PD, kallëzim penal për avokaten e aferës CEZ

Në panik nga hetimi për përfshirjen e saj në aferën e 600 milionë eurove të CEZ, Avokatja e Shtetit, Alma Hicka pak minuta përpara nisjes së Komisionit hetimor për aferën CEZ ka kërkuar arrestimin e Edmond Spahos, kryetarit të Komisionit të PD për hetimin e CEZ. Hicka i ka drejtuar këtë kërkesë drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, pasi ajo pretendon se insistimi i Spahos që ajo të shoqërohej me forcë për të dëshmuar përpara komisionit hetimor, nuk ka bazë ligjore dhe se sipas saj është bërë për qëllime kriminale.
Në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor për skandalin e CEZ të kërkuar nga Partia Demokratike, deputetët e mazhorancës që në nisje të mbledhjes tentuan të bllokonin punimet e këtij komisioni. Sapo filloi mbledhja, kryetari i komisionit Edmond Spaho sqaroi se çfarë ndodhi seancën e kaluar, kur nisi dhe konflikti me Avokaten e Shtetit, e cila është dëshmitare në këtë proces. Spaho tha se mbledhjen e parë Avokatja e Shtetit Alma Hiçka u largua nga komisioni në mënyrë demonstrative dhe mbledhja u ndërpre duke u shtyrë për ditën e djeshme. Por, nënkryetari i këtij komisioni Eduard Shalsi vazhdoi mbledhjen e kaluar pa autorizim nga kryetari Spaho.
Në këto kushte, Spaho bëri kërkesë që nëse Avokatja e Shtetit nuk paraqitej, të merrej me forcë nga policia.

Kallëzimi penal

Partia Demokratike përmes një deklarate për shtyp bëri të ditur se sot do të kallëzojë penalisht Hickën. PD e cilësoi si frikë reagimin skandaloz të Hickës përmes shkresës së saj, ndërsa tha se ky qëndrim dëshmon për implikimet e saj në aferën e CEZ.
“Partia Demokratike do të depozitojë nesër në Prokurori kallëzim penal për avokaten e aferës Rama-Gjiknuri-CEZ. Avokatja e Shtetit, një zyrë e rëndësishme që varet drejtpërdrejt nga Edi Rama, ka nxjerrë sot në mesditë një shkresë ku i kërkon Policisë së Tiranës të arrestojë në flagrancë z. Spaho, sepse ky i fundit e ka thirrur të dëshmojë në Komisionin hetimor parlamentar për çështjen CEZ. Kjo lajthitje ka vetëm një shpjegim. Avokaten e Shtetit dhe shefin e saj i ka zënë tmerri. Frika nga hetimi i kësaj çështjeje, përfshirja e saj direkt në këtë aferë, ka bërë që avokatja e Edi Ramës të kryejë veprime të dëshpëruara, si ky i sotmi. Hicka ka treguar vazhdimisht se është avokate e aferës, e vjedhjes së shekullit që u është bërë shqiptarëve, me 600 milionë euro dhe nuk ka treguar asnjë ditë që është avokate e shtetit”.
Në reagimin e saj, PD thekson se Hicka në mënyrë flagrante jo vetëm që ndikoi në vjedhjen me CEZ, por ndikoi gjithashtu edhe në dhënien e përfitimeve bashkëshortit të saj.
“Avokatja e aferës është kapur po ashtu në konflikt interesi, pasi në mënyrë të turpshme kishte ndarë rolet me bashkëshortin e saj avokat jo vetëm në çështjen CEZ, por dhe në shumë të tjera duke sjellë përfitime për burrin dhe dëme për shtetin. Letra e saj sot dërguar policisë është shprehje e rënies së çdo standardi, prova e arrogancës, e qëndrimit mbi ligjin dhe delirit të qeverisë. Por edhe provë klinike e tmerrit të Edi Ramës nga zbardhja e vjedhjes së shekullit. Kot e kanë, kjo nuk ka për t’i shërbyer avokates së aferës dhe as atyre që ajo mbron, si Rama e Gjiknuri, që të shpëtojnë nga hetimi e nga drejtësia për vjedhjen më të rëndë të bërë në kurriz të shqiptarëve. Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal ndaj avokates së aferës për këtë akt të rëndë që ka kryer sot. Ora e llogaridhënies po vjen. Më #18shkurt nis një rrugë e re, nis rrëzimi i arrogancës e delirantëve të qeverisë dhe kthimi i pushtetit tek qytetarët”.

Përfshirja e Hickës në vjedhjen e 600 milion eurove

Alma Hicka dhe Damian Gjiknuri kanë këmbëngulur fort që Shqipëria të dalë e humbur në lidhje me firmosjen e marrëveshjes ku pala shqiptare hiqte dorë nga e drejta për të kërkuar dëmshpërblimin nga kompania CEZ. Në raportin e hartuar për këtë çështje nga zyra e avokatisë “Derain&Ghavari” me qendër në Londër, jep dhe qëndrimet e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, si dhe lojërat manipulative që janë bërë me këtë çështje. Sipas të njëjtit raport, ministri Damian Gjiknuri ka ndërhyrë pranë nënkryetarit të Sekretariatit për Energjinë në Vjenë, Dirk Buschle që të jepte një vlerësim ku të lavdërohej marrëveshja, me qëllim manipulimin e opinionit publik. Për sa i përket Alma Hickës, Avokates së Shtetit, zyra në fjalë shprehet se ka qëndruar e paiinteresuar për këtë çështje për shkak të lidhjeve që bashkëshorti i saj Envi Hicka kishte me kompaninë CEZ. Sipas avokatit, kjo ishte një anomali që privoi qeverinë shqiptare prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve. “Njëlloj surprizuese gjatë gjithë këtij procesi ishte sjellja e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, znj. Alma Hicka.
Avokatura e Shtetit është një entitet i pavarur që përgjithësisht është aktiv në përfaqësimin e shtetit në arbitrazhet ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë çështje Zyra e Përgjithshme e Avokaturës së Shtetit, edhe pse e përfshirë, qëndroi në tërësi pasive gjatë gjithë procesit. Nuk kërkoi që ne të përgatisnim një opinion ligjor në lidhje me mosmarrëveshjen me CEZ, ose nuk kërkoi që në të përfshiheshim në negociatat e zgjidhjes me pajtim ose në procesin e vendimmarrjes. Pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një zgjedhje e vullnetshme etike duke qenë se bashkëshorti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, ishte ose është ortak në një firmë ligjore shqiptare, e cila përfaqësonte CEZ Shpërndarje sh.a., kur kontrollohej prej CEZ, kjo ishte një tjetër anomali, e cila e privoi qeverinë prej mekanizmit të kontrollit të pushteteve, e nevojshme gjatë një procesi të tillë”, shkruan në raportin e saj Zyra e Avokatisë.

A.Shahini