Rama në krah të njeriut të diktatorit, Alizoti: Kështu bien qeveritë

Kreu i Departamentit për ish të përndjekurit politik në Partinë Demokratike, Tomor Alizoti ka reaguar ashpër dje pas deklaratave të Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili mbronte disa figura famkeqe të regjimit komunist. “E keqja e ka të pamundur të mos e shfaqë veten publikisht dhe në mënyrë brutale. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, një funksionar mjaft i lartë i qeverisë së kryeministrit Rama del publikisht në krah të një prej figurave më përfaqësuese të krimit komunist dhe regjimit totalitar të djeshëm: ish-ministrit famëzi, enveristit të paepshëm Kiço Mustaqi. Kryeministri Rama e ka rikthyer atë që ishte regjimi kriminal më stalinist në botë, njerëzit e atij regjimi dhe simbolikën e Partisë së Punës në jo vetëm një provokim të përhershëm për ata që vuajtën dhe për ata që u përndoqën, por edhe në një dëshmi të sadizmit politik ku me akte të tilla fitohet kënaqësi dhe dëshmohet lidhja e pandërprerë me pushtetin dhe krimet e djeshme. Kjo nuk mund të përkufizohet apo përshkruhet në mënyrë tjetër vetëm si kriminalizim i ri i një grupimi politik që krimin e djeshëm e sheh si burim legjitimiteti. Edhe mënyra se si qeveris sot, si e shndërroi vendin në një plantacion hashashi, sesi detyroi të vetëvriten burgjeve njerëz të varfër të dënuar për mospagim dritash, sesi riktheu në polici ish-njerëz të Sigurimit të Shtetit etj., tregon gjithë këtë aberracion që duhet shkulur nga njerëzit. Rrugë tjetër nuk ka, kështu- nga njerëzit- kanë rënë qeverisje të tilla kudo” tha Alizoti.