“Manaj te Pisa, për të luajtur rregullisht”

Rey Manaj është ende në kërkim të golit të parë me Pisën, në Serinë B, ndërkohë agjenti i tij, Jimmy Fontana, një figurë tepër e rëndësishme për karrierën e futbollistit, rrëfen për mediat italiane arsyet e largimit nga Pescara në Serie B, një transferim që kishte filluar të përmendej që në muajin dhjetor. Në skuadrën ku militon dhe Memushaj minutat dhe golat nuk i munguan, por për sulmuesin shqiptar duhej diçka më tepër, siç shpjegon Fontana ndërsa shprehet:
“Zgjedhja për t’u larguar nga Pescara, ku gjithsesi lojtari bëri mirë me 13 prezenca dhe 2 gola në pjesën e parë të sezonit, u përcaktua nga fakti që klubi abrucez kishte nevojë për më shumë eksperiencë dhe peshë në repartin e sulmit, për fazën e dytë, dhe besoj se kështu duhet kuptuar dhe afrimi i Gilardinos. Si rrjedhojë në akord me Pescarën dhe Interin zgjodhëm Pisën”.
Motivi është i thjeshtë, Fontana e thotë qartë, vendi i titullarit. Askush nuk mund ta ketë të garantuar, por sulmuesi shqiptar te Pisa mund të ketë më shumë minuta, ç’ka konfirmohet edhe nga të dhënat e para ku në 3 ndeshje ka regjistruar po kaq prezenca për një total prej 248 minutash. Fontana gjithashtu deklaroi se në dimër Manajn e kërkuan pothuajse të gjitha skuadrat e Serie B, ndërkohë që për të ardhmen garantoi se me 99% në fund të sezonit Manaj do të kthehet te Interi dhe më pas do të shihet se çfarë drejtimi mund të marrë.