CDU-CSU: Program realist, i besueshëm dhe i zbatueshëm

Ekspertët gjermanë që kanë asistuar në hartimin e programit të Partisë Demokratike u shprehën dje se, ky program synon rimëkëmbjen e ekonomisë, është realist dhe i besueshëm. Walter Glos, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Mathias Schafer, drejtor i Politikave në Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe Mathias Hubcher, drejtori i Departamentit për Programin në CDU, të pranishëm dje në takimin me biznesin gjerman, u shprehën se programi i z. Basha ka prioritetet e duhura dhe jep zgjidhjet e duhura për ekonominë. Schafer, drejtor i Politikave në Fondacionin “Konrad Adenauer” tha se, programi i Bashës është realist, i besueshëm dhe i zbatueshëm. “PD ka realizuar një program ambicioz, realist, i cili sipas mendimit tim është me të vërtetë një program që shqiptarët e meritojnë. Është një program, i cili realizon rimëkëmbjen ekonomike, krijon klimën e përshtatshme me sipërmarrjen dhe rrit besimin e konsumatorëve, qytetarëve dhe të rinjve”, tha drejtori i Politikave në Fondacionin “Konrad Adenauer”. Ekspertët gjermanë theksuan se në program përfaqësohet mundësia e sipërmarrësit dhe e qytetarit. Programi lejon menaxhimin e buxhetit për ta bërë më të aksesueshëm, më transparent. Ekspertët gjermanë u shprehën se një shtet i fuqishëm nuk është ai që përfshihet kudo dhe shpenzon shumë para, por ai shtet që mban kuadër të besueshëm ligjor dhe mban premtimet.

Glos: Programi krijon një besim të madh të qytetarëve tek PD

Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Walter Glos e cilësoi programin e Partisë Demokratike për rimëkëmbjen ekonomike si një program që krijon besim tek qytetarët. Ai tha se PD po sjell me konceptin e saj një alternativë të re që përfaqëson ndryshimet që qytetarët kërkojnë të ndodhin.
“Dua t’ju përmend disa shtylla të konsultimeve tona që janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe PD. Mbi të gjitha, është një rend ligjor i njohur nga të gjithë dhe që përbën një kriter kryesor për hapjen e negociatave me BE. Për të mos harruar dhe një sistem arsimor që është i aksesueshëm nga të gjithë, një ambient miqësor për sipërmarrjen, një administratë miqësore ndaj sipërmarrjes, si dhe një mjedis të besueshëm për investimet vendase dhe të huaja. Njëherësh do të përmendja edhe një rend konkurrues të ekonomisë së tregut. Pra, pikërisht rreth këtyre shtyllave do të vijojmë sot edhe nesër bisedimet, edhe në këtë forum, për të hartuar një koncept të pranueshëm për qytetarët shqiptarë. Një koncept, i cili e shpalos PD si një alternativë të re që njerëzit të kuptojnë se çfarë ndryshimesh duan dhe që ne duam të arrijmë. Koncepte që të jenë të kuptueshme nga shqiptarët. Në këtë mënyrë, krijohet një besim edhe më i madh te PD dhe tek politika në tërësi.
Kam besim se me kolegët e mi dhe me kolegët e PD kemi bërë një hap të mirë përpara, të cilin do ta përparojmë në vijim. Lulzim, mendoj se jemi në rrugën e mbarë dhe shpresoj që biseda jonë të arrijë në qëllimin e duhur”, tha drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Konrad Adenauer”.
Ai shprehu mbështetjen e fuqishme të Fondacionit “Konrad Adenauer” ndaj Partisë Demokratike, ndërsa tha se PD dhe CDU kanë forcuar edhe më tej bashkëpunimin midis tyre vitet e fundit.
“Një falënderim për ju keni ardhur kaq shumë në takimin e sotëm. Kjo tregon se interesi për çështjet ekonomike dhe argumentet e PD për rimëkëmbjen e ekonomisë është gjithmonë e në rritje. Fondacioni gjerman ‘Konrad Adenauer’ nuk bashkëpunon me PD vetëm në programin e ekonomisë, por edhe në fusha të tjera, por veçanërisht prej dy muajsh, që prej fillimit të muajit nëntor, kur në Shqipëri ishin të pranishëm ekspertët ekonomikë, kolegët Schafer dhe Hubcher dhe së bashku me ekspertët e PD, punuan në hartimin e programit ekonomik të PD. Unë pyetem shpesh, pse ky angazhim nga gjermani i CDU dhe i KAS për Partinë Demokratike? Zonja e zotërinj ka një përgjigje shumë të thjeshtë për këtë. Sepse të dyja partitë, PD dhe CDU, janë pjesë e familjes së Partive Popullore Evropiane dhe në këto vite është krijuar një bashkëpunim shumë i ngushtë dhe me besim të ndërsjellë midis dy partive dhe është e vetëkuptueshme që dy parti që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe që janë pjesë e një familjeje ta ndihmojnë, ta mbështesin dhe të konsultohen me njëra-tjetrën. Dhe këtë duam ta bëjmë ne si KAS, sepse ju e dini shumë mirë që shumë gjëra në këtë vend, duhet të ecin në drejtimin e duhur. PD e di që Fondacioni ‘Konrad Adenauer’ angazhohet për një rend të ekonomisë së tregut, në fokus të së cilës është mirëqenia e njerëzve. Por që kjo ekonomi tregu të funksionojë siç duhet, ka nevojë për një politikë ekonomike që ofron kuadrin e duhur politik dhe shtetëror. Dialogu mes KAS, CDU dhe PD zhvillohet rreth këtij kuadri dhe prioriteteve për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”, tha Glos.

A.Shahini