Protestat nuk do ndalen

Më 18 shkurt, në orën 12 nis nga Tirana rruga pa kthim për t’u kthyer pushtetin qytetarëve duke nisur me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kreu i PD, Basha paralajmëroi dje se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Basha ndau dje me banorë të Fierit nevojën për t’u bashkuar e ngritur kundër qeverisjes që ka braktisur qytetarët dhe kujdeset vetëm për veten, klientët dhe miqtë e saj, e për këtë arsye nuk lejon zgjedhje të lira.
“Qeveria erdhi me premtimin se do t’i shërbejë shumicës, por po i shërben vetes së vet. Shëndetësia në kolaps nuk vjen sepse shqiptarët paguajnë më pak. Shqiptarët paguajnë më shumë sot për shërbimin shëndetësor, por ato para nuk shkojnë për ilaçe, për pajisje, për trajtim mjekësor, por shkojnë në xhepat e një grushti oligarkësh, hajdutësh, kriminelësh të lidhur drejtpërdrejtë me Kryeministrin. Ndaj nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Prandaj mban Elvis Rroshin kryetar bashkie. Prandaj mban Saimir Tahirin ministër të Brendshëm, njeriun që e kanë treguar me gisht të gjithë partnerët tanë, si një nga kokat e krimit të organizuar, si njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge. Sepse këta i duhen për të vjedhur zgjedhjet e ardhshme. Prandaj nuk pranon votimin elektronik dhe numërimin elektronik, sepse e di që me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa krim, me votë të lirë qytetare, kjo qeveri është e rënë, është e larguar dhe rruga hapet për një qeveri të qytetarëve, për një qeveri të Shqipërisë”, theksoi Basha.
Basha tha se si kudo, edhe në Fier, sot kemi më shumë të papunë se para tre vitesh, pensionistët paguajnë çmime më të larta dhe blejnë më pak.
Shëndetësia është në gjendje të mjerë. Rinia ka më pak shanse për punësim. “Më 18 shkurt shqiptarët do të bashkohen për t’i thënë jo varfërisë, padrejtësisë, për t’i thënë jo gënjeshtrës dhe për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shpalli Basha në mes të qytetarëve në sheshin kryesor të Fierit.
Kryetari i Partisë Demokratike gjatë takimeve në Fier dëgjoi nga afër naftëtarët, të cilët janë në krizë të thellë dhe të braktisur totalisht. Ankesat janë për shtimin e papunësisë, varfërisë, pamundësisë për të paguar edhe energjinë elektrike.
Duke u ndalur tek rasti i banorëve të Zharrëzit, të cilët janë në grevë urie, sepse u janë shembur shtëpitë nga shpimet e naftës dhe qeveria i mashtroi, Basha tha se ata janë në të drejtën e tyre dhe kanë plotësisht mbështetjen e Partisë Demokratike. “E vetmja gjë që u kërkoj është të mos shkojnë drejt vetëflijimit, por të bashkohen me ne. Ky është momenti për të larguar qeverinë dhe jo për të vetëflijuar njerëzit”.
Qytetarët, tha Basha, po bashkohen për të larguar njëherë e përgjithmonë një kastë të korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe për të sjellë në pushtet, jo thjesht një parti politike, por qytetarët.
“Kjo lëvizje qytetare nuk do të ndalojë derisa të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose përmes paketës që kemi propozuar ne, përfshirë votimin elektronik, ose përmes marrjes në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetarët”, pohoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike u bëri të qartë qytetarëve, se kjo lëvizje ka synime të mëdha, për të sjellë ndryshimin në vend.
“Qeverisja do t’i kthehet qytetarëve, demokracia do t’i kthehet qyetarëve, Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve. Më 18 shkurt, në orën 12.00 në qendrën e Shqipërisë, për t’u shpërndarë më pas anembanë vendit në një lëvizje pa kthim për fitoren e qytetarisë, për fitoren e vlerave, për mposhtjen e antivlerave, për Shqipërinë europiane, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Lulzim Basha.
Po dje, në një postim në Facebook në lidhje me takimet e zhvilluara dje, Basha tha: “Sot takova dhe fola me qindra qytetarë të Fierit, të rinj, familjarë, sipërmarrës të vegjël, të papunë, të pamundur. Janë të gjithë të braktisur dhe gjendja ju duket një kaos i vërtetë. Në 4 vitet e fundit i kam rënë të paktën 4 herë përqark Shqipërisë dhe kam parë si gjendja e njerëzve sa vjen e përkeqësohet. Shëndetësia është në gjendje të mjerë. Rinia nuk ka mundësi për punësim. Të pamundurit dhe të varfrit janë të braktisur. Më 18 shkurt do të bëhemi bashkë dhe do të ngrihemi bashkë për t’i thënë jo varfërisë, padrejtësisë, për t’i thënë jo gënjeshtrës dhe për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme që do të sjellin një qeveri të njerëzve”.

Revoltë e fermerëve të Lushnjes kundër qeverisë

Qindra fermerë të Lushnjës pritën kreun e demokratëve Lulzim Basha në krah të rrugës nacionale në fshatin Grabian.
Revolta e tyre ndaj qeverisë ishte e madhe pasi nga qeveria nuk kanë asnjë përkrahje. Asnjë subvencion, asnjë investim në bujqësi, çmimet janë rritur e bashkë me to dhe kostoja e prodhimit. Fermerë thanë se për të tretin vit nuk shesin dot prodhimet dhe varfëria është rritur.
“Vjet vajti uji 1 metër në shtëpinë time në Çermë. Na tha që do u dëmshpërblej, por na dha veç një batanije dhe 4 kile makarona”, u shpreh një fermer.
“Kam votuar gjithnjë PS-në dhe kjo është hera e parë që do të votoj PD-në. Kanë 4 vjet që më kanë hequr pensionin. Unë jam invalid dhe nuk punoj dot”, tha një tjetër banor i zonës.
Lideri i opozitës tha se mosmbajtja e premtimeve dhe përfitimet nga korrupsioni janë arsyet se pse Edi Rama nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha ftoi fermerët lushnjarë dhe të gjithë Shqipërisë për t’u bashkuar më 18 shkurt në protestën e madhe kundër kastës së korruptuar. Basha tha se 18 shkurti është dita për të nisur rrugën e kthimit të pushtetit tek qytetarët.
“18 shkurti është dita kur ngrihemi bashkë në Tiranë për të marrë një vendim të madh; zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes tyre një qeveri që garanton shërbimin ndaj jush. Një qeveri që nuk i braktis qytetarët, por ju shërben atyre. Beteja është të largojmë këtë kastë të korruptuar që ka kapur për fyti Shqipërinë dhe pas 25 viteve t’i japim më në fund Shqipërisë një qeverisje të qytetarëve, një qeverisje që arrin ta mbështesë fermerin, me investime, me hapësirë dhe liri në treg. Sot nuk ka liri fermeri të tregtojë atë që prodhon. Nuk ka liri sepse shteti është kthyer në xhandar, në gjobitës, në zhvatës. Populli ngrihet, ne ngrihemi, bashkë do të ngrihemi më 18 shkurt. Ju jap fjalën që nuk do të tërhiqemi derisa të diktojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Arben Shahini