Basha me të rinjtë: Beteja që na thërret më 18 shkurt

Lulzim BASHA

Në përgjithësi thonë se është sallë e mirë, salla e deputetëve, salla e grupit parlamentar, salla e Këshillit Kombëtar, por asnjëherë nuk është aq e bukur kur e mbush rinia demokrate, kur e mbush rinia shqiptare.
Mirëse keni ardhur, në veçanti 250 anëtarët e rinj që i bashkohen Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Mirëse vini në Partinë Demokratike.
Një pjesë prej jush janë gjimnazistë dhe studentë, mirëse keni ardhur!
Ju vini në shtëpinë e lirisë. Partia Demokratike lindi si shtëpi e lirisë dhe në qoftë se ka një fjalë të vetme me të cilën duam ta përshkruajmë veten tonë, është liria.
Para shumë vitesh një nga presidentët më popullorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan, njeriu përgjegjës për rrëzimin e Murit të Berlinit dhe fundin e tiranisë komuniste në Europë dhe në Shqipëri, u pyet nga studentët, se cili ishte ndryshimi mes të djathtës dhe së majtës, kush ishin më të këqij, komunistët apo nazistët dhe ai dha një përgjigje që unë dua ta ndaj me ju.
Për mua, tha, nuk ka të majtë e të djathtë, për mua ka lart dhe poshtë. Lart ato shoqëri që janë gjithmonë e më të lira, ku njerëzit janë gjithmonë e më të lirë. Sa më i lirë njeriu për të zgjedhur, sa më i lirë i riu për të zgjedhur shkollën ku shkon, fakultetin që do, profesionin që dëshiron të ndjekë, mundësitë për t’u zhvilluar nga ana kulturore, sportive, artistike, mundësitë për të dëgjuar dhe shijuar muzikën që i pëlqen më shumë, sa më e madhe liria e sipërmarrësit, për të zhvilluar idetë e tij apo të saj në një treg të lirë, pa kufizime, pa shantazhe, pa gjoba, pa kërkesa të kota, pa korrupsion, sa më i lirë të jetë njeriu aq më lart është ajo shoqëri, aq më lart është ai komb.
Dhe poshtë, sa më e madhe të jetë shtypja e shtetit, që zvogëlon lirinë e individit, sa më shumë rregulla, policë, gjoba, xhandarë, inspektorë, të cilët nuk shërbejnë për të rregulluar shoqërinë, por për të çrregulluar shoqërinë, në mënyrë që shumica dërrmuese e shqiptarëve, e qytetarëve të jenë skllevër të rregullave arbitrare, që zbatohen vetëm kur ka qejf, taksidari, doganieri, polici i korruptuar, xhandari, zyrtari, burokrati, por nuk zbatohen për ata që janë në krye, aq më poshtë është ajo shoqëri.
Ju vini në një vend që ne i themi, shtëpia e lirisë dhe këtu qëllimi kryesor sot dhe akoma më shumë nesër kur shqiptarët të na besojnë me votë të lirë qeverisjen e Shqipërisë, do të jetë zgjerimi i hapësirës së lirisë, që do të thotë mundësi.
Mungesa e lirisë është pamundësi.
Liri nga çfarë?
Kur kjo parti u themelua, përgjigjja ishte e thjeshtë. Liri nga diktatura.
Nuk dëgjonim dot muzikën që kishim qejf, shkoje në burg po të dëgjojë radio të huaja ku luhej rock and roll, apo të vishje një palë xhinse apo të mbaje flokët e gjata, apo të bëje shfaqje të huaja siç i thonin atëherë. Se tani më duhet t’ua përkthej unë juve, se ju tani nuk e keni idenë se për çfarë bëhet fjalë. Shtypje totale, terror total nuk lexoje dot librat që ishin të ndaluar, as nuk ekzistonin fare. Kush kishte ndonjë kopje nën dorë, mund të përfundonte shumë keq po të merrej vesh.
Për lirinë nga diktatura u ngritën ata që ishin në moshën tuaj, para 26 vitesh. Të rinjtë, e nisën qindra metra prej këtej nga Qyteti “Studenti” përballjen, përplasjen që rrëzoi diktaturën dhe hapi horizontin e lirisë për shqiptarët. Liri që erdhi duke u zgjeruar, duke marrë dimensione që ndoshta në fillim ishin dhe të parrokshme nga mendja. Dimensioni i fundit që fituam ishte para 6-7 vitesh, ishte lëvizja e lirë në Evropë pa viza.
Me pasaportën që ke në xhep secili prej jush shkon në aeroport merr avionin dhe udhëton.
Po sa drama njerëzore ndodhën para se të fitonim këtë liri?
Po sot për çfarë lirie e kam fjalën? Apo ju thërras të mbrojmë monumentet e të shkuarës, lavdinë e dikurshme të PD-së apo kemi një kërcënim real ndaj lirisë tuaj dhe prindërve tuaj, ndaj lirisë së çdo shqiptari.
Është kjo e dyta, kjo është thirrja për betejën në të cilën jemi bashkuar. Besoj se e keni të qartë se nuk keni ardhur për të marrë privilegje as për zbavitje. Keni ardhur për një betejë, s’ka dyshim, s’ka pikën e dyshimit që e keni të qartë.
Për çfarë lirie e kam fjalën?
Çfarë kërcënimi kemi sot? Sot kemi kërcënimin nga një tjetër tirani e rrezikshme. Pikërisht se është e kamufluar, është prapa fasadave, është prapa propagandës. Duket sikur i kemi liritë tona, për të folur, për të shprehur, për të punuar për të jetuar në një vend normal demokratik. Por nuk është kështu. Sepse në një vend ku më i miri, më i afti, më i përgatituri nuk çan dot përpara po ndëshkohet dhe më i paafti, hajduti, gënjeshtari, krimineli, jo vetëm çan përpara, por arrin majat, majën e pushtetit dhe të pasurisë, atëherë ky është një vend i robëruar nga e keqja. E kam fjalën për lirinë nga e keqja.
Lirinë që e mira të konkurrojë dhe të fitojë thjesht duke qenë e mirë.
Tani do të përmend një fjalë, e cila është fjalë shkencore, bazohet në greqishten e vjetër, por ndoshta ngjan dhe me një fjalë që përdorin dhe fëmijët. Ndoshta origjinën e ka të njëjtë kakistokraci. Kakos-kaka, më e keqja. Sundohesh nga e keqja. Sundohesh jo nga vlerat, por nga antivlerat, që vendosin për ty dhe shokët e tu. Jo ata që zgjidhen me votë të lirë sepse premtojnë më të mirën, sepse kanë vizion, sepse kanë program, kanë ofertë, sepse kanë kredenciale, kanë respektin tuaj, por ata që e zhvasin pushtetin përmes zgjedhjeve të kapura, përmes votave të blera, përmes forcës së krimit, përmes pushtetit të krimit.
Kjo është beteja që na thërret.
Sot kam bërë publike në praninë e sipërmarrjes shqiptare planin tim për 10 mijë stazhe të paguara në vit për të sapodiplomuarit. 10 mijë stazhe, ndërkohë që ne kemi 17-19 mijë të rinj që hyjnë në tregun e punës dhe kërkojnë punë. Kërkojnë punë dhe nuk gjejnë punë, sepse nuk ka punë. Jo nuk ka specialist, por s’ka punë. S’ka punë sepse ekonomia ka frenuar në vend.
Sot dita ka filluar me shpalosjen e platformës ekonomike-sociale të PD në prani të ekspertëve të “Konrad Adenauer” dhe CDU, partisë tonë simotër, dhe po mbaron me gjënë më të bukur; takimin me ju. Këtu kemi një interes të përbashkët, ne politikëbërësit e qeverisë së ardhshme, sipërmarrësit, ju dhe prindërit tuaj. Me 24 milionë euro në vit ne do të financojme 10 mijë stazhe, në mënyrë që të mos rrini rrugëve dhe kafeneve, por të futeni në botën e prodhimit, punës, indrustrisë, të shërbimeve, me kapacitetet tuaja, me një siguri financiare sigurisht minimale, por me shansin që të krijoni përvojë në punë, të krijoni njohje. A e dini sa persona me statistikë punësohen nga stazhierët? 7 në 10, e atyre që kryejnë stazhin marrin oferta pune.
Ja pra, që nuk do të rrijmë duarkryq dhe kemi mundësinë t’iu mbështesim. Kemi mundësinë t’iu mbështesim dhe do t’iu mbështesim. Do t’iu mbështesim! Do të jem në krahun tuaj! Ky është vetëm një nga programet që do të riaftësojë ekonominë shqiptare, do të çlirojë energjitë pozitive, do të vërë në lëvizje motorët e zhvillimit, do të hapin vende të lira pune, do e rikthejnë Shqipërinë si ekonomi konkurruese si me Maqedoninë, Kosovën, Serbinë. Vende të cilat, të gjitha sot na e kalojnë. Kjo do të ndryshojë dhe jo vetëm ju këtu, por sigurisht çdo i ri dhe çdo e re Lulzim Bashën do ta ketë në krah.
U ndala tek kjo çështje si çështja e ditës, një mesazh të fundit e kam përpara se të nisim bashkëbisedimin. Qëllimi i gjithë kësaj, është që të ndalë këtë të keqe. Të ndalë largimin e rinisë nga vendi e të fillojë rikthimin edhe të atyre mijëra të rinjve që janë larguar apo që përfundojnë shkollën jashtë vendit. Siç kemi këtu, Rudina Hajdarin studente e shkëlqyer në SHBA, më pas stazhiere e më pas e punësuar në Kongresin amerikan. Vajza e Azem Hajdarit, sot rikthehet në Shqipëri, sepse ka shpresë ka besim dhe vendosmërinë për të luftuar për një të nesërme më të mirë që vjen përmes lirisë.

Nuk do ti lejojmë kurrë të kapin zgjedhjet

Liri barazi me mundësi dhe liria themelore është liria për të zgjedhur. Liria për të zgjedhur përcakton çdo liri tjetër. E ka kuptuar këtë edhe e keqja; ndaj do të shkatërrojë zgjedhjet e shqiptarëve. Do të kapë zgjedhjet e shqiptarëve e kërkon t’i blejë dhe kërcënojë këto zgjedhje. Pasi e bënë baltë për 4 vite dhe nuk realizuan asnjë nga premtimet që bënë kur erdhën në pushtet, si: 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizime falas, më pak taksa për shqiparët, çmimin e energjisë, i mbani mend të gjitha apo jo, tani shpresën e vetme e ka të prishë zgjedhjet, t’i kapë ato dhe të deformojë vullnetin e shqiptarëve. Ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë.
Institucionalisht si parti me përgjegjësi para qytetarëve ju kemi dhënë një platformë që në maj të vitit të kaluar, që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, me votim dhe numërim elektronik, me zbatim të ligjit të dekriminalizimit, me transparencë për financat e partive politike me akses të barabartë në media. E çfarë thanë? Jo, jo, jo! Ose bëjnë sikur s’dëgjojnë dhe tani thonë s’ka më kohë.
Ndaj më 18 shkurt ne do të ushtrojmë të drejtën tonë më fisnike, të drejtën si qytetarë. Tani që hapësira institucionale për zgjidhje është bërë zero, fatin do ta marrin në dorë qytetarët. Më 18 shkurt, do të ngrihemi të gjithë për t’i treguar sa shumë jemi, sa shumë jemi ne. Jo vetëm ne demokratët, por ne shqiptarët që kemi respekt për veten tonë, që kemi respekt për njëri-tjetrin, që nuk e konsiderojmë popullin shqiptar dele dhe që nuk pranojmë zgjedhje të kapura, të prishura, të vjedhura nga politikanët e korruptuar dhe kriminelet e lidhur me ta.
Më 18 shkurt, në Tiranë, shqiptarët mblidhen në një protestë mbarëpopullore që kalon kufijtë politikë, për të marrë së bashku një vendim shumë të madh. Ndaj jam e sigurt që rinia do të jetë e përfaqësuar në numër të lartë sepse i takon asaj të jetë në ballë të kësaj beteje, kësaj lufte për të siguruar lirinë, që në fjalët e presidentit Regan është gjithmonë një brez larg zhdukjes. Nëse një gjeneratë nuk lufton për lirinë, liria zhduket.
Ne do t’i japim fund këtij sistemi që promovon të keqen, të paaftin, gënjeshtarin, kriminelin, e do të promovojmë njerëzit që në bazë të aftësive dhe talentit të çajnë përpara. Të rinjtë në ballë të saj dhe kështu do t’i japim Shqipërisë lirinë për të qenë një vend modern dhe europian.
Faleminderit dhe mirësevini në shtëpinë e lirisë! Në betejën për të mirën, për demokraci dhe për liri.

Do të anuloj ditën e parë ligjin e Arsimit të Lartë

Gjendja sot në Shqipëri është alarmante. Vendi është në kaos. Varfëria është në ekstrem. Papunësia rritet ditë për ditë.
Shumica e rinisë e ka mendjen të largohet, në vend që të qëndrojnë dhe të luftojnë, sepse, sistemi që sot sundon Shqipërinë, është sistemi që vret shpresat dhe mundësitë tuaja, në vend se t’i nxisë ato.
Sistemi politik, sistemi ekonomik, sistemi shoqëror, në vend që t’i nxisë, t’i mbështesë, t’i bëjë të mundura ëndrrat tuaja, i mbyt ato.
Duke filluar me arsimin e lartë. Investimin më serioz që bën një familje dhe një shoqëri, një komb, tek e ardhmja e vet. Shikoni çfarë ligji kaluan, një ligj që centralizon gjithçka në vend që ta shpërndajë vendimmarrjen. Në vend që t’i japë mundësi, përmes lirisë duke ju dhënë edhe ju peshë në këtë proces, kaluan gjithçka në dorë të pushtetit dhe levave të pushtetit. Centalizim total. Poshtërim i pedagogëve. Anashkalim total i studentëve dhe e gjitha kjo me paratë e prindërve tuaj. Kjo është hilja më e madhe. Jo vetëm nuk rritën buxhetin për arsimin e lartë, por tani rritën shpenzimet duke rritur barrën fiskale duke rritur tarifat, duke rritur barrën financiare të prindërve tuaj.
Prandaj është e domosdoshme për ta zmbrapsur këtë të keqe në fushën e arsimit. Prandaj ditën time të parë si Kryeministër gjëja e parë që do të bëj është shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë. Paratë e taksapaguesve, të prindërve tuaj do të shkojnë për të financuar në radhë të parë arsimin publik, i cili do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin. Edhe ato filiale që janë mbyllur, ne do t’i rihapim. Nuk do të ketë asnjë student apo studente që nuk mund të studiojë për shkak të pamundësive ekonomike. Çdo studenti, sipas mundësive të tij, do t’i ofrohet mundësia për të studiuar.
Do të investojmë fuqimisht në rritjen e cilësisë së arsimit në universitete publike, përmes garës, konkurrencës dhe mbështetjes financiare në të gjitha format, të më të mirëve, pedagogëve më të mirë, studentëve më të mirë universiteteve më të mira. Kjo nuk do të thotë që i deklarojmë armiq unversitetet private, përkundrazi. Ne jemi ata që kemi krijuar hapësirën e lirisë që ato të ekzistojnë.
Do të krijojmë të gjitha mundësitë për një konkurrim të denjë të të gjitha institucioneve private të arsimit të lartë dhe institucioneve publike. Por mbështetja financiare për institucionet publike do të jetë e plotë e gjithanshme. Do të bëjmë që në bazë të meritës dhe preferencës të zgjidhet dega që çdo student kërkon. Të ndiqet me cilësinë më të lartë fakulteti përkatës dhe ç’është më e rëndësishmja, kur të mbarojë studimet, studenti të mos dalë vetëm me një copë letër. Studentët duhet të kenë të gjithë motivimin për të dalë sa më mirë sepse pas kësaj e pret një mundësi tjetër. Me qeverisjen time e pret një mundësi tjetër.