Fitojnë Roma e Inter

Roma rivendos diferencën prej katër pikësh me Juventusin, duke fituar pastër 0-2 në fushën e Crotones. Verdhekuqtë e dominuan takimin ndaj skuadrës së parafundit në renditjen e Serisë A, madje humbën edhe një 11-metërsh me Edin Dzekon në minutën e 17-të. Gjithsesi në minutën e 41-të, Nainggolan realizoi golin e parë të takimit me një goditje të zgjuar brenda zonës. Në minutën e 77-të, Dzeko e pati të lehtë ta çonte topin në rrjetë pas pasimit të Salah që e mbylli këtë takim me dy asiste dhe një 11-metërsh të fituar.
Me të njëjtin rezultat, 2-0 fitoi edhe Interi në “San Siro” ndaj Empolit, me gola të Eder dhe Candrevas. Sulmuesi i kombëtares italiane shënoi që në minutën e 14-të i gjendur në kohën dhe vendin e duhur. Eder pati meritë edhe në rastin e golit të dytë të shënuar nga Candreva me një asist perfekt me të jashtmen.