Eurodeputetja rumune: Kujdes me emërimet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion

Eurodeputetja rumune, Monica Macovei komentoi emërimet e pritshme në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, një strukturë që pritet të hetojë korrupsionin tek zyrtarët e lartë. Në një intervistë për “Top Channel”, shefja e Komitetit të përbashkët të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë e bëri të qartë se negociatat e anëtarësimit do të hapen vetëm kur të ndëshkohen me burg funksionarë apo ish-funksionarë të lartë.
“Ne kemi shumë ligje si vetting-u, ku problemi kryesor mbetet zbatimi praktik. Do të ndërtoni një zyrë të prokurorit antikorrupsion. Por themelore mbetet se kush do të punojë aty, sepse vetëm njerëzit e aftë mund të sjellin ndryshime”, thotë Macovei.
Rumania ka një eksperiencë të gjatë me zyrën që heton zyrtarët e lartë të korruptuar. Megjithëse e themeluar që në vitin 2003, struktura rumune ka bërë disa goditje të forta në vitet e fundit, në nivele të larta të administratës shtetërore. Kryetarë bashkish, deputetë, ish-ministra, madje edhe ish-kryeministri Adrian Nastase përfunduan në pranga për korrupsion. Për shkak të numrit të lartë të politikanëve të dënuar për korrupsion, qeveria përgatiti një amnisti për faljen e një pjese të tyre, duke provokuar protestat më të mëdha që pas përmbysjes së komunizmit në këtë shtet.