Terror nga mafia e drogës mbi nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit të Kavajës

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje terrorin e ushtruar nga njerëzit e Elvis Roshit në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë. Përmes një postimi në Facebook, Berisha i referohet denoncimin të një stazhieri, i cili shkruan për terrorin e egër dhe manipulimin mediatik që po ushtrohet në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë pasi denoncoi shitjen e drogës te nxënësit nga falangat e trafikantit, përdhunuesit Elvis Rroshi, fushatën e terrorit e drejton drejtoresha e shkollës, e cila lejon dhe lehtëson këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu sipas denoncimit, drejtoresha e shkollës është e implikuar në zhdukjen e fondeve të uniformave. Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë me përparësi denoncimet tronditëse të stazhierit. “07.02.2017, 13:41:05: Ju lutem informoni publikun për ngjarjen e Kavajës. Në shkollë sot ka nisur terrori. Pas denoncimit që bëra tek ju dhe ju falënderoj që e bëtë publik zërin tim kërcënime të llojit më makabër, duke na kërcënuar edhe familjen. Dua t’ju njoftoj terrorin që ka ushtruar sot drejtoresha e gjimnazit ‘Aleksandër Moisiu’ Kavajë ndaj mësueses Lindita Vuka, duke e ofenduar dhe kërcënuar me largim nga puna. Gjithashtu ju njoftoj se ka thirrur televizionin ‘News24’ dhe ‘ABC news’ për të përgënjeshtruar lajmin e shitjes së drogës në gjimnazin tonë. Ajo së bashku me fresshistët kanë paguar prindër që janë militantë të PS për të përgënjeshtruar lajmin. Gjithashtu për t’u prononcuar përzgjodhi dhe disa mësues që janë ngjitur në majë duke u jargavitur si kërmilli. Kjo drejtoreshë duhet të hetohet dhe për tenderin e uniformave, duhet të japë llogari ku shkojnë 5000 lekëshat që u kërkon nxënësve nëpërmjet mësuesve kujdestarë dhe mbi të gjitha ku u gjetën lekët për festimet e 60-vjetorit të krijimit të gjimnazit. Ç’u bënë lekët e fondit nga Bashkia? Ne nuk kemi zë të denoncojmë se na kërcënohet familja dhe jeta, por ju falënderojmë që jeni zëri ynë”, thuhet në denoncimin e postuar nga ish-Kryeministri Berisha.