Klubet franceze rekord shpenzimesh në Evropë

Gjatë merkatos dimërore, klubet franceze kanë shpenzuar më shumë se kampionatet e tjera të rëndësishme evropiane, sipas një raporti të FIFA-s, mbështetur në shifrat e Ligës së Futbollit Profesionist (LFP).
FIFA ka bërë të ditur se klubet e Ligës 1 dhe Ligës 2 në Francë shpenzuan 176 milionë euro për transfertat e lojtarëve të huaj, më shumë se Anglia (159 M euro) apo Gjermania (115 M euro).
Në kampionatin e Francës është realizuar një shifër rekord këtë dimër, me pesë herë më shumë shpenzime në merkato në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
PSG dhe Marseja kanë shpenzuar më shumë se të tjerët. Parisienët kanë marrë kampionin e botës, gjermanin Julian Draxler nga Wolfsburg për 40 milionë euro dhe portugezin Gonçalo Guedes nga Benfica Lisbonna për 30 milionë euro.
Marseja ka marrë Dimitri Payet nga West Ham për 30 milionë euro, ndërsa Lyon transferoi holandezin Memphis Depay nga Manchester United kundrejt 16 milionë euro (+9 bonus eventual). Ndërkohë, Lille nën drejtimin e pronarit të ri Gerard Lopez, ka marrë disa lojtarë të rinj. Në total, klubet më të rëndësishme (në Gjermani, Angli, Spanjë, Francë dhe Itali) kanë transferuar lojtarë të shumtë të huaj për një shifër globale prej 537 milionë eurosh.