Interi në telashe

Tri mungesa që vlejnë sa 67,5% e golave të Interit në këtë sezon. Ndaj Empolit, Stefano Pioli nuk do të ketë në dispozicion tre golashënuesit më të mirë të skuadrës, pasi Mauro Icardi dhe Ivan Perisiç janë të skualifikuar, ndërsa Marcelo Brozoviç u largua i dëmtuar nga ndeshja me Juventusin pas një kontakti që pati me Miralem Pjaniç. Të dielën, Interi nuk do të ketë të gatshëm, 3 lojtarë që i kanë garantuar mesatarisht 2 nga 3 gola, pra tre futbollistë që së bashku kanë realizuar dyfishin e golave që ka shënuar pjesa tjetër e skuadrës. Ndaj Empolit do të qëndrojnë në tribunë tri emra që i kanë dhënë 9 fitore Interit nga 13 në total në këtë sezon. Askush nuk do ta kishte imagjinuar se ndeshja me Juventusin do të linte kaq shumë pasoja te zikaltërit dhe tashmë Stefano Piolit i duhet të zgjidhë ngërçin e golit që ka përfshirë pjesërisht futbollistët e tjerë të skuadrës gjatë këtij sezoni.
Pyetja është kush do të shënojë ndaj Empolit dhe ndoshta edhe ndaj Bolognës sepse me shumë gjasa Icardi-Perisiç dhe Brozoviç do të mungojnë edhe në atë takim. Nga 37 golat që ka realizuar në Serinë A, Interi, 25 mbajnë firmat e atyre të 3-ve. Alternativat gjithsesi nuk mungojnë për 51-vjeçarin, por problemi i madh është se sa do të dinë t’i zëvendësojnë këta tre lojtarë emra të tillë si Palacio, Eder apo edhe Banega. Gabigol edhe pse është blerë për 30 milionë euro pavarësisht mungesave edhe ndaj Empolit pritet ta nisë sfidën nga stoli dhe ndoshta mund të jetë lojtari i parë që mund t’i vijë në ndihmë Interit nga pankina.
Pioli për ndeshjen e kësaj të diele ndaj Empolit do të grumbullojë edhe talentin e Primaveras, Pinamonti, i cili pasi debutoi në Europa League mund të luajë për disa minuta edhe në kampionat. Pritet më shumë nga Candreva dhe Joao Mario, të cilët në dy sfidat e ardhshme të kampionatit duhet që jo vetëm të furnizojnë shokët me krosime dhe pasime, por edhe të realizojnë pasi vetëm kështu, Interi mund të rikthehet te fitorja në kampionat dhe të luftojë deri në fund të sezonit për vendin e 3 që të kualifikon në Champions League.
Kur mungon argjentinasi nerazzurrët kanë “dhembje” pasi Eder, Rodrigo Palacio e Gabigol nuk konsiderohen si të denjë për ta zëvendësuar kapitenin. Për këtë, drejtuesit e Interit gjatë verës po synojnë ta sjellin një super sulmues në skuadër. Sipas “Corriere dello Sport” nerazzurrët kanë dy opsione: Alexis Sanchezin dhe Sergio Aguero.
I pari nuk ka vazhduar kontratën me Arsenalin dhe pritet të largohet nga klubi gjatë verës, derisa i dyti nuk po bën pjesë në planet e Pep Guardiolas. Kështu, Interi do të tentojë që njërin nga këta ta transferojë në “San Siro”.