Çmenduria e ish-yllit të Inter e Ajax

Andy van der Mayde ka qenë një nga ato futbollistë të mirë, por që nuk mundi kurrë të bëhej një kampion. Holandezi më së shumti mbahet mend për periudhën si lojtar “zikaltër”, aty ku tifozët e Interit e vlerësuan shumë për cilësitë që kishte në mesfushë. Por çfarë e pengoi holandezin të kapte majat? Një jetë ekstreme që nga fillimet e tij te Ajax, deri në fund të aventurës në Premier League, e jetuar në fije të perit, mes abuzimeve me alkoolin, drogën dhe femrat.
Dashnor i femrave të bukura, i jetës së bukur dhe i veseve të tij, Van der Meyde u tërhoq nga futbolli në vitin 2012, pa lënë gjurmë të tij gjatë viteve të fundit të karrierës. Sot, ai duket i ringjallur dhe i transformuar, falë pasioneve të tij më të fundit, rrjeteve sociale dhe boksit, të cilit po i dedikohet ditë e natë. Kur u tërhoq nga futbolli në vitin 2012 ai ishte në një gjendje të mjerueshme, viktimë e veseve të tij dhe të tepricave. Pavarësisht gjithçkaje, Van der Meyde arriti të gjejë një ndihmë nga trajneri i asajkohe i Psv Eindhoven, Fred Rutten. E angazhon, por mesfushori holandez nuk mbante dot më ritmin e futbollit të luajtur. Kështu ai largohet nga futbolli dhe nis të shkruajë. Mes veprave të tij është autobiografia në të cilën ai rrëfehet duke tronditur botën e futbollit. Me një ëndërr në sirtar, që të stërvisë të rinjtë.
“Pas gjithë gabimeve që kam bërë, kush më mirë se unë mund t’u mësojë të rinjve se si të mos e çojnë dëm talentin e tyre?”. Një pyetje kjo e holandezit që mbetet ende pa përgjigje dhe e pavërtetuar, sepse tashmë prej disa kohësh ish-futbollisti po kultivon një tjetër hobi të ri. Ish-futbollisti i Ajax, Inter, Liverpool dhe ekipeve të tjera, tashmë ka kaluar në një sport luftarak, pikërisht atë të luftimit në ringun e boksit. Një ndryshim ky, të cilin e ka shfaqur edhe në rrjetet sociale, në të cilat ka postuar imazhe dhe video të stërvitjeve të tij. Pasion ky për boksin që e sheh atë të impenjuar dhe angazhuar në mënyrë të përditshme.
Ndërkohë, sulmuesi më i ri në “Premier League”, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme në vetëm pak kohë, Gabriel Jesus, nuk ka kaluar pa u vënë re nga Mario Balotelli. Mediat angleze ishin kurioze për mënyrën e festimin të 19-vjeçarit pas realizimit të golave dhe u interesuan për këtë çështje. Sulmuesi i City-t befasoi disi me përgjigjen e tij duke u shprehur: “Mënyra ime e festimit të golave i dedikohet ish-të dashurës sime, e cila nuk iu përgjigj telefonatave të mia kur unë luaja me Palmerias, ndërsa kur u transferova te Manchester City më dërgoi direkt mesazh”, tha Jesus. Pasi dëgjoi këtë, ish-sulmuesi i Manchester City-t, Mario Balotelli, ka reaguar në Instagram duke u shprehur: “Bravo! Thuaj jo materialisteve! Meqë ra fjala, më mungojnë këto ngjyra”, ishte postimi i SuperMarios.