18 shkurti fillimi i fundit të Establishmentit

Kastriot ISLAMI

Në 1989 rumunët u ngritën kundër rregjimit të Çausheskut dhe e rrëzuan përmes një revolucioni të përgjakshëm; Shqipëria i përjetoi fillimet demokratike me mbi një vit vonesë nga Rumania… por jo aq tragjikisht sa Rumania ndonëse Shqipëria ishte vendi më i varfër, më i izoluar dhe aspak demokratik i Europës, madje edhe i Ballkanit…Mund të thuhet se ndoqëm shembullin rumun, por jo me të gjithë tiparet e tij.
Në Rumani, para disa vitesh kanë dënuar një kryeministër dhe para dy vitesh kanë detyruar të dorëhiqet dhe të akuzojnë edhe një kryeministër tjetër, përkatësisht Adrian Nastase dhe Viktor Ponta, të dy kryetarë të PSD rumune…ndërkohë që edhe lideri aktual i PSD rumune Liviu Draganea është i dënuar për korrupsion në zgjedhje dhe presidenti aktual me kombësi gjermane nuk e ka dekretuar si kryeministër ndonëse sipas Kushtetutës partia fituese e zgjedhjeve të dy muajve më parë kishte të drejtën të caktonte kryeministrin…Kjo nuk ka ndodhur ende tek ne…por mesa duket nuk do të vonojë…
Rumania konsiderohet nga BE si një rast i suksesshëm nga vendet ish-komuniste në Reformën në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit elitar dhe megjithatë qytetarët rumunë janë të pakënaqur nga politikanët e korruptuar dhe mjafton diçka e vogël që të reagojnë fuqimisht siç ndodhi këtë rradhë kur dolën në shesh 500 mijë qytetarë…duke qenë vigjilentë për çdo veprim politik të gabuar, sepse e kanë shumë të qartë që edhe çështje në pamje të parë thjesht politike ndikojnë fuqimisht në jetën e tyre të përditshme, shtojnë hallet dhe shqetësimet e tyre, ata nuk presin që të organizohen apo drejtohen politikisht, por me ndërgjegje qytetare janë të gatshëm të vetëveprojnë dhe të reagojnë fuqimisht… Dhe s’duhet harruar se edhe Rumania është një vend ballkanik, ish-komunist, me tranzicion të mbushur me shembuj korrupsioni e krimi të organizuar, pra me realitet e mentalitet jo shumë larg Shqipërisë…
Rumania nuk është vendi më i varfër i Europës dhe është shumë më i pasur se Shqipëria, por qytetarët e saj reagojnë shumë më fuqimisht, madje edhe për çështje jo thjesht personale siç është varfëria, korrupsioni, shëndetësia, arsimimi e tjerë, por edhe kundër korrupsionit të politikanëve, kundër arrogancës qeveritare, kundër veprimeve tinzare të qeverisë, apo e kundër thjesht një ligji siç ndodhi këtë rradhë që tinëzisht dhe me arrogancë shumica e dalë nga zgjedhjet e para dy muajve çoi në Parlament për amnistinë e politikanëve të dënuar për korrupsion; qëllimi i të cilit ishte thjesht për të pastruar kryetarin e PSD nga akuza për korrupsion që të kishte mundësi të bëhej kryeministër; dhe qytetarët reaguan fuqimisht ndryshe nga çndodh tek ne që politikanët dënohen nga Gjykata Kushtetuese për abuzim me fondet publike dhe më tej ato jo vetëm amnistohen politikisht. por edhe emërohen në postet më të larta të shtetit…dhe asgjë nuk ndodh…
Në Rumani kanë dalë në protestë deri në 500 mijë qytetarë pra rreth 1/4 e Bukureshtit që nëse do të karahasohej me Tiranën do të thoshte të dilnin rreth 250 mijë qytetarë… dhe të gjithë këta kanë dalë pa pasur nevojë të organizohen apo drejtohen politikisht… për një çështje që në pamje të parë duket larg shqetësimeve të ditës, por që në realitet ndikon fuqimisht në jetën e tyre të përditshme…kanë dalë thjesht për tëe penguar një ligj hileqar të miratuar nga qeveria që amniston politikanët e korruptuar, sepse ata janë të ndërgjegjshëm se të gjithë të këqiat personale apo për familjet e tyre vijnë nga korrupsioni elitar i anëtarëve të qeverisë.
I thashë të gjitha këto jo për t’i bërë me dije qytetarëve shqiptarë shembullin rumun apo ndjekur atë, por thjesht për të treguar forcën e protestës qytetare ndaj veprimeve tinëzare, arrogante e korruptive të qeverisë…edhe në ato raste kur lidhja me shqetësimet e tyre nuk është direkte… Për më tepër që qytetarët shqiptarë janë më të varfërit në Europë, janë qytetarët e vendit ku të varfërit janë varfëruar po aq sa janë pasuruar politikanët e korruptuar…janë qytetarët më të dhunuar nëpër burgje për pamundësi të pagesës së energjisë për ngrohje apo bizneset në prag të falimentimit me gjoba të paarsyeshme, në mënyrë të tillë që rumunët as që mund ta imagjinonin….shqiptarët janë futur në stres deri në vetëvrasje nga largimet nga puna apo shpërfillja që shteti i bën halleve dhe shqetësimeve të tyre, apo se ju mungon ngrohja dhe nëse tentojnë të ngrohen arrestohen, apo se ju mungojnë ilaçet në spitale, duke shikuar fëmijën apo prindët duke vdekur, duhet të paguajnë rushfete për gjithçka…
Për më tepër që në Shqipëri dallimet ekstreme që dëgjojnë çdo ditë qytetarët janë të paimagjinueshme. Mjafton të dëgjojnë se cilët janë 30 politikanët më të pasur në Parlament. Çfarë pasurie zotërojnë ata; pasuri që lëviz nga 1 deri në disa dhjetëra milionë euro. Dhe këtë pasuri e kanë vendosur ose me leje ndërtimi, ose duke fituar tenderat si pjesë e klientelës, ose duke përfituar nga privatizimet me vlera badiava, ose nga koncensionet, dhe tani që janë në pushtet pasuria e tyre rritet me shpejtësi marramendëse, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë janë pa punë, pa asistencë, pa asnjë të ardhur, por edhe kur janë në punë pagat nuk u janë rritur, apo pensionet nuk ju mjaftojnë edhe për shkak të taksave të fshehta që ja zvogëlojnë pensionin, ndërkohë që çmimet janë rritur…Dhe këta 30 politikanë të pasur nuk janë inxhinierë ndërtimi, por kanë qenë mjeshtra për të zhvatur pasurinë kombëtare dhe ndarë atë me politikanët e korruptuar apo ata kanë qenë sekserë për të fituar lejet e ndërtimit, privatizimet, tenderat; për më tepër shumica e tyre janë me diploma falso dhe arsimim të dyshimtë…nuk flasin asnjëherë në Parlament ose shumë rrallë kur ju duhet të reagojnë ndaj kritikave, për korrupsion që ju bëhen…bizneset ja kanë kaluar të afërmeve formalisht, ndërkohë që vazhdojnë avazin e vjetër të zhvatjes së fondeve publike aq më tepër që klientela e tyre është në pushtet…dhe këta flasin vetëm një herë në çdo dy vjet, duke blerë me paratë e korrupsionit votat e qytetarëve të varfër, ndërkohë që çmimi i votës ka filluar të ulet me rritjen e varfërisë së tyre…tani së fundmi janë bërë pjesë e skemës së manipulimit të votave përmes kultivimit të kanabisit…
Por ajo që është më e veçanta e këtij Parlamenti, në kohë dhe në hapësirë, pra që ka ndodhur për herë të parë dhe vetëm në Shqipëri, është numri deri në 15-20 për qind të përbërjes, e prezencës së individëve me rekorde të tmerrshme kriminale…Edhe këta nuk kanë lidhje me Parlamentin…Ata dinë vetëm të blejnë vota gjatë zgjedhjeve, tëe kërcënojnë votuesit dhe në shumë raste edhe të kërcënojnë deri fizikisht kundërshtarët politikë. Lidhja e krimit me politikën është një nga ngjarjet më të rënda që e ka dëmtuar rëndë jo vetëm imazhin e vendit, që turpëron çdo qytetar shqiptar sa herë del jashtë shtetit dhe dëgjon se Shqipëria nga vendi më i izoluar dhe më i varfër është tani përsëri vendi më i varfër, sepse është vendi më i korruptuar dhe më i kriminalizuar…
Por më e tmerrshmja që po i  ndodh vendit këto vitet e fundit është epiteti që e përcakton Shqipërinë si bastionin më të madh në Europë për kultivimin e kanabisit…natyrisht, duke shtuar se është një nga vendet tranzit të trafikimit të drogave të forta, kur politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin janë të implikuar edhe në kultivimin e kanabisit dhe trafikimin e drogave të forta…apo janë edhe përdorues të tyre…
Të gjitha këto do të ishin dukuri shumë negative, ashpërsisht të kritikueshme, me pasoja të tmerrshme për jetën e përditshme të qytetarëve, për rritjen e varfërisë së tyre, për papunësinë e tyre, por ato do të ishin të zgjidhshme nëse politika nuk do të ishte e lidhur dhe përfituese e të gjithë këtyre dukurive negative, nëse do të kishte një bashkëpunim transversal për të luftuar këto dukuri…Por në Shqipëri ndodh e kundërta të gjithë këto dukuri përdoren për të manipuluar zgjedhjet, për të mbajtur pushtetin, për të blerë votat, për të kërcënuar votuesit…
Ka ardhur koha që ky establishment i së keqes, që të varfërit i bën më të varfër e të korruptuarit më të pasur, që rrit numrin e të papunëve, që detyron qytetarët e pashpresë të emigrojnë, që zhvat çdo ditë pasurinë dhe asetet kombëtare, që mashtron dhe gënjen 24 orë në 24 dhe 7 ditë në javë, që ushtron dhunë mbi qytetarët dhe bizneset me idenë se është më kollaj ta dominosh një popull të dhunuar të marrë përgjigjen e merituar nga reagimi qytetar.
Ky establishment që ka vrarë konkurencën e ndershme, që ka eliminuar dhe shkatërruar hierarkinë sipas vlerave, aftësive dhe kontributeve, duke e zëvendësuar atë me klientelizimin e shëmtuar apo servilizmin e turpshëm, që promovon si model suksesi modelin e së keqes, që nxit median mjerane të klientelës që paguhet me paratë e korrupsionit, krimit dhe kanabisit të vendosë në terr gjithçka që thotë opozita dhe nga ana tjetër të sulmojë egërsisht, duke shpifur, sharë, dhe ofenduar çdo kundërshtarë të këtij regjimi të rrezikshëm për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e vendit…Ky establishment duhet të çrrënjoset me votën e lirë dhe nëse vota e lirë e zgjedhjet e ndershme do të cënoheshin, atëherë me siguri do të hynte në veprim, siç po ndodh në Rumani dhe në të gjithë botën demokratike largimi i qeverisë me protesta masive…
Arsyet që kanë shqiptarët për të protestuar janë shumë herë më të shumta se ato të rumunëve…ndoshta qindra herë më të shumta se të çdo vendi të zhvilluar demokratik…sepse arsyet e tyre lidhen me standardet minimale të jetesës së përditshme personale…arsyet për largimin e këtij establishmenti janë shumë herë më të shumta nga ato që evokoi Trump në fushatën e tij elektorale, madje establishmementi korruptiv, kriminal e kanabist shqiptar është veçse një kopje e shëmtuar banale e establishmentit që mundi presidenti amerikan…dhe për më tepër, ndërkohë që Trump arriti të fitonte ndaj establishmentit vetëm në sajë të respektimit të votës së lirë e të ndershme, në Shqipëri blerja e votës së tyre dhe kërcënimi i vullnetit të tyre për të votuar sipas dëshirës janë jo vetëm shumë të rënda, por mbi të gjitha janë shpjegimi i të gjithë fatkeqësive të tyre dhe pengesa e vetme për të larguar atë nga qeverisja e vendit me votë të lirë…
Shqetësime qytetare, nuk janë shqetësime vetëm të popullit opozitar…nuk janë aspak partiake, sigurisht që në dukje nuk janë thjesht politike, por natyrisht ato kanë lindur dhe janë rritur për shkak të politikës…
Por çfarë ndodh politikisht aktualisht. Klima politike është shumë e tensionuar. Mosbesimi është ekstremal. Jo vetëm për çështjet e qeverisjes, por edhe për çështjet e funksionimit të demokracisë, për rregullat e lojës, për zgjedhjet, për lidhjen e krimit me politikën, për përdorimin e kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve. Përkeqesimi është në nivelin më të lartë, i ngjashëm me ato të periudhave kur vendi është zhytur nga trazira sociale. Marrëdhëniet brenda koalicionit janë në nivelin më të ulët dhe qeverisja duket e shkërmoqur për të mos thënë e rënë. Sa herë që në Shqipëri janë evidentuar të tilla parametra, stabiliteti dhe qetësia janë prekur rëndë. Protesat e 18 shkurtit duket të jetë paralajmërimi i fundit i qytetarëve për të reflektuar dhe mundësuar zgjedhjet e lira e të ndershme, përndryshe fati i së ardhmes do të ishte në duart e protestuesve që mezi presin të dalin masivisht dhe të veprojnë energjikisht.
Prandaj opozita i kërkon qytetarëve të dalin masivisht e paqësisht, të demonstrojnë energjikisht për hallet e shqetësimet e tyre dhe të shprehin pa asnjë lloj frike kërkesat e tyre personale, individuale, familjare, por duke mos harruar dhe qenë të ndërgjegjshëm se ato nuk mund të zgidhen nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme. Sjellja arrogante dhe shpërfillëse e qeverisë ndaj kërkesave për zgjedhje të lira e të ndershme, madje përgatitjet e ethshme për manipulimin e zgjedhjeve, do t’i jepnin 18 shkurtit të drejtën të cilësohej si fillimi i fundit të establishmentit të korrupsionit, krimit dhe kanabisit dhe si fillimi i një ere të re që do të ishte në rezonancë të plotë me erën e re të ndryshimeve të rëndësishme.