Fundi i horrave

Më datë 18 shkurt të vitit 1991, studentët e Universitetit të Tiranës vendosën të hynin në grevë urie. Arsyeja ishte heqja e emrit të diktatorit nga auditoret e tyre, por jo vetëm kjo. Ajo grevë urie e cila dy ditë më pas pasoi me shembjen e bustit të diktatorit, ishte dhe sinjali i shpresës për një Shqipëri më të mirë që po vinte. Ishte sinjali i shpresës për të gjithë të shtypurit nga diktatura më e egër, ishte rrezja që përçoi në errësirën që kish pllakosur varfëria, mungesa e lirisë dhe e besimit. Ishte protestë për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë.  Më datë 18 shkurt të këtij viti, Partia Demokratike ka thirrur në protestë qytetarët e këtij vendi. Kryetari Lulzim Basha, më datë 1 shkurt të këtij viti do thoshte se kjo është protesta kundër keqqeverisjes, varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Në fakt, shqiptarët ashtu si 26 vjet më parë ndodhen sot vetëm përpara një alternative, të shporrin nga pushteti klikën që po grabit gjithçka. Po shton varfërinë, dhe i ka hapur luftë shtresës më të margjinalizuar të shoqërisë.  Oligarkia në pushtet sot luftën nuk e ka me krimin, por e ka me të varfërit, me ata që rropatën për të paguar faturat, me ata që s’kanë t’i blejnë libra fëmijëve me ata që mbijetojnë çdo ditë nga pak.

Kundër braktisjes së vendit

Shqiptarët janë kombi që po emigron sikur të jenë në gjendje lufte. Në vitin 2015, Shqipëria në regjistrat ndërkombëtar të vendeve që prisnin azilantë regjistrohej mbas Sirisë. E kush i ka harruar pamjet e shqiptarëve nëpër kampet pritëse të Gjermanisë apo Francës. Vetëm në vitin 2015, 66 mijë të rinj e të reja kërkuan azil në shtetin gjerman, shifër kjo tronditëse. Edi Rama premtoi hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, por tashmë në fund të mandatit të tij, shifrat tregojnë se papunësia është rritur. Goditjet pa shkak të biznesit të vogël, sollën mbylljen e mijëra bizneseve dhe hedhjen në rrugë të dhjetëra mijëra punëtorëve atje. Të gjendur para kësaj situate, me jetesën që sa vjen e shtrenjtohet, shqiptarët u detyruan të braktisin vendin e tyre. Fëmijët që përloteshin në kampet me kushte mizerabël, ishin dëshmia tronditëse të asaj që ndodhte në një vend në kohë paqe. Ato ishin lotët e atyre që ishin të detyruar të iknin larg një sistemi despotik, që mendon se do i gënjejë njerëzit me deklaratat  boshe të një tufe horrash për rritje ekonomike. Thënia e Kryetarit Basha gjatë një interviste do ishte epike “Tek një vend me qeveri të korruptuar, duhet larguar qeveria dhe jo njerëzit”.

Kundër varfërisë

Më 7 prill të vitit të shkuar, Banka Botërore publikoi një raport ku theksohej se gjysma e familjeve shqiptare, jetonte me 5 dollarë në ditë. Pra 150 dollarë në muaj, ose 18 mijë lekë të reja. Gjithkush prej nesh e di fare mirë, se kjo është një shumë qesharake. Kaq para, apo më shumë oligarkët e pushtetit i harxhojnë për kafshët shtëpiake që mbajnë në banesat e tyre. Sipas Bankës, Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon, pasi një pjesë shumë e madhe e familjeve i kanë të ardhurat shumë më të ulëta sesa ato të vendeve të tjera. Hoqi në mënyrë arbitrare nga skema ekonomike, invalidë, vetëm se konstatoi se në shtëpitë e tyre kishin bolierë për t’u larë? Një politikë perverse, që zbatohet vetëm në kampet e përqëndrimit. Gjithkush i mban mend lotët e atij babait invalid në Lezhë, teksa qante para kamerave se nuk e dinte se çdo i jepte fëmijëve të nesërmen. E pra, ky njeri në filozofinë e qeverisjes së Ramës deklarohet i pasur, sepse ka ujë të ngrohtë për t’u larë!  Në gushtin e këtij viti, si pasojë e varfërisë, mbeti i vdekur në landfillin e Sharrës, Ardit Gjoklaj vetëm 17 vjeç. Shumë shpejt, ai do kthehej në simbolin e viktimës prej varfërisë. Do kthehej në dëshminë se si një sistem i korruptuar, shfrytëzon varfërinë dhe skamjen për të përfituar.

Kundër vjedhjes me energjinë

Energjia elektrike është një tjetër kapitull i dhimbshëm për shqiptarët. Në vitin 2014, Edi Rama do niste një fushatë me metoda komuniste për të mbledhur faturat e prapambetura të energjisë. Ata që nuk kishin u burgosën, atyre që s’donin të futeshin në burg u la vetëm një alternativë, vetëvrasjen. Si pasojë e kësaj politike represive humbën jetën 12 qytetarë të këtij vendi. Shumica baballarë, që ishin të pafuqishëm për t’i siguruar dritë fëmijëve në shtëpi. E si mund t’i kërkosh një familjeje që merr një ndihmë ekonomike diku te 6 mijë lekë të reja në muaj, të paguajë shuma tronditëse që shkojnë deri në 300 mijë, apo 3 milionë të vjetra? Ka vetëm dy rrugë, ose litarin në qafë ose burgun. Kjo ndodh në një shtet që kërkon të integrohet drejt Perëndimit. Nuk u mjaftua me kaq, por në janarin e vitit të shkuar hoqi fashën prej 300 kilovatësh për energjinë, që mbronte familjet e varfëra nga çmimi. Hajdutët e OSSSH përditë instruktojnë punëtorët e tyre që të gjejnë mënyra se si të vjedhin qytetarët, me anë të sahatëve ose mbifaturimeve. Me miliona dollarë e miliona euro para të qytetarëve nuk dihet se ku përfundojnë. Vetëm para disa ditësh, u raportua se OSSH i kishte borxh KESH rreth 370 milionë euro? Atëherë ku shkojnë tërë këto pagesa. Flitet për investime që nuk i shohim kurrkund, dhe ndërkohë vazhdojmë e vazhdojmë të paguajmë pa fund. Faturave të fryra të energjisë, këtë vit iu shtua dhe rritja e akcizës së gazit, e cila bëri që të rritet ndjeshëm dhe çmimi i këtij produkti i zgjedhur si alternativë ngrohjeje dhe gatimi nga shumë familje shqiptare

Kundër koncesioneve të Beqes

Edi Rama ka shpenzuar rreth 500 milionë euro, për koncesionet e famshme në shëndetësi. Në vitin 2013 do premtonte shëndetësi falas! Por në realitet gjërat qëndrojnë ndryshe. Njerëz që sorrollaten për një shtrat spitalor, godina pa ngrohje, apo batanije që i marrin vetë nga shtëpia. E ndërsa Vilma Nushi me kompani, gëzojnë qindra milionë euro të marrë në mënyrën më hajdute të mundshme, lihen të vdesin fëmijët si rasti i Kristi Mazes. Të sëmurët, pleq sorrollaten me orë të tëra, ose duhet të presin me ditë për një skaner. Ilaçet që rimbursohen nga shteti në më të shumtën e rasteve më shumë e përkeqësojnë pacientin. Shërbimi i Urgjencës lë për të dëshiruar, pagesat ndaj mjekëve vazhdojnë të jenë të majme e kështu me radhë. Në krye është Ilir Beqja, një njeri i cili kërkon të vjedhë çtë mundë për llogari të Edi Ramës. Shëndetësia jo vetëm që nuk është falas, por po rrënon nga buxheti të gjithë ata që i zë halli me sistemin e Ramës. Një realitet që ai sado mundohet që ta fshehë, sërish është një akuzë e pastër që duhet të hetohet deri në detaj dhe të nxirren përgjegjësit. Zoti Basha ka premtuar një rishikim të të gjitha koncesioneve të dhëna në këtë sektor. Kjo do ishte zgjidhja më optimale, me qëllim që paratë që do duhet të paguhen një kohë për klientët e Ramës të shkojnë atje ku duhet.

Për pagat dhe pensionet
Kjo qeveri do të mbahet mend dhe për faktin se nuk rriti në asnjë vit pagat dhe pensionet, por i la në nivelin që i gjeti nga qeveria paraardhëse. Në rast se në qeverinë e kaluar, pagat e pensionet rriteshin respektivisht nga 4 deri në 6 për qind çdo 6-mujor, nën qeverisjen e Ramës u rritën vetëm pensionet në vitin e fundit të qeverisë së tij me 1.8 për qind. Që ta shpjegojmë më thjeshtë, në tre vite qeverisje Rama i rriti pensionet vetëm me 200 lekë të reja. Një shifër qesharake kjo, të cilën ai trumbetoi si një arritje të madhe, duke dashur të fyejë kështu dhe inteligjencën e 650 mijë pensionistëve në këtë vend. Sa për sektorin publik duhet thënë se pagat e administratës, në tre vjet nuk kanë lëvizur, madje jo në pak raste Rama me Ahmetajn e tij ministër Financave (një person që deklaroi që në vitin 2005 rreth 11 milionë dollarë pasuri), kanë bërë ato manovrat e tyre për t’i ulur rrogat. Siç ishte rasti i rishikimit të gradave në Policinë e Shtetit, ku u ulën në masë të konsiderueshme pagat e gati 50% e efektivëve të policisë.

Rrëzimi i Ramës, si emergjencë kombëtare!
Të flasësh për arsyet se përse shqiptarët duhet të dalin në protestë më 18 shkurt duhen orë të tëra pune dhe natyrisht s’mund të pretendohet të përmblidhen të gjitha në një artikull. Sepse arsyet janë vërtet të pafundme. Në këtë shkrim nuk u përmend, kanabizimi i vendit, mungesa e sigurisë, bujqësia, arsimi, mungesa e investimeve në infrastrukturë, biznesi i vogël, nuk u përmendën shpenzimet e kota për luks qeveritar, apo fasadat e rilindjes urbane, të cilat mund të zgjidhnin një herë e mirë plagën e strehimit në vend. Arsyet për të dalë në protestë janë me qindra. Kanë të bëjnë me revoltën e çdo njeriu që ka ndjerë thundrën cinike të shtypjes në kurrizin e tij. Kanë të bëjnë me revoltën e studentëve që u lanë jashtë auditoreve, me revoltën e prindërve që duhet të çojnë fëmijët në klasat pa ngrohje, me revoltën e çdo qytetari që sheh propagandën bajate të Rama, Veliaj & Co teksa zgërdhihen paturshëm e flasin për mirëqenie imagjinare. 18 shkurti vërtet është 5 muaj para zgjedhjeve, por ka një emergjencë të shoqërisë për të rrëzuar këtë klikë qeverisëse hajdute dhe të paaftë, më të paaftën e historisë së shtetformimit shqiptar. Mbajtja e Edi Ramës dhe një ditë në pushtet është kosto e lartë për këtë vend, prandaj s’duhet pritur, ajo duhet të ndodhë shpejt, duhet të ndodhë tani.

Armand Maho