Ballina Aktualitet Pse policia fsheh shumën e parave, ishin 10 thasë nga 1 milionë...

Pse policia fsheh shumën e parave, ishin 10 thasë nga 1 milionë euro

Policia nuk dha asnjë shifër të parave të grabitura nga maskat në dy makinat e bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar. Fillimisht mediat pranë qeverisë bënë të ditur se janë grabitur 100 mijë euro. Më pas, po këto media publikuan lajme se në makinën e bankës së nivelit të dytë u grabitën 5 thasë me para. Ndërsa më vonë deklaruan se janë grabitur 6-7 thasë me para.
Kanë qenë dëshmitarët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë filmuar skenën e grabitjes dhe e kanë shpërndarë videot në rrjetet sociale. Dëshmitarët bënë të ditur se, maskat kanë grabitur 10 thasë me para. Në secilin thes ndodheshin 1 milion euro dhe në total shuma e parave të grabitura është 10 milionë euro.
Në grabitjet e tjera të kësaj natyre, policia ka dhënë një shifër qesharake të parave të grabitura, ndërsa për rastin e djeshëm nuk dha asnjë shifër. Po ashtu, policia pranoi se afër vendit të ngjarjes ndodhej një patrullë policie, por nuk ka ndërhyrë për shkak të trafikut të rënduar. Ky është një mashtrim i radhës i policisë së Tahirit, pasi dihet nga të gjithë se në zonën ku u krye grabitja nuk ka patur asnjë herë trafik të rënduar automjetesh. Si ka mundësi që rruga nuk ishte e bllokluar për grabitësit që u larguan me shpejtësi me dy makinat e tyre, ndërsa ka qënë e bllokuar për policinë?
Policia bëri të ditur se grabitja është kryer nga dy autorë, ndërsa dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se ishin 5 persona të maskuar dhe të armatosur që kryen grabitjen e parave në dy makinat që po transportonin paratë drejt Rinasit. Sipas policisë, grabitësit kanë prerë me motosharrë pjesën e pasme të dy blindave të kompanisë private të sigurisë dhe kanë marrë paratë. Mësohet se një nga shoferët e kompanisë private që transportonte paratë ka mbetur i plagosur në dorë. Endrit Daçi, 31 vjeç ka marrë plagë në pjesën e dorës. Stafi mjekësor po kuron 31-vjeçarin e plagosur, i cili u arrestua së bashku me 4 personat e tjerë, punonjës të SHPSF që po transportonin paratë. Bëhet e ditur se, shoferi i plagosur kishte nisur punë në kompaninë private ditën e djeshme.
Policia ashtu si edhe në rastet e tjera të grabitjeve të bankave nuk ka arritur të arrestojë autorët, por vetëm rojet e sigurisë së parave. Policia e Tiranës bëri të ditur mbrëmë nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, janë arrestuar shtetasit Xhelil Metaj, 43 vjeç, punonjës SHPSF, Gentian Dedja, 31 vjeç, punonjës SHPSF, Përparim Logu, 39 vjeç, punonjës SHPSF, Endrit Daçi, 31 vjeç, shofer i shoqërisë, Dashamir Balla, 42 vjeç, shofer i shoqërisë.
Skema e përdorur nga autorët është e ngjashme me grabitjet e mëparshme. Ashtu sikurse në dhjetor të vitit 2015, kur u krye një grabitje po në këtë aks dhe po kaq spektakolare, edhe dje autorët ishin me maska dhe të kamufluar me uniformë ushtarake. Ata u zunë pritë mjeteve të blinduara të kompanisë private të sigurisë që po transportonte milionat e një banke të nivelit të dytë drejt Rinasit.
Pasi ndaluan si në një postbllok policor, makinat e blinduara të kompanisë private të sigurisë, ata morën paratë dhe i ngarkuan në makinën e tyre. Filmimet e shumta të dhjetëra dëshmitarëve në zonë, as që u bënin përshtypje grabitësve, të cilët vazhdonin të qetë aksionin e pazakontë në aksin më të qarkulluar në Shqipëri.
Pasi morën thasët me para u larguan prej andej, duke djegur makinën e tyre në afërsi të Tapizës, një metodë e njohur kjo për të zhdukur gjurmët. Djegia e makinës është “aksioni” i fundit i tyre dhe më pas nuk dihet asgjë për to, të paktën deri më tani.

Policia: Nuk ndërhymë sepse kishte trafik të rënduar

Policia pranoi se afër vendit të ngjarjes ku ndodhi grabitja e parave në Qafë Kashar ndodhej një patrullë policie, por nuk ka ndërhyrë për shkak të trafikut të rënduar. “Patrulla e policisë e ndodhur pranë ngjarjes ka hasur në trafik dhe efektivët janë nisur më këmbë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Ky është një mashtrim i radhës i policisë së Tahirit, pasi dihet nga të gjithë se në zonën ku u krye grabitja nuk ka patur asnjë herë trafik të rënduar automjetesh. Si ka mundësi që rruga nuk ishte e bllokuar për grabitësit që u larguan me shpejtësi me dy makinat e tyre, ndërsa ka qenë e bllokuar për policinë? Ndërkohë policia deklaron se, nuk ka patur asnjë telefonatë në sallën operative nga ana e kompanisë së sigurisë. Rojet e sigurisë bënë të ditur se kanë njoftuar policinë në momentin që janë sulmuar nga grabitësit e armatosur.

Grabitësit në drejtim të paditur për policinë

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por ashtu si edhe në rastet e tjera të grabitjeve të bankave nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Sipas policisë, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka gjetur dy makina të djegura, të cilat sipas saj, i përkasin autorëve të grabitjes së parave në Qafë Kashar. “Nga shërbimet policore, janë konstatuar/gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave, në vendin e quajtur “Rruga e Hajdutëve” në Fushë Prezë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grabitja e djeshme që ndodhi në aksin rrugor Tiranë-Rinas nuk është e para e këtij lloji dhe skema është pothuajse e njëjtë; persona të maskuar dhe të armatosur u dalin përpara makinave të kompanive të sigurisë që dërgojnë paratë drejt Aeroportit të Rinasit për t’i transferuar jashtë vendit.
Grabitja tjetër e ngjashme me atë të djeshmen, është ajo e ndodhur më 3 dhjetor të vitit 2015. Persona të veshur me uniformë policie arritën të merrnin një sasi prej 3.8 milionë euro në aksin Tiranë-Rinas. Paratë e një banke të nivelit të dytë po transportoheshin nga rojet private të sigurisë në drejtim të aeroportit të vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë, për t’u transportuar më pas në drejtim të Austrisë.
Ishin dy automjete të kompanisë private si dhe një furgon që po udhëtonin drejt Rinasit, kur papritur një makinë fuoristradë u ndërpreu rrugën në mes të autostradës.
Përballë kërcënimit të armëve, grabitësit të veshur si policë thyen xhamat e automjetit të kompanisë që transportonte paratë, duke marrë prej andej shumën e konsiderueshme prej 3.8 milionë euro. Makina e përdorur për grabitjen u gjet më pas e djegur në zonën e Domjes në Tiranë, duke humbur kështu gjurmët e krimit.
Grabitja më spektakolare është ajo e 30 gushtit të vitit 2016, kur persona të maskuar dhe të armatosur grabitën në pistën e avionëve në Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit 10 milionë euro. 10 milionë euro u grabitën, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende plotësisht. Grabitja spektakolare u regjistrua në mes të ditës. Tre persona të maskuar, pasi prenë menteshat e portës së jashtme, hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, duke marrë paratë e një banke të nivelit të dytë, që i transportonte ato jashtë vendit.
Policia e Tiranës sqaroi në atë kohë se rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin. Pasi kanë hyrë në makinë në pistën e avionëve në aeroport, autorët i janë drejtuar me një armë kallashnikov drejtuesit të mjetit që transportonte sasinë prej 10 milionë eurosh. Policia tha se, shuma e parave po transportohej drejt terminalit dhe kishte destinacion Bashkimin Evropian.
Zakonisht, bankat e nivelit të dytë transportojnë paratë drejt qendrave mëmë të tyre, ndërsa ende mbetet e panjohur se si autorët kuptojnë për transportimin e sasive të parave dhe organizojnë më pas grabitjen.

Exit mobile version