310 milionë USD për luks, 230 milionë USD klientëve

Tendera për klientët dhe shpenzime luksi janë të vetmet “investime” që qeverisja Rama ka shënuar në këto tri vite, duke zhvatur qindra miliona para nga fonde, të cilat duhet të shkonin për ndërtim rrugësh, shkollash, kopshtesh e të tjera projektesh në shërbim të qytetarëve. Janë me qindra tenderat fiktivë, të dhënë pa asnjë garë e pa asnjë procedurë të rregullt që kanë shkuar për njerëzit pranë Ramës, për t’u ndarë më pas mes tyre. Është vetëm një grusht i vogël njerëzish, ortakë të Ramës, të cilët sot numërojnë miliona euro fitime secili në portofolin e tyre. Vetëm Vilma Nushi, e njohur si një ndër personat më të afërt të Ramës, përmes dy kompanive të saj “Marketing Distribution” dhe “Trimed” ka përfituar mbi 150 milionë euro, ku kujtojmë që vetëm përmes tenderit të check up-it ajo përfitoi 120 milionë euro, për një shërbim, i cili sipas të gjitha të dhënave të vetë Ministrisë së Shëndetësisë rezultoi një dështim total. Tenderi prej 120 milionë eurosh u pasua nga qindra tendera të tjerë dhuruar kompanive të Vilma Nushit. Vetëm një javë më parë, u raportua se ajo ka përfituar llokmën e radhës prej 1 miliard lekësh me tenderit që i ka dhënë sërish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj për shërbimin e ortopedisë. Duke mos u larguar nga ministri Beqaj, i konsideruar si kampioni i babëzisë së tenderave, përmes kompanisë së tij “INTECH+” ka përfituar miliona euro, jo vetëm nga fondet që ai i ka dhënë vetes përmes ministrisë që drejton, por edhe nga institucione të tjera. Sipas të dhënave, vlerësohet se kompania e Beqajt tre vitet e fundit ka marrë mbi 12 milionë euro tendera. Një tjetër emër i njohur në zhvatjen e shumave marramendëse në fushën e ndërtimit është Pandeli Carapuli, ortak i vjetër i Ramës, i cili përmes kompanisë së tij “Eurocol” ka përfituar disa nga tenderat me vlera marramendëse parash siç është projekti për Parkun Olimpik, rikonstruksionin e Sheshit Rinia, si dhe projekte të ndryshme ndërtimi. Vlerësohet se një shumë prej afro 20 milionë eurosh është përfituar prej tij në këto tri vite të qeverisjes Rama. Pjesë nga torta e tenderave në këto tri vite nuk mund të mos kishte Alban Eftimi, njeriu që ka përfituar nga Rama që nga koha kur ky i fundit drejtonte Bashkinë Tiranë. Asnjë arkitekt shqiptar nuk ka pasur në dekadat e fundit ndikimin dhe prezencën që ka sot Alban Eftimi. Ai është kudo, në cilindo projekt madhor të qeverisë dhe të pushtetit vendor. Studioja e Eftimit ka fituar disa qindra projekte pas vitit 2014, projektet më madhore si stadiumet, parqet apo qendrat e reja të qyteteve kanë kaluar nga studioja e Eftimit. Agron Papuli, është klienti i radhës, i cili numëron dhjetëra tendera të fituara ashtu si ortakët e tjerë të sipërpërmendur, për të vijuar më pas me Sadri Abazin, kompania e të cilit bën pjesë gjithashtu në listën e tenderave shumëmilionësh të qeverisë, të destinuara për t’u shpërndarë për njerëzit e kryeministrit. Pak ditë më parë, PD denoncoi tenderat e përfituar nga deputeti socialist Xhemal Qefalia. Gati 7 miliardë lekë tendera ka marrë firma e Qefalisë në tri vite të qeverisjes Rama. Duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Bashkia Durrës e Bashkia Patos miliona para nga fondet publike i janë dhënë kompanisë “Vllaznia”, e cila është në pronësi të deputetit socialist Qefalia, por që së fundmi është e regjistruar në emrin e nipërve të tij, me qëllim fshehjen e emrit të deputetit socialist si zotërues 100% i aksioneve të kësaj kompanie. Qefalia ka përfituar ashtu si edhe deputetë të tjerë socialistë, siç është rasti i Sadri Abazit apo Pjerin Ndreut, kompania e të cilit numëron rreth 40 tendera të përfituar. Nuk mbetet pas as Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Kjo shifër është shtuar edhe më shumë nga tenderat e përfituar gjatë vitit që sapo lamë pas. Edhe këto muaj që kanë mbetur nga qeveria Rama ka planifikuar të ndajë dhe llokmat e fundit të pushtetit, duke vijuar dhënien e parave për klientët e saj duke ngjeshur edhe më shumë hambarin e përfitimeve nga këta të fundit.

Shpenzimet e luksit, nga biletat e avionëve e hotelet tek trajtimet antistres

Nuk janë vetëm tenderat që ka ndarë pushteti. Pjesa tjetër është shpenzime të shfrenuara luksi, për të cilat numërohet se janë shpenzuar mbi 310 milionë dollarë. Shpenzime që përfshijnë bileta avionesh, hotelesh, pseudotrajnimesh për shërbime antistresi, mobilime luksoze zyrash, stilolapsash të shtrenjtë, dreka e darka nga ato me kulinari të spikatur e deri tek ato të thjeshtat, por gjithsesi të kushtueshme për stafet me militantët e punësuar në administratë. Vetëm për këtë vit, Rama ka parashikuar të harxhojë rreth 30 milionë euro për shpenzime luksi të institucionit të tij. Ose më saktë, në bazë të numrit të punonjësve që ka atje rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash, të cilat do të mjaftonin për blerjen e 20 makinave luksoze të markës “Mercedes Benz”.
Në një takim me sipërmarrjen dy ditë më parë, kreu i PD, Basha deklaroi se me qeverisjen e PD shpenzimet e luksit do të marrin fund. “Paratë e taksave që do të mblidhen, do të shkojnë tërësisht në shërbim të taksapaguesit: buzëkuq, fasada, makina luksi, orendi, zyra, shpenzime marramendëse për udhëtime, dieta pa fund, abuzime që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 310 mln USD, do të marrin fund”, tha Basha.

Disa nga tenderat e zhvatura nga klientët e Ramës

“ALKO IMPEX”-  Kompania është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 30 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.4 mld lekë.
“Atelier 4”- Kompania e lidhur me kryeministrin Rama dhe arkitektët e tij personalë, Shkreli, Eftimi ka fituar 18 tendera e vlerë totale 267 mln lekë.
“CLASSIC”- Kompania është në pronësi të Agron Papulit, mikut dhe ndërtuesit të vilës së Dardhës të Edi Ramës, ka fituar 19 tendera me vlerë totale 595 mln lekë.
“EUROCOL”- Kompani në pronësi të mikut të Edi Ramës, Pandeli Carapuli, ndërtuesi i vilës së Surrelit, ka fituar 12 tendera dhe me një vlerë totale prej 1.8 mld lekësh.
“Eurogjici Security”- Kompania është në pronësi të Safet Gjicit, kandidatit socialist në zgjedhje e fundit vendore për Bashkinë Kamëz. Kjo kompani ka fituar 159 tendera me një vlerë totale prej 718 mln lekësh.
“Fastech”- Kompania që përdoret nga “INTECH”-u. “INTECH”-u i famshëm që u bë shkak për humbjen e mandatit të Ilir Beqajt, në legjislaturën e kaluar dhe që tani përdoret si kompani guackë për shkak të denoncimeve që i kemi bërë “INTECH”-ut. Një kompani jashtëzakonisht e vogël që fiton tenderat, por punimet i bën “INTECH”-u i Ilirit, në vetëm dy vite 45 tendera me vlerë 752 milionë lekë, ndërkohë përfitimi i tenderave ka pësuar rritje edhe gjatë 2016.
Vetë “INTECH”-u, 32 tendera me vlerë miliarda para.
“Ndreu Security”- Kompania është e lidhur me deputetin Pjerin Ndreu dhe në tre vjet ka fituar 37 tendera me vlerë 91.6 mln lekë.
“Marketing Distribution”- Kompania në pronësi të Vilma Nushit ka fituar 23 tendera në vlerë totale mbi 134 mln euro.
“Trimed”- Kompani në pronësi të Vilma Nushit ka marrë 458 tendera me vlerë 2 miliardë lekë.
Arben Shahini