A do të hiqet noterizimi i çertifikatave për importet?

“Noterizimi i çertifikatave të produkteve joligjore shton kostot për biznesin”, kështu shprehet Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Eksporteve shqiptare dhe shoqatës “Industria Shqiptare e Ushqimit”. Sipas tij, kanë nisur përpjekjet me qeverinë shqiptare për heqjen e noterizimit të çertifikatave për produktet e importit.
Në letrën drejtuar zyrës së kryeministrit Edi Rama thuhet: “Një detyrim i tillë, nuk është i bazuar në ligj, shton kostot kohore dhe monetare ndaj biznesit dhe nuk ka as edhe një ndikim në rritjen e sigurisë ushqimore”.
Në të theksohet se, “shtimi i kostove të bizneseve për pagesat për përkthim e më pas edhe noterizim, përveç kohës së vënë në dispozicion të këtij procesi, është evident dhe në mënyrë të përafërt përllogaritet në disa miliona euro në vit. Kjo kosto gjithsesi ndikon konkurrueshmërinë e produkteve tona krahasimisht me ato të importit. Përkthimi dhe noterizimi i çertifikatave (përkthyesi apo noteri nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin e përmbajtjes së çertifikatës dhe konformitetin e saj), e bën këtë proces pa asnjë ndikim të drejtpërdrejtë, as të tërthortë në rritjen apo/dhe garantimin e sigurisë ushqimore”.
Juristët dhe ekspertët e Qendrës së Eksporteve shqiptare dhe Albanian Food Industry, kanë mbërritur në përfundimin se, “detyrimi i çdo biznesi nga AKU për të bërë përkthim zyrtar e noterizim të çdo çertifikate importi, nuk është i bazuar në ligj”.
Sipas nenit 18 “Çertifikatat e importit” të Ligjit Nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin” sanksionohet:
Ngarkesa e ushqimit të importuar shoqërohet me çertifikatë, në përputhje me kërkesat ndërkombëtare, për sigurinë e ushqimit që importohet.
Për ushqimin që importohet, çertifikatat e sigurisë së ngarkesave mund të njihen në mbështetje të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, të lëshuara nga autoriteti kompetent i vendit eksportues.
Në rast se nuk ka marrëveshje, sipas pikës 2 të këtij neni, njohja e çertifikatave dhe dokumenteve të tjera kryhet me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Çertifikatat dhe dokumentet e tjera të sigurisë duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e vendit prej nga ato vijnë.
Por është pikërisht urdhri 245, datë 03.08.2012, i ministrit të Bujqësisë, “Për shoqërimin me përkthimin zyrtar në gjuhën shqipe të çertifikatave veterinare për produktet me origjinë shtazore të importuara”, sipas të cilit operatorët duhet të bëjnë përkthimin zyrtar të çertifikatave “në rastet kur ato nuk janë të hartuara edhe në gjuhën shqipe”!
Mbi këtë bazë sa më sipër, vite e vite me radhë AKU ka detyruar bizneset të presin në radhë e të paguajnë për përkthim e më tej për noterizim të çertifikatave të importit.
Sipas Rregullave të Përgjithshme Europiane për Çertifikatat, konkretisht Direktiva e Këshillit 2002/99 / EC, datë 16 dhjetor 2002, përcaktohen rregullat sipas të cilave një shtet anëtar i BE-së mund të japë pëlqimin për përdorimin e një gjuhe zyrtare të komunitetit, në vend të gjuhës së tyre.
Pra, ndërsa për shembull, Franca jep pëlqimin për përdorimin e gjuhës angleze duke njohur çertifikatat në këtë gjuhë (anglisht), padyshim që edhe Shqipëria ka të drejtë të japë pëlqimin për të përdorur çertifikata në gjuhën angleze, si më shumë të përdorura, për më tepër që kjo është e sanksionuar edhe në nenin 18, pika 1 të ligjit për ushqimin të cituar më lart.
Në letrën drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Qendra e Eksporteve shqiptare dhe shoqata “Industria Shqiptare e Ushqimit”, nënvijëzojnë faktin se nuk është ligjore kërkesa e trysnia e AKU-së ndaj bizneseve për të përkthyer e noterizuar çdo çertifikatë, ndërsa duhet vetë strukturat e ministrisë që të zgjidhin këtë çështje me autoritetet e huaja.
Në bazë të argumenteve të paraqitura në emër të bizneseve që përfaqësojnë Qendra e Eksporteve shqiptare dhe shoqata “Industria Shqiptare e Ushqimit” kërkojnë heqjen e elementit të noterizimit të çertifikatës pasi shton kostot kohore dhe monetare ndaj biznesit.