Agjenti: Brozoviç e dëmtoi Miralem Pjaniç

Nuk ka fund telenovela pas ndeshjes Juventus-Inter. Polemikave në lidhje me arbitrimin dhe dënimin e Icardit e Perisiç, u shtohet një tjetër kapitull, ai i mesfushorit Marcelo Brozoviç, i cili është zhvendosur në interfemeri pas dëmtimit në Derbin e Italisë, duke rrezikuar formacionin e Piolit për ndeshjet e radhës. Agjenti i mesfushorit ballkanas, Miroslav Bicanic, e drejton gishtin e akuzës ndaj Miralem Pjaniç për dëmtimin e Brozoviç në gishtin e këmbës së djathtë. “Marcelo më tha se u detyrua të linte fushën pikërisht për shkak të atij dëmtimi. Pjaniç ia shkeli gishtin dy herë, gjatë pjesës së parë dhe gjatë pjesës së dytë”, deklaron agjenti.
Deklaratë që hedh poshtë raportimet mediatike, sipas të cilave Brozoviç u dëmtua pas zëvendësimit për shkak të reagimit të tij të pakontrolluar. Gjithsesi, kjo është një çështje ende e paqartë, por ndoshta e fundit në sagën e gjatë të polemikave në aksin Milano-Torino. Gjatë ditëve të fundit, deklaratat janë ngritur në nivel drejtuesish, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën jo vetëm për atë që ndodhi në “Juventus Stadium”, por edhe për të shkuarën e trazuar mes dy klubeve. Brozoviç do të qëndrojë jashtë fushave 2 deri në 3 javë dhe nëse konfirmohet afati maksimal, atëherë ai mund të humbasë edhe ndeshjen kundër Romës në “San Siro” që mund të jetë një nga ndalesat më të rëndësishme të skuadrës së Stefano Piolit gjatë këtij sezoni.
Derbi i Italisë jo më kot e mban mbi shpatulla këtë gradë, sepse në kuadratin e blertë lufta sportive u bë edhe më e ashpër në pjesën e dytë. Juventus me armatën e rëndë bardhezi mësyu në mesfushën e Interit. Minuta e 54 rezervoi sërish drithërima me një pasim të saktë të Higuain për Dybala, por Handanoviç veshi kostumin e heroit. Sërish Juventus dhe sërish Dybala me një vertikalizim për Higuain, por Handanoviç nuk kishte aspak ndërmend të ngrinte flamurin e bardhë. Kaq mjaftoi në “Juventus Stadium” për suksesin e 18 në kampionat të skuadrës së Alegrit që këtë sezon kërkon rekordin e titullit të gjashtë rresht, ndërsa Interi bie dhe humbet njëkohësisht vendin e katërt, duke u ridimensionuar pas një jave të vështirë që nisi me atë humbje në çerekfinalen e Kupës së Italisë.