Premier Liga, Ronaldo më i miri në histori

Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë i huaj në historinë e Premier League angleze. Është revista britanine “Four Four Two” ajo që i ka akorduar këtë çmim sulmuesit portugez pasi përpiloi një klasifikim me 100 futbollistët jo britanikë që janë aktivizuar në këtë kampionat. Ronaldo u vlerësua për paraqitjet e bëra prej tij gjatë periudhës që ishte pjesë e Manchester United duke lënë pas emra të tillë si Cantona, Henry, Vieira apo Tevez, Drogba e Luis Suarez.
Cristiano Ronaldo u formua si futbollist te Sportingu, por në moshën 18-vjeçare ai u transferua te “Djajtë e Kuq” për t’u vënë nën urdhrat e Sir Alex Ferguson duke u bërë një prej futbollistëve më të mirë në botë. Me “Djajtë e Kuq”, Ronaldo arriti të fitojë një Ligë Kampionesh, një Botëror klubesh, 3 tituj të Premier League dhe 2 FA Cup, trofe të cilëve u shtohet edhe 1 nga 4 Topat e Artë të fituar në karrierë. Në vitin 2009, Ronaldo u largua nga “Old Trafford” për t’u transferuar te Reali i Madridit, me të cilin ka fituar të tjerë trofe mes të cilëve edhe 2 Liga Kampionesh më 2014 e 2016.