Ballina Politikë Dako, Rama dhe klienti i tyre po rrënojnë pasurinë historike, për të...

Dako, Rama dhe klienti i tyre po rrënojnë pasurinë historike, për të përfituar 6 milionë dollarë

Në sheshin “Veliera” të Durrësit, po shkatërrohet pasuria arkeologjike e qytetit me një projekt të paligjshëm e korruptiv të Edi Ramës e Vangjush Dakos, me të njëjtin klient si në rastin e stadiumit “Qemal Stafa”.
Basha e denoncoi këtë aferë dhe u bëri thirrje qytetarëve për protestë duke folur në zonën ku po hidhet betoni i Dakos.
Kryetari i Partisë Demokratike u bëri thirrje qytetarëve të Durrësit të bashkohen në lëvizjen e madhe të 18 shkurtit në Tiranë, për të ndalur pushtetin e korruptuar dhe të inkriminuar që i ka braktisur ata dhe që kërkon të ruajë interesat e tij klienteliste e korruptive.
“Pa pyetur qytetarët dhe në kundërshtim me ligjin, pa asnjë leje arkeologjike apo mjedisore, po hedhin 6 milionë dollarë të taksave të durrsakëve, 6 milionë dollarë të shqiptarëve, për një mur betoni. Nga këto 6 milionë dollarë, 3 milionë do të shkojnë për të blerë beton tek Gjushi. Me këto 6 milionë dollarë mund të ndërtoheshin 500 apartamente për çiftet e reja të pastreha të Durrësit. Me 6 milionë dollarë mund të jepet asistencë ekonomike për 12 mijë familje në Durrës, të cilët sot nuk e marrin atë dhe nuk paguajnë dot as faturat e energjisë”, tha Basha.
Basha e përshëndeti reagimin e shoqërisë civile dhe të qytetarëve të Durrësit që kanë reaguar për këtë projekt skandaloz e korruptiv që shkatërron vlerat historike të qytetit, për interesa personale e financiare të Dakos e Ramës.
Por Basha theksoi, se duhet një bashkim i madh si i 18 shkurtit, për të ndalur këtë kastë të korruptuar që kërkon të qëndrojë në pushtet për të vazhduar vjedhjet dhe abuzimet, duke mos lejuar votën e lirë të qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
“Më 18 shkurt i ftoj qytetarët e Durrësit që zemërimit të tyre t’i japin zë, që protestës së tyre t’i japin formë duke u bashkuar në Tiranë. Duke u ngritur bashkë në Tiranë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes të cilave të sjellim një qeveri që nuk i shpenzon paratë e taksave të tyre për të mbushur xhepat Dako-Rama, por i shpenzon për problemet e tyre akute që kurrë nuk kanë qenë më të mprehta për Durrësin dhe qytetarët e tij”, bëri thirrje Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike i garantoi qytetarët se nuk do të lejohet më që bandat të vendosin zgjedhjet.
“Nuk do të lejojmë kurrë Edi Ramën me hajdutët dhe bandat e tij të mbajnë peng Shqipërinë. Ndaj më 18 shkurt t’i japim një përgjigje të fortë, duke u bashkuar në Tiranë, për të gjitha të këqijat. Për çfarë premtuan dhe nuk bënë dhe për çfarë bëjnë kundër interesit qytetar. Më 18 shkurt të ngrihemi bashkë në Tiranë e prej aty në mbarë Shqipërinë në një lëvizje popullore që nuk do të përfundojë pa rrënuar këtë qeveri, e pa iu kthyer pushtetin qytetarëve me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Lulzim Basha.

Exit mobile version