Rama të dorëzojë Alfred Pezën para drejtësisë

Partia Demokratike denoncoi dje mosparaqitjen e deputetit të Edi Ramës, Alfred Peza në Prokurori për të dhënë shpjegime. Deputeti socialist Alfred Peza, i cili po hetohet pas dyshimeve për fshehje pasurie dhe pastrim parash, nuk iu përgjigj fletëthirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj tha se kjo është dëshmia se me këtë qeveri nuk mund të ketë drejtësi të reformuar. “Çdokush, që dje, është i informuar se deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza i është shmangur Prokurorisë. Ka shpërfillur kërkesën e Prokurorisë për t’u paraqitur para saj dhe për të dhënë shpjegime, për t’iu nënshtruar kështu drejtësisë. Në qoftë se kjo është mënyra sesi mazhoranca, sesi ky deputet, sesi Edi Rama, koncepton reformën në drejtësi atëherë të gjitha përgjërimet, të gjitha përbetimet për reformën në drejtësi, për drejtësinë e re, nuk janë gjë tjetër veçse një hipokrizi. Nuk mund të ketë një drejtësi të re, e cila të funksionojë për të tjerët dhe të mos funksionojë pikërisht për ata, të cilët e votuan, një prej të cilëve është dhe deputeti Alfred Peza”, tha Alibeaj. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë i bëri thirrje Ramës të mos bëhet pengues i reformës në drejtësi, ndërsa u kërkoi partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë dhe të ndikojnë tek Rama që të dorëzojë deputetin e tij para dretjësisë. “Në këtë situatë, thirrja jonë shkon më së pari për Edi Ramën, për Kryeministrin, për atë që prej kohësh përbetohet dhe predikon se është njeriu, i cili ka marrë flamurin për drejtësinë e re. Është ai i cili duhet sot, tani, të dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë. Të mos bëhet një pengues i kësaj drejtësie të re. Thirrja e dytë shkon pikërisht për ata, partnerët ndërkombëtarë, ata të cilët me shumë përkushtim, me shumë insistim e shoqëruan, ndikuan që kjo drejtësi e re të bëhej, që të ndikojnë tek Edi Rama. Të ndikojnë që ai të detyrohet ta çojë dhe ta dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë”, tha kreu i Departamentit të Sigurisë në PD. Gjithashtu ai i bëri thirrje edhe deputetit socialist Alfred Peza që të shkojë dhe t’i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë. “Thirrja tjetër shkon pikërisht për atë, deputetin Alfred Peza, i cili është mburrur gjatë gjithë kësaj kohe se ka votuar reformën në drejtësi, shkon për atë që ka votuar pikërisht reformën në drejtësi dhe për të gjithë deputetët e tjerë, që ta detyrojnë atë të shkojë dhe të dorëzohet para drejtësisë. Në qoftë se kjo drejtësi e re është për disa dhe nuk është për disa të tjerë që qëndrojnë mbi ligjin, si deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza, atëherë kjo nuk është drejtësi e re, kjo nuk është reformë e re. Ky është thjesht dhe vetëm sundim. Dhe sundimet kanë vetëm një përgjigje, sundimet kanë pikërisht përgjigjen që populli u rezervon. 18 shkurti është pikërisht momenti kur populli duhet të mblidhet dhe ka një arsye më tepër që të vendosë drejtësinë e vet. Të gjithë më 18 shkurt edhe për këtë arsye”, tha Alibeaj.