Droga dhe taksat po rrisin çmimin e banesave në Tiranë

Çmimet e banesave panë një rritje të beftë në tremujorin e fundit të vitit 2014 pas një stanjacioni në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare raportoi se indeksi i çmimit të banesave u rrit me 4% në tremujorin e katërt.
Gjatë vitit 2016, indeksi i çmimeve u rrit me 4.6% në terma mesatarë vjetorë, teksa shihet se indeksi i qirasë së banesave ka regjistruar gjithashtu rritje me 3.3% në tremujorin e katërt.
Në terma mesatarë, gjatë vitit 2016, indeksi i qirasë shënoi rënie me 4.4%. Sipas analizës së bankës raporti i indeksit të çmimit ndaj qirasë së banesave u zhvendos lehtë në një nivel më të lartë gjatë vitit 2016, duke reflektuar ecurinë në kahe të kundërta të çmimeve dhe qirasë së banesave.
Nga një vëzhgim që “Monitor” ka bërë së fundmi vërejti se, në zonat më të lakmuara të kryeqytetit apartamentet në qendër të Tiranës po shiten me shpejtësi me para në dorë. Çmimet u shtrenjtuan në nivele më të larta se taksat, për shkak të shtimit të kërkesës, por dhe përmirësimit të infrastrukturës. Pse u gjallërua pikërisht tani tregu dhe si veprohet “për të maskuar” shitjet cash.
Në pjesën më të madhe të pallateve në zona të preferuara, kanë mbetur pak apartamente të lira, ndërsa ndërtuesit nuk ngurrojnë t’u thonë blerësve potencialë që shitjet janë shtuar së fundmi, edhe me cash – dhe nuk është aspak problem të gjenden shtigjet për të justifikuar paratë, përmes pagesave me këste.
Zona e parë e kërkimit ishte pranë digës së Liqenit Artificial, ku shoqëria “Nderpro” sh.p.k kishte objektin e saj drejt përfundimit. Çmimi për metër katror i apartamenteve për banim ishte 1800 euro. Dikur, apartamentet në atë zonë tregtoheshin rreth 1200-1300 euro për njësi matëse. Ndërtimi i rrugës së re, së fundmi, i ka dhënë një tjetër dimension kësaj zone, duke e bërë atë mjaft të preferuar. Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimit, numri i apartamenteve të lira për shitje ishte i vogël. Kishte shumë pak variante zgjedhje, asnjë apartament i orientuar nga perëndimi nuk kishte ngelur pa shitur, ndërkohë që objekti ende nuk kishte përfunduar.
Menaxheri i kompanisë ndërtuese, Andi, pasi tregoi mundësitë e lira për zgjedhje, pohoi se përgjithësisht apartamentet ishin blerë me shumën e plotë të parapaguar dhe siguron se fqinjët e ardhshëm do të ishin njerëz me nivel të lartë.
Pasi iu tha se blerja e apartamentit mund të bëhej vetëm me ndihmën e kredisë, interesi i tij ndaj klientit ra. Shanset e një individi me të ardhura mesatare për të marrë një kredi, për një shtëpi me vlerë mbi 200 mijë euro, janë thuajse zero, teksa banka përgjithësisht nuk jep më shumë se 50 mijë euro kredi.
Duke u afruar më pranë zonës së ish-Bllokut, menaxherëve të shitjeve iu tha se kërkohej të blihej një hyrje me para në dorë. Pranë stadiumit “Dinamo”, “Ferar” sh.p.k. ishte në përfundim të ndërtimit të objektit. Nga 1700 euro/m2 në fillimet e ndërtimit, çmimi për një metër katror kishte kapur nivelin e 2000 eurove. Përsëri, edhe në këtë objekt, menaxherja e shitjeve, Visa, siguroi se klientela ishte e mirë, ndërsa apartamentet e lira për shitje ishin të pakta në numër.

Tre zonat më të shtrenjta të apartamenteve

Zona e dytë e kërkimit, te Kopshti Zoologjik, pranë ambasadës amerikane, ish-Parku i Autobusëve, te Selvia dhe te zona e Shkollës së Kuqe, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1100 në 1500 euro për m2 dhe sipas aktorëve të tregut, çmimet në këto zona janë rritur me 100 deri në 200 euro për m2, krahasuar me pak vite më parë.
Zona e tretë, ku përfshihet Komuna e Parisit, Porcelani, Liqeni i Thatë, Shkolla e Bashkuar, Kinostudio dhe Kombinati, çmimet e apartamenteve variojnë nga 700 deri në 1000 euro për m2.
Pjesa më e madhe e apartamenteve në ndërtim ishin të shitura. Në zonën e Liqenit të Thatë, ndërtuesi tha se vetëm dy apartamente kishte të lira për shitje, ndërsa pak më poshtë, në zonën e Kopshtit Zoologjik, të gjitha apartamentet ishin shitur. Në varësi të pamjes së apartamentit, orientuar nga Liqeni Artificial i Parkut të Tiranës ose jo, çmimet luhateshin nga 1200 në 1800 euro.
Komuna e Parisit është një nga lagjet e reja më të populluara të Tiranës. Në kompleksin e dytë të pallateve Kika, çmimi për metër katror është 950 euro, i diskutueshëm nëse paguhej 60% e shumës. Sokoli, administrator i kompanisë ndërtuese, tha se kërkesën për apartament e shikon në rritje dhe në kompleksin që kërkonte rreth gjashtë muaj që të finalizohej kishte shumë pak hyrje banimi të lira për shitje. Gjithashtu, ai shtoi se nuk është rritur vetëm kërkesa për shtëpi, por dhe kërkesa për të pasur shtëpi me cilësi.
Po në atë zonë, pritej që të fillonin ndërtimet e kompleksit të tretë të banimit Kika, mirëpo administratori rrëfeu se ende nuk kanë vendosur se me çfarë çmimi do të dilnin në treg, por ai do të reflektonte taksën e rritur dhe kërkesën e lartë. Për shembull, vetëm taksa e infrastrukturës, nga 15 euro/m2 shkonte në 75 euro/m2.
Zona më e shtrenjtë. Zonat më elitare të Tiranës, si ajo pranë Radio Televizionit Shqiptar, janë të cilësuara në përditshmëri si të paprekshme dhe çmimi i apartamenteve në atë zonë kap vlerën 3000 euro për m2. Aktualisht në atë zonë është vetëm një objekt në ndërtim nga firma ndërtuese “Ana sh.a.”.