Ballina Sport Bërnli ndal Chelsin

Bërnli ndal Chelsin

Chelsi është ndalur në një barazim 1-1 në transfertë ditën e dielë përballë Bërnlit në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të Premier Ligës angleze. Blutë e Londrës kaluan në avantazh shumë shpejt me një gol të Pedros në minutën e 7, por Bradi në të 24-tën ktheu barazinë në rezultat me anë të një supergoli të realizuar nga goditja e dënimit. Shifrat nuk ndryshuan më deri në fund, edhe pse Chelsi e dominoi takimin dhe e kërkoi me ngulm golin e fitores.
Pas kësaj ndeshjeje, të besuarit e Antonio Kontes vazhdojnë kryesimin e Premier Ligës me 60 pikë të grumbulluara, përkohësisht 10 më shumë se Totenhemi dhe Arsenali që ndjekin në vendin e 2-të dhe të 3-të. Për trajnerin Antonio Konte, pavarësisht diferencës me skuadrat e tjera, asgjë nuk ka përfunduar sa i përket titullit të kampionit. “Janë edhe 13 ndeshje deri në fund dhe gjashtë ekipe në garë për ta fituar titullin. Asgjë ende nuk ka përfunduar”, tha Konte pas ndeshjes.
Kampioni Leicester City, po kalon sezonin më të dobët në histori. Në xhiron e 25-të, skuadra e Claudio Ranierit humbi 2:0 nga Swansea City, ku nuk arriti që të shënojë as edhe golin e nderit. Sipas “OptaJoe”, tashmë kanë kaluar 10 orë që kur Leicester City shënoi golin e fundit në Premier Ligë. Këtë e bëri për herë të fundit më 31 dhjetor në fitoren prej 1:0 ndaj West Ham United.
Ndërkohë, Manchester Unite ka fituar 2-0 me Vatvord. Mbrojtësi anglez, Luke Shaw, nuk po kalon një sezon të mirë. Portugezi Jose Mourinho nuk i beson aftësive të anglezit, i cili e la në shtëpi në ndeshjen ndaj Vatford. “Ai duhet të punojë dhe të presë”, tha fillimisht Mou. “Të shtunën, kisha nevojë për një mbrojtës në stol, një mbrojtës që luan në shumë pozicione. Zgjodha Matteo Darmianin pasi ai mund të luajë në të djathtë, të majtë, por edhe në qendër në raste emergjente”, shtoi më tej Jose Mourinho. Shaw ka bërë vetëm 7 paraqitje këtë edicion në Premierligë, i cili nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.
Ndërsa Liverpuli ka dhënë një sinjal se është ende “gjallë” në luftën për një vend në Ligën e Kampioneve me një fitore të rëndësishme 2-0 kundër Totenhemit, për të mbetur mes 4 ekipeve më të mira në kampionatin anglez. Skuadra e Jurgen Klop ka fituar falë një fillimi shumë të vrullshëm të ndeshjes, me anë të dy golave të Sadio Mane, i cili shënoi në minutat 16 dhe 18 të takimit, për t’i garantuar tri pikët ekipit të tij dhe për të hapur plotësisht renditjen për sa i përket garës nga vendi i dytë deri në vendin e 6.

Exit mobile version