Gjyqtari me 1.7 milionë euro që firmosi lirimin e bandës

Alaudin Malaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit zotëron një pasuri prej 1.7 mln euro. Ai është paditur në shtator të 2015 nga ILDKPKI se, ka krijuar një skemë kompanish në emër të familjarëve të tij, për të mbuluar burimin e paqartë të pasurimit të tij të shpejtë
Në kallëzimin për gjyqtarin Alaudin Malaj, ILDKP dyshon se kompanitë në emër të familjarëve janë përdorur për të shtuar fiktivisht të ardhurat e tij për krijim asetesh, përmes transferimit të kuotave apo bashkimit të llogarive personale me ato të kompanisë
Relacioni i lexuar nga Malaj që shpallte pafajësinë e bandës u cilësua si një vendim i shkruar nga vetë kryeministri Rama
Në cilësinë e relatorit të çështjes, kryetari i trupës gjykuese Alaudin Malaj ka hapur dje dyert e qelisë për të liruar një nga bandat më famëkeqe në historinë e krimit të organizuar në Shqipëri, bandës Hakmarrja për Drejtësi. Relacioni i lexuar nga Malaj që shpallte pafajësinë e bandës u cilësua si një vendim i shkruar nga vetë kryeministri Rama. Po kush është Alaudin Malaj? Ai njihet si një nga gjyqtarët më të pasur në vend, duke zotëruar një pasuri mbi 1.7 milionë euro. Ai është paditur në shtator të 2015 nga ILDKPKI se, ka krijuar një skemë kompanish në emër të familjarëve të tij, për të mbuluar burimin e paqartë të pasurimit të tij të shpejtë. Në vitin 2003 Malaj kishte 60 mijë euro pasuri. 11 vjet më vonë, familja e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit llogaritet të ketë 1.7 milionë euro pasuri, e shpërndarë në pasuri të patundshme dhe kompani biznesi. Sipas një artikulli të “BIRN”, duke u bazuar tek deklaratat e tij të pasurisë, ILDKP ka arritur në përfundimin se gjyqtari dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar vit pas viti para dhe aksione biznesi nga prindërit, deklarata që konsiderohen të rreme nga kallëzuesi. Hetimi administrativ ka zbuluar se, Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij, Edlira, kanë përfituar 46 milionë lekë (368 mijë USD) dhe dy apartamente nga prindërit e gjyqtarit. Ndërkohë, bashkëshortja e gjyqtarit rezulton të ketë qenë aksionere ose administratore në dy kompani ndërtimi të themeluara nga prindërit e tij dhe sot zotëron një kompani farmaceutike në Kosovë. ILDKP pretendon se përgjatë 11 viteve, Malaj ka bërë 24 deklarime të rreme për të mbuluar burimin e paqartë të pasurisë së tij. Kallëzimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka regjistruar edhe një procedim penal për këtë çështje. Alaudin Malaj akuzoi Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive se ka publikuar pasurinë në kundërshtim me ligjin. “Kam të ardhurat e pagës dhe bordeve, bashkëshortja ka biznesin e noterisë dhe prindërit kanë bizneset e tyre. Njerëzit afër politikës janë mësuar që pa punë të bëjnë miliona, ndaj u bien më qafë gjyqtarëve”, ka deklaruar Malaj. Sipas deklaratës së pasurisë, Malaj zotëronte një apartament 106 m2 në Tiranë para vitit 2003, të blerë për 7.8 milionë lekë me paratë e një shtëpie të shitur në Vlorë, me kursimet e tij dhe të bashkëshortes, si dhe një hua prej 2 850 000 lekësh nga prindërit. ILDKP pretendon në kallëzimin e vet se, Malaj ka bërë deklarim të rremë që ka marrë borxh nga prindërit, pasi kjo shumë nuk shfaqet në asnjë prej deklarimeve të tij të mëpasme. Sipas kallëzimit të ILDKP, Malaj ka blerë gjashtë apartamente në Tiranë dhe Durrës përgjatë viteve 2003-2014, ndërsa babai i tij i ka dhuruar bashkëshortes Edlira Malaj dy apartamente të tjera. Në deklaratën e vitit 2010, Malaj ka deklaruar se kishte blerë një shtëpi 1-katëshe në një kompleks turistik në Golem për 35 mijë USD, banesë në proces legalizimi. Katër vite më vonë, gjyqtari ka deklaruar se e ka shitur këtë shtëpi për 150 mijë euro. ILDKP pretendon gjithashtu se ka zbuluar një skemë të dyshimtë transfertash edhe me apartamentet që babai i gjyqtarit i ka dhuruar bashkëshortes së tij. Njëri prej tyre është blerë nga Hasan Malaj për 61 mijë euro në vitin 2006 dhe i është dhuruar Edlira Malajt në vitin 2012. Në vitin 2014, ajo ia shet vëllait për 120 mijë euro apartamentin që i kishte falur vjehrri. Sipas ILDKP, as babai i gjyqtarit dhe as vëllai i bashkëshortes nuk kishin të ardhura që të justifikonin blerjet. “Këto transaksione, fillimisht blerje dhe më pas dhurim dhe shitje brenda familjes janë veprime tipike të pastrimit të produkteve penale”, thuhet në kallëzimin e ILDKP. Gjyqtari Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij duket se i kanë dhënë fund investimit në pasuri të paluajtshme në vitin 2010, kur deklarojnë se blenë shtëpinë ku banojnë edhe sot në rrugën “Sami Frashëri” pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Shtëpia- një dubleks i shtrirë në më shumë se 300 metra katrorë, sipas deklaratës së pasurisë së Malajt dhe bashkëshortes së tij është blerë për 21 milionë e 500 mijë lekë, me një çmim prej 442 eurosh për metër katrorë. ILDKP pretendon në kallëzimin e saj se, ky është një tjetër deklarim i rremë dhe për të vërtetuar këtë akuzë ka kryer verifikime pranë kompanisë së ndërtimit “TID” shpk. Në kallëzim thuhet se çmimi i blerjes në këtë pallat varion nga 800 euro deri në 2000 euro. Llogaritë e gjyqtarit nuk përkojnë me ato të ekspertëve të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, të cilët duke marrë për bazë çmimin minimal të vitit 2010 nxjerrin një vlerë prej 54 milionë lekësh të reja (386 160 euro) për apartamentin e Malajt. “Apartamenti i Malajt duhet të ketë kushtuar minimalisht mbi 34 milionë lekë dhe maksimalisht mbi 70 milionë lekë nga vlera e deklaruar”, thuhet në kallëzim. Rrethi i ngushtë familjar i gjyqtarit Alaudin Malaj zotëron katër kompani biznesi: “Algan” shpk-kompani ndërtimi e themeluar në vitin 1998, “Lili” shpk për tregtinë e ujit e vitit 2002, “Rigels” shpk-kompani ndërtimi e themeluar në të njëjtin vit dhe “Medbrand KS”-kompania më e re e themeluar në tetor të vitit 2014 në Prishtinë. Në kallëzimin për gjyqtarin Alaudin Malaj, ILDKP dyshon se kompanitë në emër të familjarëve janë përdorur për të shtuar fiktivisht të ardhurat e tij për krijim asetesh, përmes transferimit të kuotave apo bashkimit të llogarive personale me ato të kompanisë.

Vetëm Rama heshti për pafajësinë e “Hakmarrjes”

Do të mund të mjaftonte një arrestim i rëndomtë qytetari për mospagim të energjisë apo diçka e tillë që Rama do të reagonte menjëherë për të treguar se, “Po bëjmë shtet”. Por dje, kur gjithë opinioni publik u shokua nga lajmi i lirimit të anëtarëve të bandës së “Hakmarrjes për Drejtësi”, i vetmi që heshti mbi vendimin skandaloz ishte vetëm Rama, duke dëshmuar qartë se autori i vërtetë që fshihet pas këtij vendimi është vetë ai. Lirimi i Hakmarrjes për Drejtësi ndodh vetëm pak muaj para zgjedhjeve dhe qëllimi i vërtetë i lirimit të tyre nga Rama janë vjedhja e zgjedhjeve përmes terrorit ndaj qytetarëve duke kërcënuar lirinë e votës.