“The Guardian”: Britania e alarmuar nga fluksi i emigrantëve shqiptarë

Emigrantët shqiptarë që kërkojnë të shkojnë në Britani të Madhe për të jetuar janë të shumtë. Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Britanisë rezulton se shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Angli. Në bazë të shifrave, nga viti 2008-2016 janë kapur 981 emigrantë shqiptarë të paligjshëm. “Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por kufizohet me Greqinë, vend në BE. Mafia shqiptare është e njohur për policinë britanike, si trafikantë dhe kontrabandistë të pamëshirshëm”, shkruan “The Guardian”. Shumica e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Britani të Madhe kapen në Calais dhe në portet e tjera evropiane përpara se të hipin në traget për në shtetin ishullor. Sipas britanikes “Guardian”, shqiptarët janë dy herë më shumë se emigrantët e paligjshëm të kombësive të tjera. Rreth 981 shqiptarë emigrantë klandestinë janë zbuluar në portet hyrëse në Mbretërinë e Bashkuar nga viti 2008 deri në pranverën e vitit 2016, thotë raporti zyrtar i cituar nga “Guardian”. “Numri i atyre që kanë hyrë në vend është shumë më i lartë. Ndër rastet është edhe një grua shtatzënë, e cila është zbuluar në një kamion në terminalin Humber në Killingholme pranë Grimsby në qershor 2015. Gazeta shkruan se, Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por kufizohet me një shtet anëtar të saj, siç është Greqia dhe se mafia është jo pak e njohur për policinë britanike si njerëz të pamëshirshëm në trafikun e klandestinëve dhe kontrabandimin e drogës. Afganët janë të dytët në listë, ku gjatë kësaj periudhe janë zbuluar 425 raste, të ndjekur nga algjerianët (424), iranianët (348), SHBA (322), palestinezët (129), etj. Shumica e emigrantëve të paligjshëm përdorin kamionët, duke hyrë nëpërmjet portit të Calais si dhe portet e tjera kontinentale. Në një nga operacionet më të suksesshëm të forcave të kufirit, bënë të mundur zbulimin e 68 emigrantëve në pjesën e prapme të katër kamionëve në Harwich në Essex, përfshirë këtu edhe gra shtatzëna dhe 15 fëmijë, aksion i zhvilluar në qershor 2015”, shkruan prestigjiozja britanike. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil. Vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve në dy vitet e fundit kishin origjinë nga vetëm tre vende: Siria, Afganistani dhe Iraku. Disa prej azilkërkuesve të Evropës ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve. Gati një në pesë azilkërkues dy vitet e fundit kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 në 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015,nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga 14,000 në vitin 2014). Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil, (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tre shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku.