Mërgim Mavraj regjistroi fitoren e tretë radhazi me Hamburgun, me skuadrën e trajnerit Markus Gisdol që nuk pësoi gol për të tretin takim radhazi. Hamburgu falë edhe klasit të Mavrajt në mbrojtje fitoi 3-0 në transfertë ndaj skuadrës që pozicionohet e dyta në renditje pikërisht Leipzigut. Asnjë minutë ndërkohë për Amir Abrashin që qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol, në sfidën që Freiburgu fitoi 2-1 ndaj Koln-it.
Sokol Cikalleshi u aktivizua në 30 minutat e fundit të ndeshjes në fitoren 1-0 që regjistroi Akhisar-i në Superligën turke ndaj Rizesporit, madje sulmuesi shqiptar pati një mundësi të mirë për ta çuar rezultatin në 2-0.
E diela ishte dita e vëllezërve Ajeti sepse një tjetër Ajeti shënoi në Zvicër. Albian Ajeti sulmuesi i talentuar realizoi golin e fitores 2-1 për St Gallen-in në ndeshjen ndaj Lausannes. Në Superligën zvicerane gjeti rrugën e golit edhe ish-lojtari i përfaqësues Shpresa të Shqipërisë, Albion Avdijaj që shënoi golin e barazimit provizor 2-2 në humbjen që pësoi Vaduzi me shifrat 4-2 ndaj Sionit.