Tenderi 600 mijë USD i Ahmetaj për manipulim shifrash nga FMN

Ministria e Financave ka synuar pajtimin e një kompanie ndërkombëtare, e cila do të lobonte për të “zbukuruar” të dhënat mbi borxhin publik të vendit. Financat hapën një tender në fillim të dhjetorit 2016, tender i anuluar më pas, për arsye ende të panjohura, por “Hashtag.al” ka mundur të sigurojë specifikimet teknike të tenderit. Këto specifikime zbulojnë se Ahmetaj ka vënë rreth 600 mijë USD në dispozicion me qëllim që kompania që do të pajtohej, të lobonte pranë FMN-së, Bankës Botërore dhe agjencive të vlerësimit si “Standard & Poor’s” dhe “Doing Business”.
Specifikimet e tenderit zbulojnë se, Ahmetaj ka kërkuar që kompania lobiste duhet të krijonte një fabul të besueshme për shifrat e borxhit që ka Shqipëria dhe të prodhonte argumente që do të bindnin agjencitë e huaja mbi efikasitetin. Ahmetaj ka kërkuar që përfaqësues të kompanisë lobiste të ishin dhe të pranishëm në takimet me agjencitë vlerësuese dhe të prodhonin raporte alternative që më pas do t’ua paraqisnin këtyre agjencive.
Nga ana tjetër, specifikimet teknike të këtij tenderi zbulojnë se ministrit të Financave të Shqipërisë i kanë mbaruar argumentet për të mbrojtur shifrat e borxhit të vendit apo dhe politikën agresive koncesionare të qeverisë. Termat e tenderit sugjerojnë se, Ahmetaj është i vetëdijshëm se borxhi i vendit dhe politika koncesionare janë pika tepër të dobëta që mund ta ballafaqojnë qeverinë shqiptare me kritika të forta nga agjencitë e vlerësimit.
Në dokumentet e tenderit, Ahmetaj kërkonte nga kompania lobiste që të angazhohej edhe për të krijuar një fabul të besueshme dhe pozitive për koncesionet dhe kontratat PPP që ka lidhur qeveria. Tre ditë më parë “Standard & Poors” publikoi raportin e vet ku shprehte disa rezerva ndaj qeverisë për nivelin e borxhit.

Specifikimet teknike të tenderit

– Kompania duhet të ndërtojë një fabul të blinduar për historikun e borxhit, e cila duhet të jetë në përputhje me strategjinë ekonomike të qeverisë dhe zhvillimet e fundit politike.
– Nëse gjykohet me rëndësi, kompania duhet të angazhohet në një proces paraprak vlerësimi duke prodhuar një vlerësim të tretë alternativ pranë “Moody” dhe “Standard & Poor’s”
– Kompania duhet të ndihmojë autoritetet shqiptare në përgatitjen e vizitave nga “Moody” dhe “Standard & Poor’s”,  me pyetje-përgjigjet, duke folur me analistët e këtyre agjencive me qëllim përmirësimin e perceptimit nga ana e agjencive dhe rishikimin e raporteve të tyre.