Ish-të përndjekurit thirrje për protestë më 18 shkurt

Ish-të përndjekur dhe shoqatat që drejtojnë i kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrjen në protestën e 18 shkurtit të organizuar nga opozita shqiptare. Ish-të përndjekurit shprehen se qeveria nuk po mban premtimet dhe po i nëpërkëmb.
Uran Kostreci: Ndoshta askush më tepër se ne e ndjen përgjegjësinë edhe nevojën shpirtërore që në 18 shkurt të tregojmë e demonstrojmë protestën tonë ndaj kësaj qeverie që po nëpërkëmb këtë popull në këto katër vite. Të nderuar zonja e zotërinj.
Kjo qeveri për fat të keq nuk ka mbajtur asnjë nga fjalët që ajo tha para se të vinte në pushtet. Edhe për më tepër, në 18 shkurt më tepër se ata që vuajtën nëpër burgje e që nuk po përmenden më, duhet të vijnë edhe ata që patën iluzionin e gabuar që votuan këtë qeveri. U gënjyen jo vetëm ata, por i gjithë populli. Sikur kjo qeveri që është e majtë do te kishte bërë punë për Shqipërinë, ndoshta do ta kishim mbështetur edhe neve, që skemi qenë kurrë të majtë, se e duam Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Për fat të keq, kjo qeveri jo vetëm nuk realizoi premtimet, por bëri krejt të kundërtën e atyre që tha dhe për këtë arsye është e nevojshme, që të gjithë shqiptarët të dalin në protestë e t’i thonë ndal nëpërkëmbjes që po i bën këtij populli.
Besim Ndregjoni: Të gjithë shoqatat e të burgosurve politikë dalin sot përpara publikut me një thirrje dhe një mesazh për protestën e 18 shkurtit që do të organizojë opozita shqiptare. Ne e mbështesim këtë protestë për tri çështje themelore, e para, për votën e lirë, e dyta, për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe e treta, për korrupsionin masiv që ka kjo qeveri përgjatë katër viteve në pushtet. I sigurojmë të gjithë shqiptarët, të gjithë të persekutuarit politikë se, protesta jonë është për të gjithë të drejtat njerëzore, është një luftë kundër korrupsionit, është në vazhdën e protestave të vendeve demokratike, si po ndodh në Rumani. U bëjmë thirrje të gjithë  familjarëve të të pushkatuarve që nuk kanë gjetur akoma eshtrat të gjithë të burgosurve politikë që akoma nuk u është larguar dhembja, të gjithë të internuarve politikë shqiptarë që akoma jetojnë në internim me këtë qeverisje, mos hezitoni në 18 shkurt në luftë për mbrojtjen e demokracisë, për të mbrojtur votën e lirë dhe të drejtat tona.
Zenel Dangu: Shoqata Politike e Shkodrës mbështet fuqimisht protestën e organizuar nga PD dhe e djathta shqiptare. Për të gjithë këtë fukarrallëk, papunësinë që ka kaluar të gjithë Shqipërinë veçanërisht Shkodrën, ne e mbështesim fuqishëm këtë protestë.