Qëndron tek Juve

Massimiliano Alegri ka një arsye më shumë se tri pikët për të fituar në fushën e Cagliarit. Trajneri bardhezi në konferencën për shtyp para transfertës së Sardenjës theksoi se, skuadra e tij për herë të parë në këtë sezon mund të bëjë 5 fitore radhazi.
“Do të shoh stërvitjen e fundit dhe pastaj do të vendos formacionin. Cagliari ka një ecuri shumë të mirë rezultatesh në fushën e tij, është një skuadër që luan shpejt. Për ne është një takim shumë i rëndësishëm në një moment delikat të sezonit. Duhet të fitojmë që të ruajmë distancën nga Napoli dhe Roma. Pastaj gjatë këtij sezoni nuk kemi fituar 5 ndeshje radhazi prandaj ky mbetet një tjetër objektiv”, u shpreh Alegri.
Në Itali vijojnë polemikat e supersfidës Juventus – Inter, por 49-vjeçari e konsideron bullallëk që ende po ka përplasje mediatike për këtë derbi të futbollit italian. “Nuk komentoj fjalët e të tjerëve. Të bësh polemika një javë pas derbit është budallallëk. E ritheksoj se për fatin tonë të mirë, Interi e nisi keq sezonin, por ka një grup shumë të mirë që premton për të ardhmen. Ne dhuruam një mbrëmje të madhe futbolli”, tha trajneri i Juventusit.
Si në çdo konferencë, edhe këtë radhë nuk mungoi pyetja për të ardhmen e tij, por Alegri premtoi se sapo të ketë diçka të re do ta bëjë publike. “Jam trajner i Juventusit dhe kam edhe një vit e gjysmë kontratë me bardhezinjtë. Kur të vijë momeni i duhur do të flas për këtë temë me drejtuesit. Dëshiroj që të jem në stolin e Juve edhe 300 apo 400 ndeshje të tjera, por gjithçka është thënë në këto momente janë vetëm hamendësime. Nëse do të vendos të largohem, të parët që do të merrni vesh do të jeni ju, gazetarët”, përfundoi Alegri.
Për polemikat Inter-Juventus ka folur edhe ish-drejtuesi i Juventusit, Luçiano Moxhi. “Polemikat, kur luhet Juventus-Inter, nuk mungojnë asnjëherë. Juventusi shënoi gol, lojtari i tyre më i mirë ishte Handanoviç, nuk e di çfarë kërkojnë? Qaravitjet janë gjithmonë të njëjta dhe kjo bezdis ata që e shohin futbollin në një mënyrë të caktuar”, ishin fjalët e Moxhit për “TMR”.
Ndërkohë, Napoli ka rrëmbyer vendin e dytë për të paktën 2 ditë. Skuadra e Maurizio Sarrit nuk derdhi shumë djersë për të marrë një tjetër fitore, këtë herë ndaj Genoas në “San Paolo” me rezultatin 2-0. Ndeshja u zhbllokua vetëm në pjesën e dytë, por ishte Napoli që mori frenat e lojës që në fillim, duke e bërë të qartë se e premtja nuk do të ishte një mbrëmje ku miqtë mund të shpresonin për të dalë me pikë. 50 minuta dominim dhe më pas goli i Zielinskit e futi ndeshjen në një rrjedhë pa kthim.
Minutat nuk e vendosën më në presion skuadrën vendase që gjeti ritmin e plotë dhe golin e dytë me Giaccherinin që bëri detyrën, duke e shtyrë topin në rrjetë për të vulusur fitoren. Një fitore që e ngjit Napolin në vendin e dytë me 51 pikë, por konfirmon gjithashtu formën e shkëlqyer të skuadrës nga Campagnia, ku Hysaj mungoi për shkak kartonësh ashtu si edhe Callejon, i cili u zëvendësua nga autori i golit të dytë, Giaccherini. Në krahun tjetër, Genoa nuk njeh fitore që prej 7 ndeshjesh, duke konfirmuar krizën që po kalon edhe pse zona e ftohtë nuk e kërcënon aspak skuadrën e Juric.