Leicester në 1/8 e FA Cup

Leicester City është skuadra që kompleton fazën e 1/8 në FA Cup, me “dhelprat” që eliminuan në mënyrë dramatike ekipin nga Championship-i Derby County. Ankthi dhe emocionet e zakonshme të kupës më të vjetër në rruzull në rang klubesh shoqëruan edhe këtë herë këto dy ekipe, sidoqoftë në fund skuadra e Ranierit pati nevojë për kohën shtesë, për të triumfuar në Leicestershire me rezultatin 3–1. Kurioz mbetet fakti që ndonëse ishte takimi që hapi turin e katërt të FA Cup në përfundim ky rezultoi edhe dueli i vetëm që pati nevojë për një ndeshje tjetër. 12 ditë më parë në “iPro Stadium” të dy klubet e vlerësuan në maksimum sfidën dhe takimi prodhoi barazimin 2-2, falë një loje vërtet spektakolare, ndërsa këtë herë në ndeshjen replay për shkak të kalendarit të ngjeshur të dy trajnerët bënë ndryshime të mëdha në skuadrat respektive. Dihet, Ranieri ka problemet më të mëdha, pasi nga titulli i çmendur që fituan vetëm nëntë muaj më parë, “dhelprat” rrezikojnë ndjeshëm për t’u rrëzuar në Championship, prandaj edhe trajneri italian e filloi takimin me plot 10 ndryshime, krahasuar me ndeshjen me Manchester United, ndërsa Steve McClaren në krahun tjetër synon zonën play off dhe ish-trajneri i përfaqësueses angleze e nisi ndeshjen pa tetë titullarë.
Pas ekuilibrit të pjesës së parë në “King Power Stadium” gjithçka u zhbllokua që në 47′ dhe vendasit kaluan në epërsi falë një krosimi në thellësi të Demarai Gray-t. Topi u kthye pothuajse mbi vijën fundore nga Marc Albrighton, i cili shërbeu në mënyrë të shkëlqyer për sulmuesin e përfaqësueses uellsiane Andy King, që krejtësisht i zbuluar shënoi me kokë nga shumë pranë portës. Miqtë nuk u demoralizuan aspak, por barazuan vetëm çerek ore më vonë, falë një goditjeje dënimi të sulmuesit nga Guinea Abdoul Camara, që gjeti rrjetën me ndihmën e një devijimi të mbrojtësit Ben Chilwell. Në 84′ kryesori Mike Jones i kurseu portierit të Derby-t Jonathan Mitchell kartonin e kuq, për një prekje të topit me dorë jashtë zonës së tij, kur ishte në duel me sulmuesin Ahmed Musa, ndërsa në 90′ mbrojtësi Max Lowe për pak sa nuk shkaktoi autogol, por topi i ulur me gjoks prej tij u ndal nga shtylla. Leicesteri u rikthye në avantazh që në 4′ të kohës shtesë, pas goditjes së mbrojtësit nigerian të ardhur nga Genku për vlerën e 15 milionë stërlinave Wilfred Ndidi, ndërsa Demarai Gray mbylli llogaritë 6′ para fundit me një sllallom mes mbrojtësve kundërshtarë, për të kualifikuar “dhelprat” përfundimisht për në raundin e pestë, ku më 18 shkurt Leicester City do të masë forcat në Londër me klubin nga League One Millwall.